BE, gjoba për të gjithë kundërvajtësit në Evropë
Komisioni Evropian ka vendosur ngritjen e një sistemi në të gjitha vendet e BE-së për ndëshkimin e kundërvajtësve në trafik. Kush nget makinën më shpejt nga sa është e lejuar atëherë duhet të japë llogari në mbarë Evropën. Parlamenti Evropian në Bruksel miratoi këtë propozim, që u prezantua të mërkurën nga komisionieri për transportin, Barrot. 43 mijë njerëz kanë vdekur vitin e kaluar në rrugët e Evropës si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe alkoolit në timon. Kjo shifër është e barabartë me rrëzimin e pesë avionëve brenda një jave. Nëse një shofer gjerman tejkalon shpejtësinë në një autostradë franceze dhe fotografohet, policia në Francë nuk mund ta gjej se kush është pronari i automjetit, pasi nuk ka akses në regjistrat e Gjermanisë. Por kjo gjë do të ndryshojë se shpejti: një rrjet elektronik për shkëmbimin e të dhënave do të mundësojë që policia franceze t'ia kaloj policisë gjermane numrat e targës të shoferit gjerman. Më pas francezët vendosin një gjobë prej 150 apo 200 euro dhe për këtë Komisioni Evropian do të përpiloj formularë standard në të gjitha gjuhët e shteteve anëtare. E tëra kjo menaxhohet lehtë tha komisioneri për transport, nuk krijon burokraci shtesë por vetëm shton sigurinë. 'Në vendet anëtare të cilat janë më të rreptat me ndjekjen e kundërvajtjeve në trafik janë shënuar rezultatet më të mira'. Ato janë Britania e Madhe, Holanda, Suedia, Finlanda dhe Franca. Në përgjithësi në mbarë Evropën në këtë pikë përparimet kanë ngecur në vend. Për dallim nga fillimi i dekadës kur përmes masave të ndryshme të sigurisë u arrit që numri i viktimave të trafikut të ulet për rreth 10 mijë në vit - gjatë vitit të kaluar statistika rrëqethëse nuk lëvizi nga 43 mijë. Këtu bëhet fjalë vetëm për raste të rënda si shpejtësia tejet e madhe, alkooli në timon, ngasja e automjetit pa rripin e sigurisë dhe mosrespektimi i semaforit të kuq.