Benites kërkon fitoren e parë ndaj Junajtid
Liverpuli duket larg dhe po ashtu është tashmë edhe Çelsi. “Do të jetë një luftë e vështirë deri në fund, - nxorri përfundimin Sër Aleks Fergusoni, pas fitores 2-0 ndaj Boltonit që e nxorri Mançester Junajtid 3 pikë mbi Arsenalin në tabelë. Por BBC me të drejtë thekson se “Junajtid është në pozicion të mirë, por a nuk ishte në një pozicion të tillë Arsenali pak javë më parë?”. Kur duhen edhe 8 javë deri në përfundim, skuadrat e kreut do të përplasen, për ta bërë më të qartë gjendjen e tabelës. Liverpuli shkon në “Old Traford” pa aureolën e dikurshme. Junajtid është përpara me bilanc dhe nuk ka humbur asnjë ndeshje të kampionatit me të kuqtë e Rafa Benitesit. Bilanci i spanjollit ndaj “djajve të kuq” është 6 humbje dhe vetëm një barazim. I vetmi gol i Liverpulit në këto ndeshje ishte një autogol i Xhon O’Shisë, kurse fitorja e vetme e Rafës ndaj Fergusonit është në Kupën e Anglisë më 2006, 1-0, me gol të Pitër Krauçit. Liverpuli ka shënuar vetëm 6 gola në 11 ndeshjet e fundit në “Old Traford”, kurrë më shumë se një gol. Megjithatë, tek Liverpuli ekziston një atmosferë e mirë. Alvaro Arbeloa thotë se i takon Junajtid të jetë i shqetësuar. “Shpresoj vetëm diçka, - tha Arbeloa, - që Torresi të shënojë më shumë gola jashtë fushe në kampionat sepse ka shënuar vetëm dy. Junajtid duhet të shqetësohet sepse do të ketë përballë një dyshe të tillë si Xherrard-Torres. Stivi dhe Fernando po luajnë shumë mirë dhe po merren vesh siç duhet me njëri-tjetrin”. Dyshja ka shënuar 46 gola këtë sezon, por edhe për Arbeloan është gjetur një punë e vështirë: të mbulojë shënuesin më të mirë të kampionatit, Kristiano Ronaldon. Ndërkaq, Benitesi gjen kohën të flasë edhe për shiritin e kapitenit të Anglisë që sipas tij duhet t’i takojë Stiven Xherrardit. “Ndikimi i tij në skuadër është shumë i madh, - tha trajneri, - mbani mend vetëm finalen e Kupës së Anglisë ndaj Uest Hemit sesa vendimtar ishte Stivi”. “Kush do të luajë me më shumë qendrueshmëri do ta fitojë titullin”. Ky është mendimi i Sër Aleksit. “Çelsi mbeti paksa prapa, por do të jetë çelësi i titullit sepse do na presë në fushën e tij edhe ne, edhe Arsenalin, - vazhdoi skocezi, - ne kemi një kryesim, nuk është i madh, por është sidoqoftë një kryesim”. Fergusoni ruajti disi skuadrën për ndeshjen e fundjavës, aq më shumë që do luhet edhe në Ligën e Kampionëve ndaj Romës. Rio Ferdinand e Rajan Gigs ishin pushim ndaj Boltonit (2-0 me dy gola të Ronaldo), ndërsa Uejn Runi ishte në stol. Ndihmësi i Fergit, Karlos Keiros, vlerësoi se periudha është shumë e ngarkuar me ndeshje, ndonëse shtoi se “ne kemi skuadër me shumë lojtarë”. Kristiano Ronaldo arriti në 33 gola në sezon, duke thyer rekordin e Xhorxh Bestit për numrin e golave në një sezon të një lojtari krahu. Besti kishte shënuar 32 në 1968. Keiros thotë: “Që në fillim të sezonit kishte diçka të veçantë tek Ronaldo, por nuk prisnim që të shënonte kaq shumë”. Ndërsa trajneri i Boltonit, Geri Megson, u shpreh pas ndeshjes se “Kristiano ishte gjeni, ndoshta lojtari më i mirë në botë në këto momente, ne u habitëm sesi ai arriti të luante aq mirë dhe të shënontë ata gola”.