Berisha: Kam gati qeverinë e re, emrat pasi të dekretohem
ROBERT RAKIPLLARI
Kryeministri Sali Berisha deklaron se ka gati përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, por do ta shpallë pasi të sekretohet zyrtarisht nga Presidenti i Republikës. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama”, kreu i qeverisë konfirmoi se kishte vendosur për emrat e kabinetit të ri, duke pasur parasysh fondin e grupit parlamentar të PD. Vetëm pak ditë më parë, Berisha deklaroi se qeveria e re do të ishte gati para mbledhjes së Parlamentit, por duket se Kryeministri ka ndërruar mendje gjatë konsultimeve për krijimin e kabinetit. Por, megjithë deklaratën e tij, mbetet ende enigmë përfaqësimi në qeveri i figurave kryesore në PD si Basha, Olldashi, Ruli apo Pollo.
Z.Kryeministër, si po shkojnë negociatat për qeverinë e re?
Pas një procesi të gjerë konsultimi, kam gati listën e plotë të ministrave të qeverisë së re. Kam kënaqësinë të deklaroj se kabineti i ri do të jetë i suksesshëm, duke pasur parasysh fondin e shkëlqyer parlamentar që kam në dispozicion.
Atëherë, cilat janë emrat z. Kryeministër, kjo është ajo që publiku pret?
Emrat, megjithëse gjithçka është e mbyllur tashmë, nuk mund t’i deklaroj në këtë moment. Sipas Kushtetutës, Presidenti Topi duhet të më dekretojë njëherë si Kryeministër dhe pastaj unë të deklaroj zyrtarisht përbërjen e qeverisë së re.
Pra, ju nuk mund ta shpallni qeverinë para 7 shtatorit siç deklaruat?
Nuk mund ta shpall, pasi Kushtetuta kërkon që të mblidhet Parlamenti, të verifikohet mandati i deputetëve dhe maxhoranca në Kuvend dhe pastaj unë si Kryeministër i dekretuar nga Presidenti i Republikës të shpall emrat e qeverisë së re.
Z.Berisha, ju keni pasur një takim me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, a do të jetë ai ministër në qeverinë e re?
Partia Republikane do të përfaqësohet me ministri në këtë kabinet, sa për emrin atë nuk e vendos unë, por PR.
Por, kryesia e PR vendosi që të përfaqësohet në Qeveri me z.Mediu?
Atëherë ashtu do të jetë, nuk e caktoj unë kryetarin e Partisë Republikane.
Qeveria, kryesia e PR:Mediu ministër Mjedisi
Përveç ndarjes së posteve brenda zyrtarëve të lartë të PD-së, një tjetër dilemë e kryeministrit Berisha është përfaqësimi i Partisë Republikane në kabinetin e ri. Kreu i qeverisë ka vendosur që kësaj force, e cila doli e dyta nga koalicioni i djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit, t’i japë Ministrinë e Mjedisit, por është kundër drejtimit të këtij dikasteri nga kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu. Kryerepublikani është takuar dje për më shumë se 45 minuta me Kryeministrin Berisha, i cili i ka kërkuar ish-ministrit të Mbrojtjes të shikohet mundësia që kjo forcë të ketë një përfaqësues tjetër në qeveri. Burimet bëjnë të ditur se kryeministri Berisha ka justifikuar qëndrimin e tij me procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar në Gjykatën e Lartë për tragjedinë e Gërdecit. Por kreu i republikanëve është shprehur i vendosur në qëndrimin e tij për të qenë vetë ai që do ta drejtojë këtë ministri. Gjatë mbrëmjes së djeshme Mediu ka marrë edhe OK e kryesisë së PR-së, që të jetë ai ministër në kabinetin qeveritar. Për sa i përket përcaktimit të ministrave në kabinetin e ri, Kryeministri Berisha nuk ka zgjidhur ende dilemën për sa i përket Lulzim Bashës, Sokol Olldashit, Genc Rulit dhe Genc Pollos.