E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa që duhet dorëzuar në Hipotekë për banesat e privatizuara



Laureta Rryçi

Tiranë - Regjistrimi i fitimit apo i kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme, të njohura ose të fituara me aktit administrativ, bëhet nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Përveç përjashtimeve të përcaktuara me ligj, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme bëjnë veprime nё regjistrin e një pasurie të paluajtshme vetëm kur ato rrjedhin nga tituj pronësie të disponuesit/tjetërsuesit ose tё pronarit të fundit të saj, të regjistruar më parë në regjistër. Çdo veprim në regjistër që ka si efekt ndryshimin e gjendjes juridike të një pasurie të paluajtshme bëhet kur akti ose vendimi gjyqësor që e konstaton atë është regjistruar më parë në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm procedurat që ndjekin qytetarët që përfitojnë banesë nëpërmjet privatizimit. Banesat ku janë bërë dhe do të bëhen privatizime kanë qenë vite më parë objekte shtetërore. Tashmë qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të përfundojnë procedurat dhe të kthehen në pronarë të këtyre banesave me të drejta të plota. Historia e tyre 10-vjeçare duket se do të marrë fund, deri në përfundim të regjistrimit përfundimtar të pronës së tyre.

Procedura
Pas përzgjedhjes nga instancat përkatëse qytetarët që përfitojnë nga privatizimi duhet të drejtohen menjëherë në zyrat e hipotekave. Fillimisht në këto raste duhet të plotësohet kërkesa që vijon më poshtë. Në të duhet të deklarohen të dhëna të detajuara. Duhet të disponohet dokumentacioni i saktë mbi procedurën e privatizimit dhe të dhëna për banesën. Më pas, specialisti i hipotekës, nëse pasuria, sipas vendimit, figuron pronë shtetërore ose në emër të një institucioni a enti publik procedohet duke verifikuar nëse ka qenë palë në gjykim pikërisht ai institucion a ent publik që ka pasur të drejtën e pronësisë mbi pasurinë. Për verifikimin e elementeve të formës së prerë dhe të përmbajtjes të akteve administrative, punonjësit e ZRPP-së që përpunojnë kërkesat individuale për regjistrim, plotësojnë formularin e verifikimit. Në këtë formular verifikimi pasqyrohen në çdo rast përfundimet e punonjësit të ZRPP-së për secilin nga rastet e verifikimit. Në fund të formularit punonjësi i ZRPP-së plotëson me shkrim propozimin për pranimin ose jo të kërkesës për regjistrim, e nënshkruan dhe ia kalon titullarit të ZRPP-së. Më pas është kryeregjistruesi që do të thotë fjalën e fundit.
Pezullimet
Jo në të gjitha rastet hipotekat mund të bëjnë regjistrimet e banesave, për të cilat qytetarët pretendojnë se e kanë marrë privatizimin. Sipas ligjit, nuk pranohen për regjistrim kërkesa kur në aktet administrative afatet ligjore për ankimin, administrativ dhe gjyqësor, nuk kanë përfunduar. Po i njëjta procedurat ndiqet edhe për rastet kur në aktet administrative ekzistojnë regjistrime të pronësisë për pasurinë e paluajtshme në
favor të personave të tjerë, fizikë ose juridikë.

Rregullat e reja për vlerësimin e truallit dhe objekteve

Për të përfshirë në procesin e privatizimit pronat, të cilat i kanë kaluar në pronësi pushtetit vendor, nevojitet miratimi përkatës i këshillit bashkiak të komunës ose qarkut, ndërsa për pronat që janë në administrim të këtyre institucioneve nevojitet vetëm miratimi i kryetarit të bashkisë/komunës apo qarkut përkatës. Vlerësimi i pasurisë shtetërore në zbatim të këtij vendimi bëhet për çdo element të pasurisë nga komisioni i vlerësimit, duke përcaktuar vlerën reale të tregut në zbatim të legjislacionit në fuqi duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut. Komisioni i Vlerësimit për pasuritë e paluajtshme do të ngrihet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Ky komision do të ketë jo më pak se tre anëtarë, do të drejtohet nga kryetari i degës së shoqërive publike në prefekturën përkatëse ku ndodhet objekti dhe në përbërje të tij do të jenë përfaqësuesi i ndërmarrjes apo i institucionit, në administrim të të cilit ndodhet objekti, si dhe grupi i ekspertëve vlerësues.

Dokumentet që u duhen pronarëve për të privatizuar objektin

Pronarët e objektit, në rast se vendosin për të blerë truallin e ndërmarrjes së privatizuar më parë duhet të paraqesin në dy kopje, në Ministrinë e Financave në Drejtorinë e Shitjes së Pronave Publike, kërkesën me shkrim për blerje të truallit;
vërtetimin hipotekor, certifikatën e pronësisë, të noterizuar, kartelën e pasurisë për objektin, të lëshuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe hartën treguese të pasurive të paluajtshme në zonën përkatëse, nëse është e përditësuar jo më pak se 15 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. Blerësi duhet të paraqesë gjithashtu fotokopjen e noterizuar të kontratës së shitjes së objektit apo ndërmarrjes, lëshuar nga ish-AKP-ja, ish-AQRNB-ja, Ministria e Financave, si dhe fotokopje të noterizuar të gen-planit apo planimetrisë së objektit në çastin e privatizimit. Në dosjen e blerësit duhet të paraqitet dhe deklarata noteriale origjinale, në dy kopje, që vërteton se nuk ka proces gjyqësor për objektin dhe truallin përkatës.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›