E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirush Kabashi rikthehet me “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”



Pas dramës “Fishkëllimë në errësirë”, edhe monodrama “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” rikthehet këtë javë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Pjesa e dramaturgut francez me origjinë çifute, Erik Emanuel Shmit, që vjen me interpretimin e aktorit Mirush Kabashi, u dha fillimisht premierë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit për të udhëtuar më pas, gjatë dhjetorit të kaluar, drejt kryeqytetit. Sa i takon monodramës, ajo konsiderohet si një roman i vogël që është realizuar me sukses edhe si shfaqje teatrore në skena të ndryshme në Europë e më gjerë. Mjafton të përmendim këtu faktin se vetëm në Gjermani, shfaqja është dhënë në më shumë se 20 teatro të ndryshme. Gjithashtu, mund të përmendim Amerikën, Japoninë e Turqinë, Belgjikën, Spanjën, Argjentinën, Bullgarinë, Zvicrën, Poloninë etj. Arsyet që e kanë bindur aktorin Mirush Kabashi për të marrë përsipër këtë rol të ri, siç tregon ai vetë, kanë qenë se duhet të bënte diçka ndryshe nga “Sokrati” dhe, e dyta, janë mesazhet njerëzore tepër të nevojshme për psikologjinë shqiptare që i drejtohen realitetit pikërisht nga kjo shfaqje, e cila në Francë është kthyer edhe në film artistik. Sot pritet që në një konferencë për shtyp, aktori i njohur të flasë para mediave mbi suksesin që ka korrur me monodramën tjetër të tij “Apologjia e vërtetë e Sokratit” pas shfaqjes së saj në teatrin e kryeqytetit të fqinjve tanë grekë, në Athinë.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›