E Shtunë, 31 Tetor 2026

Esat Pasha, aleancë me italianët kundër forcave austriake

“The New York Times” zbardh aleancën e re Itali-Shqipëri

LONDËR – Një mesazh i mbërritur nga Roma për “Paris Matin” thotë se Esat Pasha ka bërë një bashkim me forcat italiane në Shqipëri. Ky burim shton se ai është duke fortifikuar pozicionet në Vlorë dhe pikat e tjera më në jug të Shqipërisë. Besohet se ai do të jetë në gjendje që të ndalojë përparimin e forcave austro-hungareze. Një kopje e protokollit të nënshkruar të mërkurën midis Malit të Zi dhe Austrisë, siç u shpërnda informacioni zyrtar nga Zyrat Qendrore të Ushtrisë në Vjenë, nxori sheshit disa pika, por nuk zbuloi versionin e plotë të protokollit të përcjellë përmes rrjetit ndërlidhës nga Berlini. Malazezët u lejuan të mbajnë armët e tyre dhe duket se ata do të jenë xhandarët e kufirit shqiptar. Gjithashtu, agjentë të besuar që ndodhen në kufirin e Sanxhakut siguruan licencë nga qeveria malazeze. Oficerët e qeverisë malazeze janë lejuar të mbajnë armë në anën e tyre.
Është rënë dakord që operacionet ushtarake, të cilat austriakët janë duke i lejuar të vazhdojnë deri në arritjen e paqes, nuk do të realizohen në popullsinë malazeze dhe të gjithë burrat malazezë të veshur nën armë do të mbeten në shtëpi dhe do të zotohen që të mos bëjnë propagandë kundër Austrisë.
Megjithëse mund të ndodhin sërish trazira, komandantët austriakë kanë të drejtë të ndërhyjnë ushtarakisht për kontroll dhe qeveria e Malit të Zi, me iniciativën e saj, kërkoi asistencë ushtarake nga autoritetet austriake në rastet kur të jetë e nevojshme.
Administrata civile mbetet në duart e autoriteteve malazeze, por pala austriake ka të drejtë të kërkojë bashkëpunimin e tyre në çdo kohë. Përfaqësuesit malazezë ranë dakord të mbajnë të informuar autoritetet austriake, ku qeveria e Malit të Zi do t’u përgjigjet në çdo kohë.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 30 janar 1916

“The New York Times” rrëfen për luftën mes austriakëve dhe shqiptarëve

Tensionimi i situatës në vitin 1916 dhe aleanca e Esatit me italianët

BERLIN – (Nga ndërlidhja e Sayville)- Sot u mor këtu një informacion zyrtar i austro-hungarezëve, që përmbante zhvillimet në lidhje me operacionet në Shqipëri. Në afërsi të pazarit të Shijakut, rreth 6.4 milje në verilindje të Durrësit, austro-hungarezët kishin përparuar ndaj pozicionit italian. Më tutje, në jug, austro-hungarezët i janë afruar vijës së frontit të armikut, në juglindje të Durrësit. Shqiptarët, që po luftojnë në anën e austro-hungarezëve, kanë pushtuar Beratin, rreth 31 milje në veri të Vlorës dhe Lyusna Pekiny bëri për vete të burgosurit atje, të cilët janë më shumë për nga numri se 200 xhandarët e Esat Pashës.
Majori Moraht, korrespondenti ushtarak i “Berliner Tageblatt, është cituar nga Agjencia e Lajmeve të Përtejdetit (Overseas News Agency) rreth një debati për situatën ushtarake në Shqipëri. Ai deklaroi se nëse austro-hungarezët do të kapin majat e pashkelura të maleve, do të arrijnë shpejt të fitojnë, pasi do të bashkohen me Field Mareshal Conrad von Hoetzendorf, të cilin major Moraht e quan “austro-hungarezi von Moltke”.
Field Mareshal Conrad, thotë gazetari, fitoi eksperiencën e tij të parë në male në kohën e Luftës së vitit 1878 gjatë pushtimit të Bosnjës. Parimi i tij është që vështirësitë e terrenit nuk mund të kapërcehen falë numrit të madh të ushtrisë, por vetëm nga cilësia e ushtrisë në avancim.
Në fakt, lëvizjet e austro-hungarezëve përpara Durrësit janë aq të shpejta, sa mund të ndodhesh brenda pak kohësh i rrethuar. Përparimi bullgar është i rëndësishëm për gjendjen në Shqipëri, pasi është një fakt se pasqyrimi i situatës është jo i saktë, i cili i paraqet bullgarët aq të kënaqur pas suksesit maqedonas dhe jo të gatshëm që të bëjnë sakrifica të tepërta.
Majori Moraht, thotë agjencia “Overseas”, dyshon në informacionin e Athinës se Fieri, 60 milje larg Vlorës, tashmë ishte pushtuar nga bullgarët. Ai përllogarit me afërsi se në Shqipëri ka një numër forcash prej 40 mijë vetash, ku 5 mijë prej tyre janë nën komandën e Esat Pashës.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 21 shkurt 1916

Titujt janë redaksionalë
Përgatiti: Albert Gjoka

9 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›