E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në dorë të Brukselit

Zyrtarët e BE’së, Catherine Ashton dhe Stefan Fule, thanë se Kosova po ec drejt marrëdhënieve kontraktuale me Unionin. Pas takimit me Kryeministrin Thaçi, Komisioneri Fule theksoi se BE do ta përmbush përkushtimin për liberalizimin e vizave. Ai ka shpjeguar se ekspertët europianë në Kosovë tani po përpiqen të ndihmojnë rreth reformave në çështjet tregtare. Ky zyrtar europian, po ashtu, bëri të ditur se Komisioni po planifikon të nis deri në fund të pranverës dialogun për Sundimin e Ligjit me Kosovën.

Dy zyrtarët e Bashkimit Europian, Përfaqësuesja e Lartë e BE’së, Catherine Ashton dhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule i kanë quajtur të rëndësishme konkluzionet e fundit që 27 vendet anëtare kanë miratuar për Kosovën.

Ata kanë thënë se ajo që ka ndodhur ditëve të fundit e çon Kosovën drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE’në.

Ashton dhe Fule kanë takuar të premten Kryeministrin Hashim Thaçi, i cili gjatë qëndrimit në Bruksel ka marrë lëvdata të mëdha për marrëveshjen e përfaqësimit rajonal që pala kosovare e ka arritur me Serbinë në javën e kaluar.

Lëvdatat zyrtarët e BE’së nuk i kishin kursyer as për Presidentin e Serbisë, Boris Tadic, i cili ka qëndruar në kryeqytetin europian gjatë ditëve të para të javës.

Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton ka thënë se Kosova dhe BE kanë një periudhë intensive përpara.

“Kemi një vit të pasur para nesh në marrëdhëniet BE –Kosovë: studimin e fizibilitetit, dialogun e vizave, marrëveshjen tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE’së dhe shpresojmë edhe anëtarësimin në BERZH”, ka thënë kryediplomatja.

Ashton ka thënë se gjatë bisedimeve me kreun e qeverisë së Kosovës ka theksuar dëshirën e BE’së që Kosova të lëvizë më afër Unionit.

Duke folur rreth marrëveshjes Kosovë–Serbi, Ashton ka thënë se tani Kosova ka mundësi që të flasë për veten në 35 mekanizma rajonalë dhe të nënshkruajë edhe marrëveshje.

“Bashkëpunimi rajonal është hap i madh – nënkupton që Kosova tani do të marrë pjesë duke u përfaqësuar vetë në më shumë se 35 forume rajonale. Kosova do të jetë në gjendje që të nënshkruajë marrëveshje vetë. UNMIK’u ka njoftuar se do t’ia lë Kosovës këto role”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja e BE’së ka folur me tone pozitive edhe rreth marrëveshjes IBM.

“Marrëveshja e dytë ka të bëjë me menaxhimin e integruar të pikëkalimeve me Serbinë, një vend me të cilin vetëm para një viti nuk kishte kontakte zyrtare.

Pra, kemi bërë një rrugë të gjatë.

Ne gjithmonë e kemi thënë se qëllimi i dialogut është që të sjellë palët më afër BE’së, që të nxisë bashkëpunimin dhe të përmirësojë jetët e njerëzve të rëndomtë”, ka thënë ajo.

E Ashton e ka quajtur historik faktin që Komisioni i BE’së të fillojë studimin e fizibilitetit për Kosovën.

“Vetëm pak ditë më parë ne kemi parë atë që unë mendoj se është një marrëveshje historike që është arritur në dialog dhe natyrisht edhe fillimi i studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes BE’së dhe Kosovës”, ka thënë Ashton.

Komisioneri Stefan Fule ndërkaq ka thënë se tani Kosova do të ec drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE’në.

“Formula për bashkëpunimin rajonal për të cilën u arrit marrëveshja javën e kaluar është një hap I rëndësishëm drejt marrëdhënieve kontraktuale me BE’në”, ka thënë Komisionieri për Zgjerim.

Komisioneri Fule ka takuar Kryeministrin Hashim Thaçi, Ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj dhe Ministren e Integrimeve Vlora Citaku.

“Në takimin tonë sot kemi diskutuar rreth konkluzioneve të Këshillit të Përgjithshëm të BE’së, të cilat konfirmojnë synimin e Komisionit që të fillojë studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Kjo është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës në marrëdhëniet me BE’në”, thuhet në një njoftim për media.

“Konkluzionet e dhjetorit dhe të sotme konfirmojnë përkushtimin e BE’së për një agjendë ambicioze europiane për Kosovën. Fillimi i dialogut të vizave në janar demonstron se BE mund ta përmbushë këtë përkushtim”, vazhdon kumtesa.

Fule ka theksuar se gjatë diskutimeve me Ministrat Hoxhaj dhe Citaku ka thënë se liderët kosovarë duhet të arrijnë konsensus për reformat e domosdoshme , “me theks të veçantë në sundimin e ligjit dhe tregtinë.

“Për t’i ndihmuar fokusit të përpjekjeve kosovare unë planifikoj të nis një dialog të strukturuar për sundimin e ligjit në Bruksel në fund të pranverës”, ka thënë ai.

E po ashtu ka theksuar se ekspertët europianë janë në Prishtinë për të sjellë udhërrëfyes që ka të bëjë me reformat tregtare. Fule ndërkaq ka folur edhe për veriun.

“Unë përsëri e nënvizoj nevojën që Prishtina të punojë në një agjendë gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë për veriun. Është e qartë tani se progresi i mëtejmë i Kosovës drejt Europës është në duart e saj”, citohet Fule në kumtesë.

Kryeministri Thaçi ndërkaq, pas takimit me Ashton, ka theksuar se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal dhe ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufirit shënon një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për Bashkimin Evropian.

“Unë besoj vendosmërisht se hapat që po i bëjmë janë të vështirë për shkak të së kaluarës, por këta hapa janë të rëndësishëm dhe vendimtarë për perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Republika e Kosovës është krenare që është shtet evropian dhe është e gatshme të zërë vendin e saj në Bashkimin Europian, NATO dhe Kombet e Bashkuara”, ka theksuar Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›