E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: Refuzova miliona për Bundesligën

Nuk e ka harruar Frankfurtin, qytetin e madh gjerman me një aeroport madhështor dhe bursën më të madhe në kontinent. Por edhe Ajntrahtin, skuadrën qytetëse me të cilën pati vitet më të çmendura në karrierë...

Nuk e ka harruar Frankfurtin, qytetin e madh gjerman me një aeroport madhështor dhe bursën më të madhe në kontinent. Por edhe Ajntrahtin, skuadrën qytetëse me të cilën pati “vitet më të çmendura në karrierë”. Ervin Skela u kthye si humbës në stadiumin që e adhuroi si mbret deri katër vjet më parë dhe në një intervistë për gazetën gjermane “Di Velt” (Bota) pranoi se nostalgjia është e madhe dhe se po të kishte mundësi të ndreqte të kaluarën, nuk do të ishte larguar kurrë nga Ajntrahti. Tashmë lufton për të qëndruar në kategorinë e parë me Kotbusin, ndërsa Frankfurti synon majat evropiane. Ç’të bësh. E tillë ishte më 2004 dëshira e shqiptarit për të  vazhduar të luante në Bundesligë ... -Z.Skela, si e festuat fitoren ndaj Bajernit? “Nuk bëra aq shumë festë. Shkova në shtëpi shpejt pas ndeshjes. Pas ndeshjeve mendon më shumë që ke fituar 3 pikë sesa që ke mundur Bajernin e Mynihut. Sidoqoftë, në ditët e ardhshme ne e kuptuam se kishim bërë një gjë të madhe dhe Gjermania u habit me ne. Më vjen mirë që mundëm Bajernin që morëm 3 pikë sepse nuk kishim fituar në fazën e dytë dhe në fushën tonë kishim humbur 3 herë”. -U mendua se ndeshja ndaj Bajernit do të vlente vetëm për të shkëmbyer fanellat. “Pasi e pësuam 0-3 në Volfsburg pritej që ne humbisnim thellë ndaj Bajernit. Shpresoj që kjo të na ndihmojë për ndeshjen e ardhshme dhe ne të luajmë me shumë pasion”. -Këtë mund ta tregoni sonte (mbrëmë) në Frankfurt ku ju fituat 3-1 herën e fundit që luajtët kundër Kotbusit (mbrëmë Frankfurti fitoi 2-1). “Me kënaqësi do të luaja në krahun tjetër. Unë e lashë Ajntrahtin 4 vjet më parë pas 3 sezoneve më të çmendur të karrierës sime. Atë kohë e kujtoj gjithnjë me kënaqësi. Frankfurti sot është në pozicion krejtësisht të ndryshëm në krahasim me atëherë”. -A e ndiqni më tej Ajntrahtin? “E kam pasur gjithnjë pranë syve. Shpesh hyj në faqen e internetit dhe kam komunikim me Amanatidisin, Mengerin dhe Leontin”. -A jeni penduar që ikët nga Ajntrahti? “Po, jam penduar. Është e qartë, nëse do të kisha qëndruar do të isha në pozicion shumë më të mirë sot. Nëse njeriu do ta dinte më parë se ç’do të ndodhë, do t’i bënte gjërat ndryshe”. -Ju nuk ratë dakord me menaxherin Bruhagen për anën financiare ... “Jo, nuk ishte kjo arsyeja. Unë doja Bundesligën ndaj pranova të shkoja në Bilefeld ku do fitoja më pak në Bundesligë sesa me Ajntrahtin në kategorinë e dytë”. -Stacioni tjetër i juaji ishte Kaizerslauterni. Kur ata ranë ju kishit mundësi të shkonit sërish tek Frankfurti. “Po, bisedova me Bruhagenin dhe ia bëra të qartë se doja të kthehesha, por disa njerëz vendosën të kundërtën, për fat të keq”. -E keni fjalën për trajnerin Fridhelm Funkel? “Po, njerëzit që vendosën nga ana sportive. Menaxheri i përgjithshëm Bruhagen, me të cilin qëndrova në kontakt, më tha se nuk mund të bëhej asgjë për kthimin tim”. -Pas ndalesës së ndërmjetme në Askolin italian, që nga 2007-ta luani me Kotbusin. Si iu del llogaria? “Pasi sëmundja më pengoi të luaja sa doja sezonin e kaluar, këtë sezon po luaj plotësisht që nga fillimi dhe kam një pozicion të rëndësishëm në skuadër”. -Në fund të sezonit ku do të jetë Energia dhe ku Ajntrahti? “Mundësia që ne të qëndrojmë në Bundesligë, për të cilën unë kam kontratë deri më 2009, është shumë e madhe. Ajntrahti i përket zonës së Kupës UEFA, por do të jetë tepër e vështirë që ta arrijë atë që këtë sezon”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›