E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja, kritika maxhorancës për standardet zgjedhore dhe opozitës për bojkotin



Albert Gjoka

BRUKSEL – Zgjedhjet e 28 qershorit nuk i realizuan të gjitha angazhimet që Shqipëria ka si një vend anëtar i BE-së, si dhe potencialin që ka ky vend për të realizuar procese me standarde. Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i Presidencës suedeze në emër të Bashkimit Europian, e cila ka publikuar mbrëmë deklaratën zyrtare për zgjedhjet parlamentare vetëm dy ditë pas publikimit të raportit të misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it. Në qëndrimin e Brukselit nuk mungojnë as sugjerimet për partinë më të madhe opozitare në vend, për të zhvilluar “një dialog të përhershëm në Parlament, si një institucion kyç i demokracisë”. Por, edhe në këtë deklaratë theksohet fakti se “zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kërkesë e domosdoshme” për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE. Deklarata zyrtare vjen menjëherë pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, ku nuk munguan edhe kritikat për procesin zgjedhor që mbylli Shqipëria më 28 qershor.
Deklarata
“Bashkimi Europian mori në shqyrtim raportin përfundimtar të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor në Shqipëri dhe mirëpret vlerësimin se zgjedhjet arritën pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, megjithëse ato nuk arritën të realizojnë plotësisht potencialin e mundshëm të Shqipërisë për të kapur standardet më të larta për zgjedhjet demokratike”, - thuhet në deklaratën zyrtare të Presidencës suedeze, të shpërndarë në emër të Bashkimit Europian. Sipas saj, “Raporti (i OSBE/ODIHR-it, - shën. red.) thekson se zgjedhjet demonstruan përparim të dukshëm, në veçanti në lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit të tyre, kuadrin ligjor, votimin, numërimin dhe gjykimin e aplikimeve zgjedhore”. Qëndrimi zyrtar vijon më tej se raporti “vë në dukje, fatkeqësisht, politizimin e aspekteve teknike të procesit, si dhe dhunën e konstatuar gjatë fushatës zgjedhore”.
Kushtet
Brukseli zyrtar sërish ka përsëritur kushtin për zgjedhje të ndershme dhe të lira që duhet të bëjë një vend që kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian. Po ashtu, jepet një mesazh i qartë edhe për opozitën, e cila duhet të kthehet në institucionin më të rëndësishëm ku bëhet beteja opozitare. Po ashtu, jepet një mesazh i qartë që të përfshihen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për përmirësimin e kuadrit ligjor për proceset zgjedhore. “BE-ja thekson rëndësinë për të përmirësuar mangësitë që dolën nga zgjedhjet, pasi leksionet u dhanë dhe se rekomandimet e përfshira në raport duhet të ndiqen nga qeveria dhe të gjitha palët e interesuara”, - thotë deklarata zyrtare. Sipas saj, “BE-ja inkurajon të gjitha partitë politike në Shqipëri për të ndjekur një dialog konstruktiv politik, veçanërisht, duke mbajtur një dialog të përhershëm në Parlament, i cili është një element kyç i demokracisë”. Më tej, Presidenca suedeze thekson se “zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë e domosdoshme për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE”. “Bashkimi Europian është i angazhuar të vazhdojë në mbështetjen për Shqipërinë në këtë proces të rëndësishëm, duke e ndihmuar për të ecur përpara drejt integrimit europian”, - përfundon qëndrimi zyrtar i BE-së, rreth tre muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri. Ato janë konsideruar një test i rëndësishëm për fatet e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Këto zgjedhje morën rëndësi edhe për faktin se dy muaj para votimeve, qeveria “Berisha” paraqiti zyrtarisht kërkesën për statusin e vendit kandidat te Presidenca çeke.

Zëdhënësja e Solanës: “Qeveria dhe opozita të punojnë së bashku”

“Tani, pas zgjedhjeve, qeveria dhe opozita duhet të punojnë, secila palë në anën e vet, në mënyrë që ta çojnë vendin përpara dhe me afër Bashkimit Europian”. Kështu është shprehur Kristina Galak, zëdhënësja e shefit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE. Duke komentuar rezultatet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it, ajo u shpreh “se ky raport konfirmoi ato çka thamë, se këto zgjedhje ishin më të mira se ato të kaluarat, çka do të thotë se pati përmirësime, por, nga ana tjetër, për fat të keq, u konfirmua edhe diçka tjetër, për të cilën na vjen keq: fakti që pati politizim të çështjeve teknike të procesit”. “Të zgjedhurit në qeveri dhe ata që janë zgjedhur në opozitë duhet të sillen në mënyrë konstruktive dhe bojkoti nuk është mënyra më e mirë”, - deklaroi zonja Galak për një media shqiptare.

