BILISHT/Banesa sociale për familjet rome
BILISHT - Përfundon ndërtimi i një banese me katër hyrje, e planifikuar për strehimin e familjeve të varfra rome në qytetin e Bilishtit. Kryetari i Bashkisë, Valter Miza, bëri të ditur se këto familje prej gati 15 vitesh jetojnë në kasolle dhe barake të ndërtuara me plastmase në afërsi të varrezave të qytetit. Sipas tij, strehimi i komunitetit rom në këtë qytet është një nga shqetësimet më të mëdha të kësaj bashkie. “Me një fond të Ministrisë së Brendshme u ndërtua një banesë kolektive, e cila ka përfunduar ditët e fundit. Në këtë banesë do të strehohen ato familje që e kanë më emergjente strehimin, mbasi jetojnë nën kasollet me plastmas”, u shpreh ai. Në këto mjedise është futur uji i pijshëm dhe energjia elektrike, duke mos harruar dhe mjediset higjieno- sanitare. Për ndërtimin e kësaj ndërtese u investuan 8 milionë lekë. Bilishti ka 115 familje të pastreha, të cilat do të marrin strehim në banesa që do të ndërtohen e shpërndahen pa interes dhe me afat shlyerje 30 vjet, për familjet më të varfra. j.gj