Kurti: Gjysma e deputetëve të PDK-së ‘janë agjentë’

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, të enjten, Kurti ka thënë se “Vetëvendosja” dallohet nga partitë tjera prej parimeve të saj të përgjithshme politike dhe se kjo do të qartësohet edhe më shumë me programin e detajshëm të qeverisjes së qendrës në përgatitje e sipër.
“Të shumtë kanë qenë ata që na kanë thënë se nuk do të dimë të sillemi në institucione. Por në Parlament kemi thirrë më së shumti interpelanca, kemi marrë më së shumti nisma. Do të dimë edhe të udhëheqim kur të na vjen koha të jemi në pushtet”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, ky do të jetë një plan zhvillimor që buron nga kapaciteti i brendshëm dhe jo një projekt pasiv që pret mrekullitë të vijnë të gatshme nga jashtë.
Ai për herë të parë ka folur për qëndrimet e këtij subjekti për tema shumë konkrete si çmimet e rrymës elektrike dhe ligjin për teatrin, ndërsa është ankuar se mediat nuk prezantojnë shumëllojshmërinë e aktiviteteve të “Vetvendosjes”.
Kjo lëvizje ka vënë nën hije partitë tjera opozitare me protestat e saj të kohës së fundit kundër vendimeve të qeverisë në lidhje me reciprocitetin tregtar me Serbinë dhe fusnotën në emrin e Kosovës në përfaqësimet rajonale.
Dhe Kurti thotë se simpatizantët e tyre po shtohen, por edhe frika nga pushteti.
Ai ka kritikuar heshtjen e intelektualëve karshi problemeve të mëdha të vendit, sikur që është korrupsioni dhe ka shfaqur dyshime nëse kjo heshtje vjen për shkak të frikës nga shantazhimet.
Por në intervistën me Jeta Xharrën, lideri i Vetëvendosjes e ka pranuar tërthorazi se protestat e tyre, sikur janë zbehur, kohëve të fundit. “Jemi duke i shqyrtuar shkaqet... Ndoshta edhe nuk kemi ditur diçka të bëjmë si duhet. Natyrisht, jemi larg të qenit të përsosur”, thotë ai.
Kurti insiston se numri i të pakënaqurve me pushtetin aktual po shtohet. “Vetëvendosje është infrastrukturë për të pakënaqurit... Është rritur shumë numri i simpatizantëve të Vetëvendosjes, por edhe frika. Kryeministri Hashim Thaçi përmendi 21 janarin (ngjarjet në Shqipëri), në njëfarë mënyre ju tha se unë ju vras për pushtetin tim”, shprehet Kurti.
Ai shton se qytetarët janë të frikësuar, po ashtu, se mund të humbasin vendet e punës, nëse dalin të protestojnë.
Më tutje, Kurti thekson se në një shoqëri demokratike, njerëzit kurrë nuk duhet të lodhen duke protestuar. “Nuk është demokraci me shku me votu një herë në 4 vjet, se të vidhet pastaj edhe ajo votë... Statistikat sociopolitike tregojnë se këtu duhet të ketë çdo ditë protesta”.
Në intervistë, Kurti flet edhe për akuzat e paradokohshme që iu bën nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i njohur me nofkën Kamishi. I quan shpifje. “Fushata nisi kundër neve, atëherë kur ne ia bëmë pyetjen kryeministrin për takimet me presidentin serb, Boris Tadiq”.
Ai ka rikujtuar se Wikileaks ka publikuar se kryeministri Thaçi ka pasur takime të fshehta me presidentin e Serbisë. “Kur takohet me liderë të tjerë na i qan veshët. Pse takimet me Tadiqin i ka mbajtur fshehtë”, pyet Kurti.
Nuk dëshiron të hyjë në detaje për akuzat e Kamishit, për të cilat thotë se “në një shtet demokratik do të duhej të merrej prokurori”.
Kurti thekson se akuzat vijnë në kohën kur po ndodh legjitimimi i ish-agjentëve të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) brenda institucioneve. “Gjysma e grupit parlamentar të PDK-së janë agjentë”, shprehet Kurti.
Ai mendon se akuzat u bënë me qëllim që të shmanget vëmendja e opinionit prej zhvillimeve brengosëse rreth Kosovës. “Menduan që të më shantazhojnë. Por s’mundet askush të më shantazhojë mua, dhe asnjë anëtar të Vetëvendosjes”.
Por në anën tjetër, Kurti thotë se “ka mundësi që shumë njerëz që po heshtin sot, intelektualë, profesorë, ndoshta janë të shantazhuar”. Sepse, ai nuk e kupton ndryshe pse nuk ngritet zëri për problemet e mëdha, siç janë korrupsioni, me të cilat përballet vendi.
“Ajo çka të shpëton është bashkësia... Edhe në VV, në organizatën tonë, jemi njëfarë bashkësie. Shumica e dërmuese e qytetarëve janë të pakënaqur, por nuk janë të bashkuar”, shprehet Kurti.
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kritikon disa nga ish-pjesëtarët e kësaj ushtrie që në emër të luftës po keqpërdorin dhe po pasurohen për vete tash e 12 vjet. “Unë kam respekt për të gjithë ata që kanë kontribuar për çlirim, por UÇK-ja nuk është amnisti... 1 vjet luftë, e 12 vjet biznesmen. Këta po sillen sikur populli ju ka diçka borxh”, shprehet Kurti.
Ndryshe nga shumica e partive të tjera, Kurti thotë se në VV ka “demokraci të brendshme”. Derisa zgjedhjet mbahen çdo tre vjet, me statut është e përcaktuar që çdo aktivist në pozita udhëheqëse mund të rrijë më së shumti dy mandate. Konfirmon se edhe vetë ai, do të mund të marrë më së shumti edhe një mandat tjetër trevjeçar në krye të partisë.
Sa i përket financimit, Kurti ka thënë se i kanë tri burime kryesore. Nga fondi që iu përket subjekteve nga buxheti i Kosovës, pagesa e anëtarësisë dhe donacionet, që thotë se vijnë nga shtresa e mesme, dhe jo kompani të mëdha. “Angazhohemi që një ditë financimi të bëhet krejtësisht nga buxheti sesa të krijojnë lidhje klienteliste me biznese të ndryshme”. (gazetajnk)