BE gati të fuqizohet, Irlanda e pranoi Traktatin e Lisbonës
Irlanda votoi pro referendumit për Traktatin e Lisbonës, duke forcuar shpresat e BE-së për zbatimin e reformave që mund t’i japin unionit një influencë më të madhe globale.
67,1 për qind e votuesve është shprehur në favor të traktatit, ndërsa 32,9 për qind kanë votuar kundër. Pjesëmarrja në votim ishte 58 për qind, nga 3 milionë votues me të drejtë vote. Pranimi i Irlandës në referendumin e dytë për këtë çështje ishte i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, pasi traktati përvijon vendimmarrjen e bllokut, që sipas analistëve është “ngathtësuar”, që kur 10 vende u bashkuan me të në vitin 2004 dhe dy të tjera në vitin 2007. Vota e Irlandës ishte themelore, pasi traktati kërkonte miratimin e 27 vendeve për t’u vënë në praktikë. Tani pritet vetëm miratimi i Polonisë dhe Çekisë, por sipas Reuters ato parashikohet të thonë “po” për shkak të presionit të BE-së. “Kjo ishte një fitore e rëndësishme jo vetëm për Irlandën, por për të gjithë Evropën”, tha Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së. Presidenti polak, Lech Kaczynski, tha para referendumit se ai do ta ratifikonte traktatin nëse Irlanda e mbështeste atë. “Në momentin që presidenti do të mësojë rezultatin, ai do ta nënshkruajë menjëherë atë. Nuk do të ndodhë në fundjavë, por do të jetë çështje ditësh”, ka deklaruar për mediat një këshilltar i Kaczynskit. Ndërsa qëllimet e Presidentit çek, Vaclav Klaus, nuk janë të qarta. Ai mund ta refuzojë aprovimin, sidomos pasi 17 senatorë çekë kanë nënshkruar një ankesë kushtetuese kundër, për shqyrtimin e së cilës Gjykatës Kushtetuese çeke do t’i duhen disa javë për ta vendosur. Klaus mund të përpiqet të vonojë nënshkrimin e traktatit, derisa Britania të mbajë zgjedhjet parlamentare në qershorin e ardhshëm. Kreu i opozitës konservatore britanike, David Kameron, i cili kryeson në sondazhet e opinionit, ka premtuar një referendum mbi traktatin nëse ai zgjidhet, dhe nëse traktati nuk ka hyrë në fuqi deri atëherë. Klaus shpreson që votuesit britanikë ta kundërshtojnë traktatin, edhe pse qeveria Laburiste e ka ratifikuar atë. Joseph Daul, kreu i qendrës së djathtë Partia Popullore Evropiane, tha se rezultati i votimit do të nxisë unitetin evropian. “BE-ja do të flasë me një zë dhe të veprojë me një zë, kur Traktati i Lisbonës të jetë ratifikuar, në bazë të një sërë vlerash të përbashkëta të çmuara për të gjithë evropianët”, tha lideri i forcës më të madhe në Parlamentin Evropian. Analistët politikë thanë se refuzimi i Irlandës do ta kishte dëmtuar rëndë BE-në, kur ajo po përpiqet të ruajë ndikimin e Evropës tani që po merr formë pas krizës ekonomike, duke i dhënë Kinës dhe fuqive të tjera më shumë të drejta në vendimmarrje. Refuzimi do të ketë dëmtuar besimin e publikut dhe të investitorëve në BE. Tani blloku mund të luftojë për të projektuar veten si një fuqi globale ekonomike. Kryeministri irlandez, Brajën Kouen, tha se vota e vendit të tij pro Traktatit të Lisbonës “është një lajm i mirë për Irlandën dhe një lajm i mirë për Evropën”. Mbështetja irlandeze përmirëson perspektivat e BE dhe shtyn për në projekte të mëdha, si integrimi më i thellë në mes të anëtarëve të saj dhe zgjerimin e mëtejshëm të bllokut. Kroacia është në radhë për t’u bashkuar, por Islanda mund të nisë së shpejti procedurat e pranimit. Turqia , Maqedonia, Shqipëria dhe disa shtete të Ballkanit shpresojnë për t’u bashkuar.