E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rais i kërkon falje Obamës

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rais i kërkoi dje falje senatorit të Ilinoisit, Barak Obama për incidentin e shkaktuar në Departamentin e Shtetit. Në tre raste të ndryshme (në 9 janar, 21 shkurt dhe 14 mars ), tre punonjës të këtij departamenti kanë spiunuar të dhënat e pasaportës së kandidatit demokrat për në Shtëpinë e Bardhë. Për këtë dy prej punonjësve u pushuan menjëherë nga puna, ndërsa i treti i është nënshtruar një procedimi. “I thashë se më vjen shumë keq dhe se edhe unë vetë do të isha shqetësuar. Askush nga ne nuk dëshiron të ndodhet në një rrethanë ku dosja e pasaportës së ndonjë shtetasi amerikan të kontrollohet pa autorizim”-tha Rais duke pranuar “apologjinë” ndaj Obamës lidhur më këtë skandal. Episodi ka ngritur pyetje lidhur me faktin nëse ishte i motivuar politikisht. Por skandali i kontrollit të jashtëligjshëm i të dhënave është zgjeruar edhe më shumë, pasi AP raportoi se janë kontrolluar edhe dosjet e dy kandidatëve të tjerë për në Shtëpinë e Bardhë, ato të Hilari Klinton dhe Xhon MekKein. Sekretarja amerikane e shtetit, e cila tha se kishte biseduar në telefon me senatorin Obama, u shpreh e zhgënjyer që zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit nuk ishin njoftuar lidhur më këtë çështje. Pikërisht dje DASH, njoftoi se departamenti i drejtësisë ka nisur një hetim për të zbardhur çështjen. Ndërkohë, një zëdhënësi i fushatës së Obamës, Bill Burton, tha se ky rast është një shkelje e sigurisë dhe privatësisë, nga një administratë që ka treguar shumë pak kujdes lidhur me këto elementë. Burton kërkoi një hetim të plotë si dhe emrat e “spiunëve” bashkë me arsyet se pse ata patën akses në dosjet e Departamentit të Shtetit (DASH). Por mbi të gjitha zëdhënësi i fushatës së Obamës kërkoi që të zbulohet përse DASH nuk raportoi që më parë për infiltrimin e këtyre tre punonjësve. Sipas Burton, qeveria amerikane mund të përdorë këto informacione private për qëllime politike. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Shon Mekormak shpjegoi se çështja është mbase rezultat i një “kurioziteti të pakujdesshëm”. Ai shtoi se nuk dihet se çfarë kërkonin apo gjetën tre punonjësit.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›