Dokumentet e HRW, lidhja mes Gadafit dhe Perëndimit
Dokumentet e zbuluara në Libi thuhet se tregojnë se sa i ngushtë ka qënë bashkëpunimi mes agjencive perëndimore të zbulimit dhe qeverisë Gadafi, veçanërisht me të dyshuarit për terrorizëm.
Aktivistët e organizatës Human Rights Watch i zbuluan dokumentet, ndërsa vizituan një zyrë të braktisur në Tripoli. Zyra mesa duket përdorej nga ish shefi i spiunazhit libian dhe aleati i ngushtë i Gadafit, Musa Kusa. Dokumentat janë korrespondenca që nga viti 2002 me shërbimet e zbulimit libian dhe Agjencisë Amerikane të Zbulimit dhe atë të Britanisë MI-6.
Dokumentat përfshijnë ndarjen e informatave, listat e terroristëve të dyshuar për t`u marrë në pyetje dhe një fjalim të shkruar nga CIA për Muamar Gadafin, ku ai bën thirrje për një zonë pa armë të shkatërrimit në masë në Lindjen e Mesme.