E Diel, 1 Nëntor 2026

BE i jep Shqipërisë 3.9 milionë euro për bashkëpunimin

Lajmi është bërë i ditur nga zyra e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, për  vitin financiar 2009, KE miratoi financimin prej më se 3.9 milion euro për programet e bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë e Greqisë; Shqipërisë e Malit të Zi; Shqipërisë dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë, si dhe mes Shqipërisë e vendeve anëtare të BE-së.

Programet e Bashkëpunimit Ndërkufitar mes Shqipërisë e Greqisë, Malit të Zi dhe Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë synojnë të nxisin bashkëpunim mes njerëzve, komuniteteve dhe institucioneve të zonave kufitare, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm dhe mirëqenien e tyre, në përputhje me interesat e banorëve të vendeve përkatëse.  Shqipëria do të përfitojë 1.6 milion euro nga ndihma financiare e BE-së për programin me Greqinë dhe nga 0.85 milion euro për secilin nga dy të tjerët, me Malin e Zi e Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë.

KE miratoi një ndihmë financiare prej më se 600.000 euro për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programin Evropian Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Territorial "Evropa Juglindore" dhe për herë të parë në programin "Mesdheu".  Të dy programet synojnë të mbështesin pjesëmarrjen e partnerëve nga vendet kandidate dhe potencialisht kandidate në aktivitete bashkëpunimi ndërkombëtar, së bashku me partnerë nga vendet anëtare të BE-së.

Gjithashtu, ato synojnë t'i njohin vendet kandidate dhe potencialisht kandidate me programe të bashkëpunimit territorial në kuadër të Fondeve Strukturore të BE-së nga të cilat këto vende do të përfitojnë pas integrimit. Programet "Evropa Juglindore" dhe "Mesdheu" përqëndrohen kryesisht tek risitë, mjedisi dhe aktivitete me një dimension të qartë ndërkombëtar që përmirësojnë shërbimet e transportit dhe telekomunikimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›