E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opera “Orfeo dhe Euridiçe” mbyll siparin

Sot, në Akademinë e Arteve, koncert simfonik nga Sokol Saraçi, Vaso Ristov dhe Evis Rudi

Petrika GROSI
Nën drejtimin e prof. as. Alqi Lepuri dhe nën drejtimin artistik të prof. dr. Sokol Shupo, filloi më 20 dhjetor të vitit të kaluar, me koncerte të ndryshme, ku interpretonin artistë shqiptarë e të huaj, “Stina koncertore e dimrit” në Akademinë e Arteve në Tiranë. Tashmë kjo stinë po shkon drejt mbylljes, ndërsa sot në mbrëmje pritet të jepet një tjetër koncert simfonik ku do të interpretojnë në trombë Sokol Saraçi e Vaso Ristov; Evis Rudi në flaut, ndërsa do të dirigjojë prof. as. Petrika Afezolli. Programi përmban pjesë nga Vivaldi (koncert për piano dhe orkestër). Siç tregon dekani i Fakultetit të Muzikës në Akademinë e Arteve të Bukura, prof. Sokol Shupo, aktiviteti i fundit që do të mbyllë stinën e dimrit duke u shfaqur në datat 1-2 shkurt është opera “Orfeo dhe Euridiçe”, e cila do të realizohet nga grupi i studentëve të Akademisë së Arteve, me regji të regjisorit të mirënjohur të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Nikolin Gurakuqi, me dirigjim të Dritan Lumshit dhe me dirigjim kori nga zëvendësministrja aktuale e Kulturës, mjeshtrja Suzana Turku. Artistët e rinj, që do të interpretojnë në këtë opera, janë Klodiana Laze, Ardita Meni, Ardita Milla, Ermalda Bodo, Aplikelda Qirko, Ledi Ibrahimi, Sindi Mamaqi, Ada Gurra, Ilsid Çullhaj dhe Holta Alliu. Kori përbëhet nga Evis Mula, Marjeta Billo, Arjola Bregu, Elona Sefa, Najada Lushnja, Adela Hajredini, Blerta Zani, Fatjona Hasanbashaj, Anxhela Hote, Matilda Koçibelli, Dorina Toçi, Eliona Liçi, Besa Memaj, Klodian Kaçani, Elson Braha, Eduard Kondakçi, Erti Hizmo, Aranit Hoxha, Klajdi Xama, Avni Miraka, Gerti Zajmi, Alban Koçka, Adhurim Grezda, Arian Ulaj, Julian Gjojdeshi dhe Mimoza Hasani. Pianistë shoqërues në studio janë Enina Lazi e Besmir Veshi. Pavarësisht vëmendjes së munguar mediatike, e cila mesa duket për arsye të ndryshme ka qenë spontane e sporadike, apo thuajse nuk është dëgjuar për këto aktivitete, “Stina koncertore e dimrit” mund të cilësohet si një muaj që ka qenë i mbushur me aktivitete të artistëve të rinj dhe atyre më të afirmuar, një buqetë me veprimtari e koncerte të ndryshme për të cilën sigurisht që një metropol si i yni ka nevojë. Në njërën anë kemi publikun e kryeqytetit të etur për aktivitete kulturore, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë mbi skenë duke u ballafaquar me spektatorin artistët e rinj, talentet që vazhdojnë apo kanë mbaruar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura. Sipas dekanit Sokol Shupo, kjo “stinë” që mbyllet në ditët e para të shkurtit ka qenë mëse e suksesshme në plotësimin e objektivave të saj, duke pasuruar kalendarin e aktiviteteve artistike dhe kulturore përgjatë një muaji.

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›