Meta: Pse zgjodha Priftin e Vasilin si ministra nga LSI
ALFRED PEZA
Kreu i LSI-së, Ilir Meta tregon arsyet përse zgjodhi Dritan Priftin dhe Petrit Vasilin, dy përfaqësuesit e kësaj partie në qeverinë e Kryeministrit Berisha. Në një intervistë në emisionin “Ora e Debatit” në Ora News, zv.kryeministri i ri i qeverisë foli edhe për marrëdhëniet me Metën dhe kontaktet e para me Berishën, për formimin e qeverisë së re. Ka qenë ngërç mes jush dhe Berishës fakti që ju kur keni qenë kryeministër e keni arrestuar Berishën?
Së pari kryeministri nuk merret me këto gjëra. Së dyti marrëdhëniet e mia me Berishën kanë qenë të forta sepse në atë periudhë, ai ndaj institucioneve kishte qëndrime agresive, por ajo që mund të them është se me Berishën ja vlen të luftosh sepse është një kundërshtar që ka disa vlera që nuk i kanë të tjerët. Njeriu ka dëshirë të ketë kundërshtarë seriozë dhe të fortë, por mesa duket edhe ia vlen të bashkëpunosh, sepse ka disa elementë të një serioziteti dhe përqendrimi që unë deri tani nuk e kam parë te ndonjë politikan tjetër me të cilin kam bashkëpunuar. Elementi i seriozitetit është shumë i rëndësishëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për të marrë vendime të rëndësishme sikurse ishte rasti i këtij koalicioni qeverisës.
Si u arrit kjo marrëveshje, sa herë jeni takuar, ku jeni takuar? A kishte ndërmjetës?
Nuk ka pasur nevojë për ndërmjetës sepse komunikimi ka qenë i drejtpërdrejtë. Së dyti nuk ka pasur shumë takime sepse nuk ka qenë e nevojshme. Ne kemi paraqitur propozimet tona për prioritetet tona dhe shumë prej tyre që janë të përfshira. Çështja e referendumit për kushtetutën ishte diçka për të cilën PD nuk angazhohej, sepse është shprehur në parlament me qëndrimin e saj bashkë me PS, në bazë të marrëveshjes së kërkuar nga Rama. Ne nuk mund të vinim kushte sepse do të ishte jologjike të pengohej një marrëveshje që palët kanë qëndrime të ndryshme. Disa politika tona sociale gjetën mirëkuptim të plotë dhe një sukses të veçantë do të quaja pranimin nga zoti Berisha, për të përfshirë në këtë marrëveshje politike edhe miratimin e projektligjit për moshën e tretë, që LSI kishte përgatitur prej kohësh dhe u rrëzua nga parlamenti i mëparshëm. Nuk kemi pasur nevojë të takohemi dendur sepse ka pasur një mirëkuptim edhe për sa i takon raporteve të dy forcave politike.
Çfarë ndryshimi ka mes Berishës dhe Ramës në arritjen e marrëveshjeve?
Nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin në drejtim të seriozitetit. Zhgënjimet e mia me Ramën kanë qenë shumë të hershme. Në zgjedhjet lokale u përpoqëm t’i japim një mundësi zotit Rama, ai ishte i interesuar që të rizgjidhej kryetar bashkie. E gjithë forca e tij fillon dhe mbaron te Bashkia e Tiranës. Në atë kohë bëmë një marrëveshje afatgjatë që kishte të bënte edhe me reformën elektorale, me zgjedhjet e përgjithshme. E vërteta është që sapo ai u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës ku e mbështetëm shumë, madje shtymë edhe zgjedhjet një muaj, ai që nga ai moment as nuk e thirri më tryezën e koalicionit dhe si rezultat i kësaj e majta humbi të gjitha qarqet, përveç Beratit sepse nuk u rakordua me të zgjedhurit lokalë për të fituar shumicën në këshilla. Ai ishte gati të jepte çdo gjë për LSI-në, vetëm që të fitonte Bashkinë e Tiranës. Madje ramë dakord që nënkryetari i bashkisë të jetë i LSI, ramë edhe dakord për emrin konkret, sepse ende nuk e mendonte që fitorja ishte e sigurt. I duhej patjetër mbështetja e LSI. Në kryesinë e LSI kishte shumë kundërshtime për ta përkrahur Ramën sepse një pjesë e tyre kishin eksperienca të hidhura nga e kaluara me të dhe unë për t’i motivuar u thashë ta përkrahim sepse do kemi edhe nënkryetarin e bashkisë. Pasi fitoi zgjedhjet, ne nisëm bisedimet dhe tha se nënkryetarin e bashkisë e kam të vështirë që ta bëj sepse do më thonë ata të mitë që ti i bën edhe politikë, na merr edhe ne politikë se u kam thënë atyre që unë i kam teknik. I thashë tani e kuptove këtë gjë, sepse unë u kam garantuar LSI dhe nuk dal serioz me këtë. Por megjithatë, tha, mund të merrni nënkryetar këshilli në Bashkinë e Tiranës, kur dihej që pa LSI nuk bëhej shumica. E njëjta gjë kish ndodhur dhe në Vlorë.
Pesë prej anëtarëve të kryesisë suaj kanë dalë kundër marrëveshjes me Berishën...
Dua të shpreh një dhimbje të thellë për atë pozicion që ata kanë zgjedhur, që nuk mendoj se është aspak serioz për secilin prej tyre. Se kuptoj çfarë i ka bashkuar. Unë kam qenë me pushime në Mal të Zi, kur më kanë thënë që kanë dalë në konferencë për shtyp madje të shtunën. Rrezik asnjë nga ata s’kanë dalë 4-5 vjet në LSI në konferencë të shtunën. Nuk kuptoj pse kanë zgjedhur këtë rrugë, kur nga ata të pesë tre prej tyre s’kanë qenë fare në konventën kombëtare ku morën pjesë 800 delegatë ku u diskutua dhe u vendos. Si shpjegohet kur kanë pasur këtë shqetësim seç po i ndodh të majtës nuk vijnë aty të thonë fjalën e tyre tre prej tyre, por dalin në një konferencë. Është e drejtë e tyre. Katër prej tyre nuk e kanë vënë fare emrin në listën e LSI në zgjedhje dhe ndërkohë flasin në emër të kontributit të tyre. Ajo që më habit është se si ata e kanë më të lehtë të dalin në TV, të dalin të shtunën, të dalin me nxitim, të dalin me lajmërimet e PS, kur mund të dilnin te LSI. Ata si ka penguar njeri të dilnin te selia e LSI në rast se kjo bëhej për qëllime të mira që LSI të mos bënte një gabim si ky që bëra unë, duke firmosur me zotin Berisha! nuk e kuptoj çfarë i pengonte ata të kërkonin një mbledhje kryesie. Ne lojëra me stabilitetin e vendit nuk mund të bëjmë dhe kjo nuk është një çështje karrigesh. Ndoshta koha po tregon se koha ka ardhur për karrige dhe ato marrëveshjet për t’u bërë deputetë pa vota. Por ne nuk hymë në qeveri për karrige.
Përse zgjodhët zotin Prifti dhe zotin Vasili për ministra?
LSI ka shumë kapacitete për ministra në shumë fusha. Duke qenë se për shkak të marrëveshjes dhe raportit elektoral, mundësitë ishin të kufizuara. Unë jam i bindur që këto janë dy kandidaturat më të përshtatshme dhe më të merituara brenda LSI sepse kanë mbajtur një peshë shumë të madhe që nga krijimi i LSI dhe në vijimësi. Kanë qenë në qendër të përpjekjeve për t’u korruptuar nga kryetari i bashkisë, për t’u kompromentuar sikurse dhe të tjerë nuk i kanë rezistuar tundimit. Janë dy figura që kanë eksperiencë përveç energjive dhe kanë informim profesional jashtëzakonisht të përshtatshëm.