Nishani: Së shpejti arrestime për “Xhindin”
Tiranë - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, iu përgjigj mediave edhe rreth hetimeve për zbardhjen e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi. Ai vlerësoi se hetimet po ecin në rrugën e duhur. “Hetimet mbi këtë ngjarje po ecin brenda parametrave të parashikuara”. Ministri Nishani shprehu besimin se hetimet do të sjellin së shpejti zbulimin e autorëve të ngjarjes dhe zbardhjen e saj. Çështja në fjalë po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të hetimit specialistët e saj më të mirë. Nishani iu përgjigj dje edhe interesimit të medias për analizën e operacionit lidhur me arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti disa ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën katër punonjës të Policisë së Shtetit. Deklaratat e ministrit të Brendshëm u bënë pas ceremonisë për dhënien e gradës së punonjësve të Patrullës së Përgjithshme të Shtetit, e organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Nishani tha se “çdo veprimtari ka analizën e saj për atë se cilat mund të jenë ato elemente që mund të përmirësojnë më tej punën e Policisë së Shtetit. Natyrisht, misioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti ishte i vështirë. Rënia në krye të detyrës e katër Dëshmorëve të Atdheut ka qenë moment shumë i dhimbshëm. Por, të mos harrojmë që Policia e Shtetit është dhe do të jetë gjithmonë në luftë kundër krimit dhe krimineleve. Në luftë ka shumë beteja dhe në betejë ka edhe të rënë”.
Durrës
Ndalohet për dokumente false familja nga Kosova
Një familje nga Kosova nuk është lejuar të udhëtojë drejt Italisë nëpërmjet Portit të Durrësit, pasi dokumentet që ata posedonin dyshohet të jenë false. Çifti nga Kosova, bashkë me fëmijët, u kthye mbrapsht mbrëmë teksa ata po tentonin të udhëtonin me traget nga Durrësi drejt Italisë. Sipas zyrtarëve të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kufirit dhe Migracionit, 40-vjeçari Bekim Zylfiu, nga komuna e Gjilanit Kosovë dhe bashkëshortja e tij, Silvana Zylfiu, 40 vjeçe, bashkë me dy fëmijët e tyre të moshës 15 dhe 9 vjeç, janë paraqitur dy ditë më parë në pikën e kalimit të kontrollit kufitar portual me 4 leje qëndrimi zvicerane.
5 Shtator 2009