E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja kërcënon me sanksione shtesë Iranin

Bashkimi Evropian kërcënoi me sanksione të reja Iranin, nëse ky vend nuk u kthehet bisedimeve ndërkombëtare.

Në konkluzionet e miratuara në një samit të BE-së, thuhet se këshilli i 27 shteteve anëtare “i kërkon Iranit të respektojë të gjitha detyrimet në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Liderët evropianë shfaqën gjithashtu shqetësimet e tyre rreth “mungesës së bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme,përfshirë ato që flasin për dimensionin ushtarak të programit bërthamor të vendit”.

Bisedimet ndërmjet Iranit dhe të ashtuquajturit E3+3 (Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara) u ndërprenë kur Teherani refuzoi të respektojë kërkesën ndërkombëtare për ngrirjen e programit të kundërshtuar bërthamor.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë zbatuar tashmë disa sanksione ndaj Iranit.

Perëndimi dyshon që Irani po ndërton një sistem të armëve bërthamore, gjë që hedhet poshtë nga Teherani zyrtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›