E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të, shteti i parë që njeh zyrtarisht Kosovën e pavarur

Presidenti amerikan, Xhorxh Bush: “Kosovarët tashmë janë të pavarur”. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, uron popullin e Kosovës për këtë rast historik
SHBA-të janë të parat që njohën zyrtarisht Kosovën shtet të pavarur. Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur dje se njeh zyrtarisht shtetin e ri të Kosovës dhe ka përshëndetur veprimin e autoriteteve kosovare. Deklarata ka ardhur nga sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, e cila uroi popullin e Kosovës për këtë rast historik. Në deklaratën e saj, Rajs tha: “Presidenti Bush i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së paraqitur nga Kosova për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve”. Në këtë deklaratë është nënvizuar se 9 vjet më parë komuniteti ndërkombëtar i drejtuar nga NATO mori masa për të ndaluar sulmet brutale mbi popullsinë shqiptare të Kosovës. Pas këtij veprimi, Kosova u vendos nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara duke i hequr kështu Serbisë çdo të drejtë për të udhëhequr Kosovën. Më pas Kosova ndërtoi institucionet e saj demokratike dhe vitin e kaluar i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, shpalosi planin e tij për një Kosovë të pavarur nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush ka deklaruar nga Afrika se “kosovarët tashmë janë të pavarur”. Ai ka theksuar se gjithmonë e ka mbështetur Kosovën dhe pavarësinë e saj.
Klinton-Obama
Pavarësia e Kosovës është përshëndetur edhe nga kandidatët demokratë për president, Hilari Klinton dhe Barak Obama. Senatorja Klinton ka ftuar për njohje sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Obama ka shfaqur shpresën se qeveria dhe populli i i Kosovës do të bëjnë çdo gjë të mundur që Kosova të bëhet shembull pozitiv i demokracisë dhe i sundimit të ligjit. Në deklaratën e saj, Klinton ka përshëndetur shpalljen e pavarësisë të cilën e quajti “historike”. “I inkurajoj miqtë dhe aleatët tanë në të gjithë botën që së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian të njohin pavarësinë e Kosovës menjëherë”, - është shprehur Klinton. Ajo ka shtuar se ky është një hap që do t’i japë mundësi popullit të Kosovës që më në fund të jetojë në shtetin e vet demokratik dhe do t’i lejojë Kosovën dhe Serbinë që më në fund të lënë pas një kapitull të vështirë të historisë së tyre dhe të ecin përpara. Ka ardhur koha, - tha ajo, - që të përqendrohemi tek e ardhmja dhe te sfidat e ndërtimit të një Kosove të pavarur dhe të mbështesim një Serbi demokratike në një Europë të integruar. Ndërsa senatori Barak Obama, në deklaratën e tij, vë theksin te fakti që rasti i Kosovës është unik dhe nuk përbën precedent. “Shpresoj që qeveria e Kosovës dhe populli i saj të veprojnë me urgjencë në mënyrë që Kosova të bëhet një shembull pozitiv qeverisjeje demokratike dhe të shtetit ligjor”, - është shprehur ai.
SHBA-Kosovë shkëmbejnë letrat kredenciale
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe drejtuesit më të rinj të shtetit të Kosovës kanë shkëmbyer ditën e djeshme, gjatë pasdites, letrat kredenciale. Zyrtarisht, përfaqësuesja e SHBA-ve në Prishtinë i dorëzoi letrat kredenciale për njohjen e Kosovës si shtet kryeministrit Hashim Thaçi dhe Presidentit Fatmir Sejdiu. Tashmë Kosova dhe SHBA-të kanë vendosur që ditën e djeshme t’i drejtohen njëra-tjetrës si shtete. SHBA-të njohën të parat Kosovën si shtet i ri dhe vendosën që të parët të japin letrat kredenciale. Përfaqësuesja e SHBA-ve në Prishtinë tashmë do të ketë fuqinë e një ambasadori. Sipas agjencive të huaja të lajmeve, javën e ardhshme Shtetet e Bashkuara pritet të emërojnë një ambasador të ri në Prishtinë. Kosova tashmë duhet të shkëmbejë edhe me 191 vende letrat kredenciale me anë të të cilave njohin njëri-tjetrin si shtete në hartën botërore.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›