Sherr në lokal gjatë pijes, plagoset me dy plumba 40-vjeçari Lami
SHKODER - Një 40-vjeçar ka mbetur i plagosur para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, në orët e para të ditës së djeshme. Sherri me fjalë, i nisur mes dy tavolinave, shkaktoi dhe ngjarjen e rëndë, kur Artan Lami u qëllua me dy plumba në kraharor. Autori, sipas policisë, është identifikuar dhe arrestuar pak kohë më vonë. Sipas dëshmitarëve, personi që qëlloi ndaj Lamit ishte Luan Kalo, 32 vjeç, banor i lagjes “Salo Halili”, ku jetonte dhe i plagosuri. Nga burimet zyrtare të policisë pohohet se ka qenë ora 03:30 e së shtunës, kur këta persona me shoqëritë e tyre ndodheshin në një lokal, në vendin e quajtur “Ura e Dervishbeg”. Dëshmitarët kanë treguar se Lami dhe Kalo ishin ulur në tavolina të ndryshme, që prej mbrëmjes së të premtes. Rreth orës 03:00 të mëngjesit, mes dy fqinjëve ka nisur një grindje me fjalë, për motive të rëndomta e nën provokimin e alkoolit. Sipas policisë, të dy kanë dalë jashtë lokalit për të zgjidhur konfliktin e nisur. Por, papritur 32-vjeçari ka nxjerrë një armë zjarri, duke qëlluar 5 herë në drejtim të Lamit. Dy prej plumbave e kanë zënë Lamin në pjesën e kraharorit, duke e plagosur rëndë. Krismat e armës tronditën banorët e qytetit, në atë orë të hershme të ditës. Forcat e policisë së Shkodrës mbërritën në vendin e ngjarje, duke transportuar për në spital të plagosurin. Pas marrjes në pyetje të personave, është identifikuar autori, i cili u arrestua pak orë më vonë. r.d