E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja, entuziaste për bashkëpunim me qeverinë e re serbe

Kryediplomati i BE-së, Solana, bëri thirrje për vazhdimin e reformave

Qeveria e re serbe e përbërë nda demokratët e presidentit Boris Tadiç dhe socialistët e ish-diktatorit Sllobodan Milosheviç është përshëndetur nga Bashkimi Europian. Kryediplomati i BE-së, Havier Solana, shprehu padurimin e tij për të bashkëpunuar me kryeministrin Mirko Cvetkoviç dhe kolegët e tij. “Përshëndes krijimin e qeverisë së re në Beograd. Pres me padurim të punoj ngushtë me kryeministrin Mirko Cvetkoviç dhe kolegët e tij”, - tha dje përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme Havier Solana lidhur me krijimin e qeverise se re serbe. Kryediplomati i BE-së me këtë rast bëri thirrje për vazhdimin e reformave dhe përmbushjen e kushteve të nevojshme për afrimin e Serbisë me BE-në. “Bashkimi Europian pret nga qeveria e re të çojë përpara reformat dhe të përmbushë kushtet e nevojshme për ta afruar Serbinë me BE-në”,- shtoi ai. “I takon Serbisë tani ta bëjë realitet vizionin e të ardhmes së saj europiane. BE-ja do ta mbështesë plotësisht në përpjekjet e saj”,- këmbënguli Solana, duke siguruar se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit vendi e ka nisur mbarë për të “përparuar me shpejtësi” drejt BE-së. Serbia e nënshkroi në fund të prillit këtë marrëveshje, si hapi i parë drejt integrimit në Bashkimin Europian, por teksti mbetet pa efekt fillimisht pasi Beogradi duhet të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Parlamenti serb dha miratimin e tij për qeverinë e re që bashkon proeuropianët dhe socialistët e Sllobodan Millosheviçit, qëllimi prioritar i të cilëve është të përshpejtojnë afrimin me BE-në. Duke paraqitur qeverinë e tij për miratimin e Parlamentit, Cvetkoviç theksoi rëndësinë e pranimit të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian. Ai tha se një nga veprimet e tij të para do të jetë dërgimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit në Parlamentin e BE-së për miratim. Marrëveshja është një hap i rëndësishëm përpara drejt anëtarësimit të mundshëm të Serbisë në BE. Kryeministri i ri i Serbisë, po ashtu tha se qeveria e tij nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ai bëri gjithashtu thirrje për reforma ekonomike dhe luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

Prishtina i bën thirrje qeverisë së re serbe: “Ndryshoni qëndrim për Kosovën!”

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një deklarate bëri të ditur se Prishtina pret nga qeveria e re serbe në Beograd që të zhdukë paragjykimet lidhur me Kosovën. Sejdiu u shpreh se është në interes të vetë Serbisë që të heqë dorë nga qëndrimi i deritanishëm ndaj Kosovës dhe të shikojë drejt integrimit europian. “Në këtë mënyrë, do të respektohen parimet Europiane dhe procesi i integrimit duke çuar drejt qetësimit të marrëdhënieve në rajon, u shpreh presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi u shpreh lidhur me qeverinë e re të Serbisë, se fati i Kosovës nuk vendosej më nga ndryshimet e ekzekutivit në Beograd. “Kosova ka një vizion të qartë për politikën e saj të jashtme dhe ai është integrimi në NATO dhe Bashkimin Europian, u shpreh kryeministri Thaçi duke shtuar se vendi i tij ka ndërtuar marrëdhënie të forta me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe sigurisht që Prishtina do të dëshironte ta bënte këtë gjë edhe me Serbinë. Ka çështje që duhen diskutuar në interes të të dy popujve, çështje specifike që nuk kanë lidhje me statusin politik, deklaroi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.

Këshillit Koordinues i ligjit: “EULEX-i do të shtrihet në të gjithë Kosovën”

Misioni i EULEX-it në Kosovë synon të shtrijë funksionin e vet në tërë territorin e Kosovës. Kjo është thënë pas takimit të parë të Këshillit Koordinues për sundimin e ligjit në Kosovë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi se pjesa e veriut është një sfidë që po ndikon në rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës. “Aktualisht është duke u dëmtuar buxheti i Kosovës”,-tha bashkëdrejtuesi i këtij këshilli, Hajredin Kuçi. Sipas tij, shtrirja e funksionit të EULEX-it në veri të vendit është një çështje e domosdoshme dhe që nuk mund të bëhet brenda ditës. Ndërsa, kreu i EULEX-it, Iv de Kermabon, u shpreh se qëllimi i këtij misioni është të mbrojë të gjitha pjesët e Kosovës dhe minoritetet. “Janë disa vështirësi në disa fusha. Por, do të punojmë në mënyrë që hap pas hapi të zhvillojmë EULEX-in më tutje dhe ta shtrijmë në tërë territorin e Kosovës”,- tha Kermabon. Qëllimi i themelimit të këshillit është koordinimi i aktiviteteve ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë në fushën e drejtësisë, policisë dhe doganave.

