BE i jep 3.9 milionë euro Shqipërisë
Bashkimi Evropian i akordon mbi 3.9 milionë euro për bashkëpunimin e Shqipërisë me fqinjët dhe vendet e BE-së. Sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, për vitin financiar 2009, KE miratoi financimin prej më se 3.9 milionë euro për programet e bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë e Greqisë; Shqipërisë e Malit të Zi; Shqipërisë dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë, si dhe mes Shqipërisë e vendeve anëtare të BE-së. Programet e Bashkëpunimit Ndërkufitar mes Shqipërisë e Greqisë, Malit të Zi dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë synojnë të nxisin bashkëpunim mes njerëzve, komuniteteve dhe institucioneve të zonave kufitare, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e tyre, në përputhje me interesat e banorëve të vendeve përkatëse.