Dorina Toçi-Nuk e kthej kokën mbrapa
Shumë prej nesh kujton këngën “Pranvera”, që u kthye në një hit veror, edhe pse nuk mbante firmën e ndonjë këngëtari të famshëm. Në atë kohë Dorina Toçi ishte vetëm 16 vjeçe dhe jo vetëm që arriti ta përballonte me sukses skenën, por edhe u dallua mes shumë artistëve të rinj. Kanë kaluar katër vjet që nga ajo ditë dhe tashmë karriera e Dorinës ka marrë udhën e vet drejt këngës, edhe pse me hapa të kontrolluar. E ndërsa performon këngët e saj në festivale të ndryshme të muzikës moderne, nuk harron të thotë se muzika klasike është e preferuara e saj. Por kjo nuk do të thotë që Dorina nuk eksperimenton në rrymat e tjera. Edhe pse ende nuk ka marrë ndonjë çmim, ajo është e kënaqur që arrin të përmbushë ëndrrën e saj: të këndojë. Dorina kërkon vetëm të tregojë vlerat e saj në art. Për t’i shkuar gjer në fund pasionit të saj për muzikën, që prej dy vjetësh studion për kanto, në Akademinë e Arteve. Kënga e saj e fundit është prezantuar vetëm pak ditë më parë me titull “Jeta vazhdon”, me tekst të Gjergj Jorgaqit dhe e orkestruar nga Genti Lako. -Jeni ngjitur në skenë në një moshë relativisht të vogël. Si ka lindur lidhja juaj me muzikën? “Me muzikën ka pasur kontakte që në moshë të vogël, çka më shtyu ta ndiqja pasionin tim edhe më vonë. Që në fillimet e para ka qenë dëshira ime për të bërë diçka më shumë për muzikën, dhe kështu vijova në rrugën time për kanton”. -Kur ka qenë hera e parë që jeni prezantuar në një festival të mirëfilltë? Si ka vijuar karriera juaj që nga ajo ditë? “Për herë të parë jam prezantuar në “Top Fest 1” me këngën “Pranvera”, një këngë nga Heldi Kraja, që u bë edhe hit atë verë, njëkohësisht u nominova në kategorinë “Best neë artist”. Për të vijuar me këngë të tjera, si “Dua”, që u nominua në kategorinë “Best song”, por edhe pse nuk fitova, e rëndësishme ishte pjesëmarrja. Ndërkaq, kam pasur edhe një bashkëpunim me Stinen, i cili më ka kompozuar këngën “Asgjë nuk më mban”. -Çfarë rryme i përket kënga juaj e fundit dhe kush janë bashkëpunëtorët tuaj? “Kënga me titull “Jeta vazhdon” i përket rrymës pop, me ritme regaton, një kompozim nga Genti Lako dhe tekst të Gjergj Jorgaqit. Teksti flet për një vajzë që pasi është ndarë nga i dashuri, ai kërkon të rikthehet në krahët e saj dhe t’i thotë se jeta vazhdon”. -A thotë shpesh jo Dorina? “Ky është një tekst që nuk ka lidhje fare me mua, por është mendimi i Jorgaqit për të më nxjerrë si vajzë lozonjare”. -Aktualisht jeni studente në vitin e dytë për kanto. Cila është lidhja juaj me muzikën klasike? “Muzika klasike është baza e çdo lloj tjetër rryme dhe në stadin ku ndodhem, nuk do ta ndërroja me asnjë. Edhe vetë teknika e klasikes të mundëson një jetëgjatësi më të madhe në muzikë. Por, nga ana tjetër, preferoj edhe rrymat e tjera. Sidomos pop-i, është ndër të preferuarat. Por kjo nuk do të thotë që nuk i këndoj të gjitha, pasi mua më pëlqen të eksperimentoj”. -Gjer tani keni realizuar ndonjë performancë në evenimente e muzikës klasike? “Kam bërë një koncert recital në Akademinë e Arteve, me muzikë klasike dhe mendoj se ia kam dalë mirë. Por muzika klasike është një botë e paeksploruar, që të shtyn drejt saj”.