Ministrat e Jashtëm, Kushner dhe Bakojanis, mesazhe urimi për Metën
Kryetari i LSI-së, tashmë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka marrë dje dy mesazhe urime nga homologët e tij, përkatësisht nga ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kushner dhe nga ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis. “Në këto momente që Ju përgatiteni për të kryer funksionet e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Punëve të Jashtme të vendit tuaj, më lejoni t’Ju përcjell përgëzimet e mia dhe t’Ju ofroj urimet më të thella për një sukses të plotë në përmbushjen e misionit Tuaj. Jam i lumtur që do të kem mundësinë të punoj me Ju në kuadrin e dialogut të zhvilluar mes vendeve tona dhe për forcimin e lidhjeve të miqësisë, tashmë të vjetra midis Francës dhe Shqipërisë. Kemi konstatuar qartë progresin e arritur prej Shqipërisë në rrugën e saj drejt afrimit me Europën dhe Ju inkurajoj të vazhdoni përpjekjet e bëra deri sot. Ju siguroj se Franca do të vazhdojë t’Ju ofrojë mbështetjen e saj të plotë”, - thuhet në mesazhin e ministrit të Jashtëm francez.
Ndërsa ministrja e Jashtme greke, në mesazhin e dërguar, ka shprehur bindjen se Meta do të jetë një kontribuues i madh në forcimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, por veçanërisht në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Kam bindjen se gjatë qëndrimit Tuaj në detyrë, marrëdhëniet e shkëlqyera midis vendeve tona do të pasurohen dhe zgjerohen në nivel dypalësh dhe ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, një përpjekje që Greqia ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Eksperienca Juaj e çmuar në skenën politike shqiptare do të kontribuojë, pa dyshim, për këtë qëllim. Në të njëjtën linjë do të doja të theksoja rolin pozitiv që ka luajtur minoriteti grek në marrëdhëniet tona dypalëshe, po gjithashtu dhe në kontekst të Shqipërisë si një vend demokratik europian”, - thekson Bakojanis.
17 Shtator 2009