Shulz mesazh Metës: LSI në Qeveri, shenjë e mirë për shqiptarët
Grupi i Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Martin Shulz, përshëndet pjesëmarrjen e LSI-së në qeverinë e re. “Para së gjithash dua t’ju falënderoj përzemërsisht për pjesëmarrjen e suksesshme në Qeverinë shqiptare. Unë uroj nga zemra që ju të mund të përmbushni aspiratat politike të bashkëqytetarëve dhe bashkëqytetareve tuaj”, shprehet Shulz. Për europarlamentarin një bashkëqeverisje e tillë është një shenjë e mirë për të ardhmen e vendit. “Për ne të gjithë në Evropë, do të jetë një shenjë e mirë që Shqipëria të perfeksionojë bindshëm rrugën e saj drejt një të ardhme paqësore dhe që njerëzit të mund të shikojnë një Shqipëri me një të ardhme të qartë e të sigurt”, shprehet Shulz në përshëndetjen e tij. Europarlamentari shprehu mbështetje për këtë koalicion qeverisës. “Me shumë kënaqësi unë ju mbështes me të gjitha forcat e mia dhe me gëzim shpreh besimin për bashkëpunimin tuaj të mirë me Evropën dhe për Evropën”, u shpreh europarlamentari. Martin Shulz ka ndjekur nga afër zhvillimet politike në Shqipëri dhe kryesisht ato të partive të majta. Shulz ka shprehur qëndrimin e tij kritik për reformën zgjedhore, e cila sipas tij duhej të zhvillohej në një debat të gjerë me të gjithë aktorët politikë. Ai madje ka qenë protagonist në bashkimin e partive të majta në zgjedhje. Kreu i LSI-së pak kohë më parë është shprehur se Martin Shulz ka shprehur vullnetin për të negociuar me Edi Ramën që të bashkëpunojë me LSI-në. Sipas Metës, Rama e ka refuzuar ftesën duke i lënë këto dy parti të majta larg bashkëpunimit parazgjedhor.