BE-ja diskuton raportet me Ukrainën dhe Bjellorusinë
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në ditën e dytë të takimit joformal në veri të Polonisë, diskutuan për marrëdhëniet me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, u tha gazetarëve se BE-ja është e shqetësuar për arrestimin e ish-kryeministres ukrainase, Yulia Tymoshenko, aktualisht lidere e opozitës.
"Jo çuditërisht, ne jemi duke e përcjellur rastin e Yulia Tymosheknos me shqetësim të madh. Këtë ia kemi bërë të qartë Ukrainës. Duam të vazhdojmë të negociojmë me Ukraninën mbi të gjitha marrëveshjet në të cilat insistojmë. Jemi gjithashtu të vetëdijshëm për situatën politike atje", u shpreh ajo.
Duke folur për Bjellorusinë, ajo tha se politika e jashtme evropiane po merr parasysh dhe regjimin e presidentit Alyaksandr Lukashenka dhe trajtimin që ai po u bën disidentëve.
Të 27 ministrat evropian, të udhëhequr nga Ashton, janë duke zhvilluar takimin e tyre në Sopot të Polonisë. Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të Islandës, Turqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, që të gjitha shtete që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.