Kosova synon lidhje biznesi me Britaninë

Hapja e Odës Ekonomike Britanike në Prishtinë do të ndikojë në identifikimin e mundësive të reja të zhvillimit ekonomik, duke e promovuar Kosovën si shtet të sigurt dhe tërheqës për investime të huaja. Kështu tha kryeministri Hashim Thaçi, me rastin e hapjes së këtij asociacioni ekonomik në Prishtinë. Ai vlerësoi se hapja e Odës Ekonomike britanike në Prishtinë pritet të ndikojë pozitivisht edhe në promovimin e Kosovës si shtet të sigurt dhe tërheqës për investime të huaja. Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike Britanik, Rej Pauer,u shpreh se edhe vendi i tij synon krijimin e lidhjeve ekonomike e tregtare me Kosovën. Po ashtu synon të promovojnë Britaninë e Madhe si një partner të çmuar për zhvillimin ekonomik të Kosovës, tha kryetari i këtij asociacioni, Rej Pauer. Ai tha se misioni i Odës britanike është që të promovojë aktivisht një lidhje ekonomike ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Republikës së Kosovës, për investime dhe lidhje tregtare afatgjate ndërmjet dy vendeve. Pauer u bëri thirrje afaristëve të të dyja vendeve që t’i bashkëngjiten Odës britanike.

Maqedoni, opozita kritikon qeverinë

Qeveria e re maqedonase që në fund të javës pritet të marrë besimin në parlament ka qenë në qendër të kritikave të Lidhjes Socialdemokrate e cila është pozicionuar në opozitë. Kryeministri Nikolla Gruevski është cilësuar si i pafytyrë nga deputeti Emilian Stankoviç i cili ka vënë në pikëpyetje funksionimin e qeverisë pas deklaratave që Gruevski ka bërë për BDI-në si një parti që merrej me terrorizëm. “Ranë në ujë të gjitha satanizimet që përjetonin politikanë të cilët bashkëpunonin me BDI-në, sepse DPMNE vazhdimisht e quante BDI-në terroriste”,- tha Stankoviç.
Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë cilësuar qeverinë si një reflektim të vullnetit të popullit. “Krijimi i kësaj qeverie është funksionim i demokracisë në praktikë, por ajo që për ne është me rëndësi tani është që kjo qeveri t’i përkushtohet plotësisht përmbushjes së reformave”, - u shpreh Ervan Fuere ambasadori i BE-së në Shkup. Sfida e përbërjes së re qeveritare do të jetë besimi i ndërsjellë mes dy partive më të mëdha në Maqedoni. Vëzhguesit thonë se dy partitë futen në një bashkëpunim duke mos e njohur mirë njëra-tjetrën.

Instituti IFIMES: “Serbia rrezikon sigurinë në Kosovë”

Veprimet e qeverisë serbe në formën e mbështetjes së institucioneve paralele dhe ilegale të pakicës serbe në Kosovë janë duke e minuar situatën e sigurisë në shtetin më të ri të botës, thuhet në një studim të publikuar nga The International Institute for Middle-East and Balkan Studies (IFIMES) me seli në Lubjanë të Sllovenisë. Analiza është përgatitur nga profesori amerikan Robert Donia, i cili ka folur për situatën në terren para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas profesorit Donia masat e ndërmarra nga qeveria serbe janë një rrezik i qartë për sigurinë Kosovës por edhe të rajonit të Ballkanit. Në analizën e quajtur “Finalja e padefinuar: Nga Kosova e sapopavarësuar”, - shkruhet se themelimi i kuvendit serb në Kosovë krijon një hendek ende më madh në krizën e veriut të Kosovës. “Sjellja e ministrive dhe banorëve serb në Kosovë është shkelje e standardeve ndërkombëtare, e cila nuk pritet nga një vend që aspiron të bëhet anëtare e BE-së”, - pohon Donia.

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›