E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, Kadilli: Asgjë s’e zhbën perversitetin e Ramës



Deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, akuzoi dje kreun e PS-së, Edi Rama, për imoralitet dhe njeri të dhunshëm ndaj grave të tij. Sipas tij, deklarimet e deputetëve socialistë dhe qetësia e zotit Rama nuk mund të zhbëjnë të gjitha të vërtetat e hidhura të Ramës si një person që ka ushtruar dhunë sistematike mbi gratë e tij. "Në përpjekje për t’i shpëtuar batakut të jetës së tij, batakut të gjëmave që u ka shkaktuar të afërmve dhe familjarëve të tij, zoti Rama ka kërkuar mbështetjen e deputetëve socialistë, por zëri i mekur i deputetëve të tij nuk mund të zhbëjë të vërtetën e deformimit moral dhe perversitetit të kryetarit të tyre", - deklaroi z. Fatbardh Kadilli.

Sipas PD-së, zhveshja e bashkëshortes në plazhet e botës, akuzat monstruoze që bën për atësinë e fëmijës së tij, rrahja dhe gjakosja në publik e bashkëshortes së tij, nxjerrja e nënës nga shtëpia e të tjera si këto për cilindo prej nesh bëjnë të qartë karakterin agresiv dhe mentalitetin arkaik e primitiv të zotit Rama.

PD, Boçi: Rama, njeriu që luan pabesisht

Deputeti i PD-së Luçiano Boçi, e quajti dje kryesocialistin Edi Rama si një njeri që luan pabesisht, në interes të klaneve të tij mafioze dhe kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Si i tillë, pohoi deputeti Boçi, ai nuk mund të jetë përfaqësuesi i së majtës progresiste. "Duke bërë herë rolin e ujkut dhe herë rolin e deles dhe duke lozur pabesisht me emocionet dhe vendimmarrjet e sovranit, ai nuk mund të jetë as përfaqësuesi i të majtës progresiste dhe as i qëllimeve të saj evropianizuese dhe as i përgjegjësive të saj historike", - theksoi z. Luçiano Boçi.

PD, Gjoni: Ndaj Ramës të veprojë Kodi Penal

Deputetja e PD-së, Adriana Gjoni, shprehu dje shqetësimin për dhunimin, që sipas saj, Edi Rama po u bën grave. Ajo pohoi dje se ndaj kryesocialistit Rama duhet të veprojë Kodi Penal, por ai fshihet pas petkut të imunitetit. Sipas saj, kjo mbrojtje është e paligjshme, ndërkohë që gratë janë përballur me dhunën e tij. "Për çdo qytetar të thjeshtë të këtij vendi për veprime të tilla dhune të përsëritur do të vepronte ashpër Kodi Penal dhe kodi i familjes. Përveç përbuzjes dhe dënimit, sipas kodit moral të shqiptarëve, ndërkohë petku i politikanit i ka krijuar kryetarit të opozitës, komoditetin për imunitet dhe mbrojtje të paligjshme për aktet e dhunës fizike", - u shpreh znj. Adriana Gjoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›