E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grekët votojnë sot për liderin e ri, favorit Papandreu i PASOK

 

Grekët votojnë sot për të zgjedhur qeverinë e re, ku sipas parashikimeve kësaj radhe do të kalojë në duart e socialistëve. Që të dy kandidatët kryesorë për të rrëmbyer Kryeministrinë në Greqi, kryeministri aktual Kostas Karamanlis, 53 vjeç, dhe lideri i opozitës Jorgo Papandreu, 57 vjeç, rrjedhin prej familjeve politike. Babai i Papandreut, Andreas dhe gjyshi i tij, Jorgo, kanë qenë të dy kryeministra në periudha të ndryshme mes 1940-1990, ndërsa xhaxhai i Karamanlisit ka qenë kryeministër pesë herë në periudhën 1955-1980, si dhe president ndërmjet 1980-1985 dhe 1990-1995, kujton agjencia AP. Rreth 10 milionë votues kanë të drejtë të zgjedhin sot liderin e ri të vendit, ku sipas sondazheve paraprake, Papandreu i lëvizjes PASOK është i favorizuari. Ndryshimi themelor në programin e të dy kandidatëve është trajtimi i çështjes ekonomike, që ishte dhe shkaku që zgjodhi kryeministri Karamanlis për të thirrur zgjedhjet e parakohshme. Sipas sondazheve, socialistët janë para me 6-7 për qind dhe kjo mund t’u japë atyre një shumicë të lehtë, për të pasur maxhoritetin në Parlamentin me 300 vende, por ngushtimi i rezultatit nuk nxjerr më fitues dhe nëse kjo ndodh, Greqia do të ketë zgjedhje të tjera në nëntor. Të premten në mbrëmje u mbyll fushata zgjedhore, e cila nuk kaloi pa probleme. Një bombë shpërtheu pranë vendit ku Kryeministri Karamanlis mbajti mitingun e tij përfundimtar. Mjeti i shpërthimit ishte vendosur në një kosh plehrash vetëm 100 metra larg vendit ku po mbahej mitingu i “Demokracisë së Re”. Ndërsa rreth një javë më parë, një sulm me bombë u krye pranë apartamentit dhe zyrave të një zyrtareje të PASOK-ut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›