E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: “Kjo është qeveria që do të sjellë standardet më të larta të qeverisjes”



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në Kuvend vlerësoi bashkëpunimin me PD-së dhe e cilësoi këtë si qeverinë që do të sjellë standardet më të larta të qeverisjes në vend. Meta u ndal së pari në zgjedhjet e 28 qershorit, duke i cilësuar ato më të mirat që ka pasur vendi ndonjëherë. Ai e ftoi Partinë Socialiste që të heqë dorë nga bojkoti dhe të jetë pjesë e reformave në Kuvend. “Maxhoranca e sotme doli si rezultat i verdiktit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat morën vlerësimin më pozitiv nga ndërkombëtarët. Këto zgjedhje e vendosin Shqipërinë në pozita më të favorshme përsa i përket integrimit në BE. Vendi i atyre që kërkojnë zgjedhje më të mira i takon këtu në Parlament. Mbështes propozimin e Berishës që opozita të marrë rolin kryesor në reformën zgjedhore dhe ka shansin të korrigjojë gabimet e së kaluarës. Qeveria e integrimit është koalicion i së djathtës dhe së majtës, që gëzon përkrahjen e së djathtës dhe të majtës europiane. Kjo është qeveria që do të sjellë standardet më të larta të qeverisjes, kohezion dhe paqe sociale dhe shërbime më cilësore për shqiptarët. Është hera e parë në historinë e pluralizmit që ka një marrëveshje kaq transparente, që ka objektiva të përbashkëta të integrimit Europian, të lëvizjes së lirë, të punësimit dhe shërbimeve sociale”, - është shprehur Meta, i cili falënderoi kryeministrin Berisha që integroi në programin qeverisës pikat kryesore të programit të LSI-së. Më pas Meta e përqendroi fjalën e tij te diplomacia dhe marrëdhëniet me jashtë. Ai u shpreh se qeveria shqiptare do të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA-të, veçanërisht në fushën e sigurisë, dhe do të japë kontributin e saj me misionet paqeruajtëse aty ku ka nevojë NATO. Meta tha se qeveria do të thellojë bashkëpunimin me vendet anëtare të BE-së dhe do të synojë arritjen sa më parë të lëvizjes së lirë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Meta gjithashtu premtoi se Shqipëria do të synojë të ketë në vazhdimësi marrëdhënie të mira me shtet fqinje dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik me ta.

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›