Gjermania bllokon futjen në axhendën e ministrave të BE-së aplikimin e Shqipërisë

Gjermania, një nga kritiket e ashpra të qeverisë “Berisha” për afatet e paraqitjes së kërkesës te Presidenca çeke për statusin e vendit anëtar të BE-së, nuk ka lejuar që të futet në axhendën e takimit dyditor të kryediplomatëve të Bashkimit Europian kërkesa e Shqipërisë. Duke iu referuar korrespondentes së Top Channel-it në Bruksel, Berlini zyrtar bllokoi shqyrtimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat nga Këshilli i radhës i Ministrave të Jashtëm, i cili përfundoi dje takimin e tij, me argumentin se “duhet pritur fillimisht progres-raporti i 15 tetorit”.
Të njëjtat burime shtojnë se realisht një qëndrim i tillë vjen dhe për hir të zgjedhjeve në Gjermani, për shkak të ndikimit negativ që përbën çështja e zgjerimit në proceset zgjedhore që organizohen në këtë vend në fund të këtij muaji. Në të njëjtën kohë, suedezët, të cilët mbajnë Presidencën e BE-së, deklaruan se aplikimi pritet të shqyrtohet në muajin që vjen.
Ministrja për Çështjet Europiane, Cecila Mallmstrom, tha: “Do ta fusim në axhendë sa më shpejt të jetë e mundur, besoj në tetor”. Por, pa caktuar ndonjë datë konkrete. Sipas programit të kësaj Presidence, është parashikuar 27-28 tetori i këtij viti për të paraqitur në tryezën e ministrave europianë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Një afat i tillë është deklaruar nga BE-ja edhe në muajin korrik. Ndërkaq, cilësia e zgjedhjeve të 28 qershorit janë konsideruar si një test, nga i cili do të varet fati i kërkesës së bërë nga kryeministri Berisha gjatë Presidencës çeke. Krerët më të lartë të Brukselit kanë qenë në pritje të vlerësimeve përfundimtare të raportit të OSBE/ODIHR-it. Ministrja suedeze i tha Top Channel-it se “ne duhet të studiojmë imtësisht raportin e të diskutojmë me vendet anëtare. Por, ne kemi për synim që ta përfshijmë në axhendë” aplikimin e bërë nga Tirana zyrtare. Por, ajo ka lënë të kuptohet se shqyrtimi i tij mund të bëhet edhe më vonë. “Ky ishte sinjali i qartë që Këshilli i Ministrave (të Bashkimit Europian, - shën. red.) dha në korrik e shpresoj të arrihet; nëse jo, shqyrtimi do të bëhet sa më shpejt”, - theksoi Mallmstrom.
Disa vende të Bashkimit Europian kanë nxjerrë argumente të ndryshme në lidhje me refuzimin e kërkesave të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar integrimin. Zgjedhjet në secilin prej këtyre vendeve, kriza ekonomike financiare apo edhe fati i Traktatit të Lisbonës, vazhdimisht janë paraqitur si pengesa, në disfavor të zgjerimit të BE-së me shtete të reja nga rajoni. Por, në rastin e Shqipërisë, kërkesat kanë qenë disi më të qarta; zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, gjyqësor i pavarur dhe përmirësim të kapaciteteve administrative. Duke u ndaluar te momenti i paraqitjes së kërkesës zyrtare për statusin e vendit kandidat për në BE nga ana e Shqipërisë, Gjermania, përmes ambasadorit të saj në Tiranë, doli hapur kundër kohës që ishte përzgjedhur nga Tirana zyrtare për të ndërmarrë një proces të tillë. Në të njëjtën linjë ishte edhe Britania e Madhe. I vetmi vend që mbështeti fuqimisht paraqitjen e aplikimit, ishte Çekia, që në atë periudhë kryesonte Presidencën e BE-së.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›