BE i ofron marrëveshjen Beogradit
Pritet që BE-ja të zhbllokojë situatën disa-mujore lidhur me një marrëveshje para-anëtarësie me Beogradin në përpjekje për t'i dhënë një shtytje forcave pro-perëndimore në zgjedhjet parlamenare të muajit të ardhshëm në Serbi.Gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Luksemburg, Holanda dhe Belgjika pritet të tërheqin kundështimet e tyre për nënshkrimin e marrëveshjes, por këmbëngulin se ajo duhet të hyjë në fuqi vetëm pasi Serbia të dorëzojë të gjithë kriminelët e akuzuar të luftës.
Ka pasur presion të madh ndaj holandezëve dhe belgëve për të rënë dakort për të nënshkruar marrëveshjen me Serbinë nga vende të tjera në BE që mendojnë se kjo mund të ndalojë kthimin e nacionalistëve në pushtet në Beograd.
Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit ofron perspektivën e anëtarësisë eventuale në BE si dhe lidhje më të ngushta tregëtare e politike.
Diplomatët holandezë thonë se tani ata janë të gatshëm të ndërmarrin një hap simbolik drejt Serbisë, por se ky vend nuk duhet të gëzojë përfitimet e marrëveshjes deri sa të dorëzojë kriminelët e akuzuar të luftës si Ratko Mlladiç në Hagë.
Ka më shumë pasiguri megjithatë lidhur me një marrëveshje të vonuar me Rusinë.
Korrespodentja e BBC-së për çështjet evropiane thotë një pakt i ri partneriteti me Rusinë kundërshtohet nga Lituania, që dëshiron angazhime më të forta ruse për sigurinë e energjisë, hetimin e krimeve dhe zgjidhjen e konflikteve në ish-republikat sovjetike të Gjeorgjisë dhe Moldavisë.