E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja: “Njohja e Kosovës, individualisht nga secili shtet anëtar”

Është zhvilluar dje në Bruksel mbledhja e shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së. Në këtë mbledhje është miratuar një tekst sipas të cilit anëtarët e secilit vend, në pajtueshmëri me praktikat nacionale, mund të vendosin për marrëdhëniet e tyre me Kosovën duke e pranuar si një shtet të pavarur. Spanja nuk ka rënë dakord me përmbajtjen e këtij teksti dhe ka vazhduar të mbajë qëndrimin e mëparshëm. Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe Qiproja. Ministri i Jashtëm spanjoll, Migel Angel Morantinos, para takimit është shprehur se këshilli i jashtëm i ministrave do të vendosë në bashkëpunim me praktikën e ligjit ndërkombëtar për marrëdhëniet që do të krijohen me Kosovën. Pas këtij takimi, gjatë një konference për shtyp, edhe ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, vendi i të cilit kryeson Bashkimin Europian ka bërë të ditur se duke parë qëndrimet e kundërta të 27 vendeve anëtare, njohja e pavarësisë së Kosovës do të bëhet individualisht nga shtetet anëtare. Në këtë konferencë u theksua se për çështjen e Kosovës gjithmonë është hasur kundërshtimi i Rusisë, megjithatë nuk mendohet se do të ketë probleme mes BE-së dhe Rusisë në të ardhmen. Ndërkohë ka filluar gjatë ditës së djeshme njohja e shtetit të ri të Kosovës nga vende të ndryshme. Britania, nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Dejvid Miliband, ka pohuar se ky vend do të jetë i pari nga vendet anëtare të BE-së që do të njohë pavarësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm italian, Masimo D’Alema, ka deklaruar se Roma do ta njohë pavarësinë e Kosovës në formën e një sovraniteti të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët. Njohja e pavarësisë së Kosovës do të bëhet edhe nga Franca. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm i këtij vendi, Bernard Kushner, në përfundim të takimit të djeshëm të vendeve anëtare të BE-së. Konfirmim pozitiv për njohjen e pavarësisë ka ardhur edhe nga Gjermania nëpërmjet ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Shtajnmajer, i cili e ka konsideruar njohjen e Kosovës si një veprim të paevitueshëm pas bisedimeve pa rezultat. Reagime pozitive për njohjen e pavarësisë së Kosovës kanë ardhur edhe nga Turqia, Kroacia, Polonia, Australia, Austria dhe Afganistani. Ndërkohë, qeveria japoneze ka deklaruar se synon ta pranojë pavarësinë e Kosovës pasi të bindet se ai si shtet i plotëson kushtet. “Dëshirojmë të shohim se a i plotëson Kosova kushtet që ta pranojmë si shtet, por gjithsesi do të lëvizim nga njohja”, - tha zëdhënësi i qeverisë, Nobutaka Makimuara.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›