E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk do ta lejojmë!

SHBA garanton se nuk do të lejojë ndarjen e Kosovës

Washingtoni ka përsëritur edhe një herë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të lejojnë ndarjen e shtetit të ri të Kosovës. Në një deklaratë për mediat, një ditë më parë ndihmës sekretari amerikan i shtetit Daniel Frid tha se SHBA e kundërshton ndarjen e Kosovës. “Ne e hedhim poshtë ndarjen e Kosovës. E kemi njohur pavarësinë e Kosovës si të tërë dhe kemi insistuar që të vazhdojë të mbetet e tillë, ndërsa Qeveria e Kosovës ra dakord që të respektohen të drejtat e komunitetit serb”, tha Frid në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Duke shprehur keqardhje për ngjarjet e fundit të dhunshme në Mitrovicë ai tha se dhuna në qytetin verior të Kosovës është nxitur nga Beogradi, gjë e cila është tejet e papërgjegjshme. "Paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe forcat NATO-s u sulmuan me granata dhe armë automatike nga radikalët serbë. Por ne nuk do të lejojmë ndarjen e Kosovës. Ky nuk është vetëm mendimi i Shteteve të Bashkuara, por edhe i partnerëve tanë evropianë", tha ndihmës sekretari i shtetit. Ai shtoi se edhe Rusia e ka hedhur formalisht poshtë mundësinë e ndarjes së shtetit të ri. “Serbia duhet të shohë përpara drejt të ardhmes evropiane”-përfundoi Frid. Deklarata e tij erdhi në një ditë me reagimin e autoriteteve të Prishtinës lidhur me planin që Beogradi i dorëzoi UNMIK-ut për bashkë-qeverisjen në enklavat serbe. Autoritetet kosovare deklaruan dje se nuk do të pranojnë asnjë propozim të Serbisë për bashkëqeverisje në territorin e Kosovës.  Qeveria e Serbisë i ofroi një plan administratës ndërkombëtare për të bashkë qeverisur enklavat serbe në Kosovë, mbi parimet e rezolutës 1244 të KS-it. Plani iu dorëzua zëvendësshefit të UNMIK-ut, Lari Rosin, nga ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samargjiç të dielën e kaluar. Në bazë të këtij plani, Qeveria e Serbisë, kërkon nga UNMIK-u që të bashkë qeverisë në fushën e sigurisë, atë të drejtësisë dhe në kontrollimin e kufirit. Zyrtarë të UNMIK-ut e pranuan dorëzimin e një plani të tillë, por thonë se çdo propozim shqyrtohet në zyrën ligjore të OKB-së dhe instruksionet për ndonjë ndryshim mund të bëhen vetëm nga kjo zyrë. Për autoritetet në Prishtinë, çdo propozim i Serbisë për të qeverisur në Kosovë qoftë edhe nëpërmes mekanizmave ndërkombëtar është i papranueshëm. Zyrtarë të qeverisë, thonë se me Kosovën mund të qeverisë vetëm qeveria e saj, në marrëveshje me komunitetin  ndërkombëtar. Analistët politikë  nga ana e tyre thonë se në Kosovë tashmë ekziston një realitet i ri, ndërsa, çdo marrëveshje tjetër që nuk pranohet nga qeveria e Kosovës cilësohet e dështuar.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›