“Ngrin” krijimi i FSK-së, Krasniqi: “Shkak, politizimi i çështjes
Blerina Olldashi
Dorëheqja e tre eprorëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shkaktuar reagimet dhe pakënaqësinë e autoriteteve më të larta kosovare, të cilët shprehën shqetësimin lidhur me situatën. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, u shpreh se zhvillimet negative vijnë si pasojë e procesit joprofesional të kalimit të ish-pjesëtarëve të TMK-së në FSK si dhe politizimit të kësaj çështjeje. “Natyrisht ne jemi të shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe do të dëshironim që të gjitha përgatitjet dhe procesi për anëtarësimin dhe formësimin e FSK-së të mos politizohen, sepse nuk është në interesin tonë. Kërkesa jonë do të jetë që përgatitjet për anëtarësimin e kuadrove në FSK të bëhen mbi baza profesionale pasi jam i mendimit se ka pasur devijime dhe joprofesionalizëm në përzgjedhje”, - është shprehur Krasniqi. Për zhvillimet në FSK ka reaguar edhe kryeministri Hashim Thaçi. Sipas tij, FSK është një forcë që po ndërtohet sipas standardeve të NATO-s. Numri një i qeverisë bëri thirrje që procesi i ndërtimit të FSK-së të mos politizohet, ndërsa në mënyrë indirekte ai pranoi se ka pasur lëshime gjatë procesit të kalimit të ish-pjesëtarëve të TMK-së në FSK. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e NATO-s që të gjitha lëshimet që kanë ndodhur të përmirësohen dhe ndërkohë do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht me të gjithë. Dokumenti “Ahtisari” ka qenë i pranueshëm për të gjithë dhe nuk duhet lejuar që kjo çështje kaq e madhe për vendin të politizohet për përfitime të ngushta politike”, - theksoi kryeministri Thaçi. Shkak për reagimet u bë dorëheqja e parevokueshme e tre eprorëve të lartë të FSK-së: gjeneralbrigade Fadil Kodra dhe dy kolonelët Zenun Kodra dhe Raif Preteni. Ata kanë thënë se procesi jotransparent në përzgjedhjen e pjesëtarëve të TMK-së në FSK, ndërhyrja direkte e individëve të caktuar brenda bordit për rekrutim, lënia anash e shumë pjesëtarëve të TMK-së, i shtyn ata të japin dorëheqjen. Ndërkohë, ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, e ka konsideruar krijimin e FSK-së në Kosovë “një gabim të madh” të NATO-s dhe Serbia nuk do të pajtohet me këtë vendim. “Është e pakuptueshme që atë brigadë të përbërë prej 2500 vetash e drejton një gjenerallejtnant. Kjo tregon se prapa të gjithave ekzistojnë qëllime të fshehta. Megjithatë, KFOR-i është në Kosovë për të mbrojtur të gjithë qytetarët që jetojnë atje, edhe të popullsisë shqiptare edhe asaj joshqiptare”, - është shprehur Shutanovaç.
28 Janar 2009