E Diel, 1 Nëntor 2026

Peticioni për Brukselin: “Hiqini vizat edhe për Bosnjën dhe Shqipërinë”



Albert Gjoka

Pikërisht në ditët kur Parlamenti Europian po diskutonte propozimet e Komisionit për heqjen e vizave me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, një grup intelektualësh dhe politikanësh nga vendet e rajonit dhe të BE-së i kërkojnë Brukselit zyrtar që të përfshijë në këtë proces të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Lëvizja qytetare “Ballkangoeseurope” i ka dërguar një peticion Komisionit Europian me mbi 2000 firma, duke i kërkuar që të mos e ndajë Europën Juglindore, duke aplikuar standarde të dyfishta në marrëdhëniet e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Firmëtarët kërkojnë që të hiqen vizat edhe me Bosnjën dhe të tregohet më shumë fleksibiliteti në lidhje me kushtet e vëna për Shqipërinë. Po ashtu, peticioni i firmosur edhe nga personalitete dhe ish-zyrtarë të lartë të BE-së propozon që të përfshihet edhe Kosova në regjimin e liberalizimit të vizave.
Peticioni
Shqipëria e ka nënshkruar MSA-në dhe ka paraqitur kërkesën për statusin e vendit kandidat. Ndërsa Serbia ende nuk e ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në dhe nuk ka realizuar të gjitha kushtet e vëna nga BE-ja. Por, qytetarët serbë do të lëvizin lirshëm nëpër shtetet e Bashkimit Europian, ndërsa shqiptarët jo. Të njëjtin ndëshkim kanë mbi supe edhe boshnjakët. Ky ka qenë një ndër argumentet kryesore të lëvizjes europiane “Ballkangoeseurope”, që i ka nxitur për të paraqitur një peticion në adresë të Brukselit zyrtar, duke i kërkuar që të ndalojë ndarjen e Europës Juglindore dhe ndjekjen e standardeve të dyfishta në lidhje me procesin e lëvizjes së lirë. Më shumë se 2000 persona kanë nënshkruar peticionin, i cili i propozon Komisionit Europian të ndryshojë planin për liberalizimin e vizave me Ballkanin perëndimor. "Qasja aktuale e Komisionit Europian rrezikon të destabilizojë Europën Juglindore dhe mund të rrisë tensionet në shoqëritë e brishta të dala nga lufta", - thuhet në një deklaratë për shtyp, të publikuar të mërkurën nga ky grup personash që advokatojnë përfshirjen sa më të shpejtë, më të gjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor në regjimin e lirë të vizave të BE-së. Mes 2000 nënshkruesve të peticionit janë tre ish-përfaqësuesit e lartë të OKB-së në Bosnjë: Lordi Pedi Eshdaun, Volfgang Petritsh dhe Kristian Shvarc-Shilling; disa europarlamentarë, duke përfshirë edhe udhëheqësin e Grupit të Gjelbër, Daniel Cohn-Bendit dhe Rebeça Harms, kryetaren e Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Doris Pak dhe politikanë të partive politike, shumica e të cilave janë nga vendet anëtare të BE-së. Lista përfshin gjithashtu kryetarin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Louise Arbour, drejtorin e Fondacionit Europian të Kulturës, Gottfried Wagner dhe intelektualë apo personalitete të tjera në Europë. Në të njëjtën ditë peticioni i është shpërndarë edhe Parlamentit Europian, i cili diskutoi dje draftin që ka dërguar KE-ja për regjimin e vizave me tri prej 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Propozimet
Bashkë me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, duhet të përfshihet edhe Bosnja, si dhe të shihet mundësia që të përfitojë nga regjimi i lëvizjes së lirë me vendet anëtare të BE-së edhe Shqipëria. Po ashtu, kërkohet që të futet në këtë proces edhe Kosova. Dokumenti që është dërguar në Komisionin Europian dhe institucionet e tjera thekson se vetëm Maqedonia ka përmbushur në të vërtetë të gjitha kushtet teknike për përfshirjen në skemën e liberalizimit të vizave. Firmëtarët argumentojnë se gjendja e reformave në Serbi dhe Mal të Zi është thuajse në të njëjtin nivel me ato të Bosnjës. Ata argumentojnë se propozimi i KE-së për t’u dhënë këtyre vendeve statusin e lëvizjes së lirë është i motivuar nga arsye politike dhe jo teknike. Zyrtarët e BE-së i ofruan Serbisë pjesëmarrjen në regjimin e lirë të vizave vitin e kaluar, në një përpjekje për të rritur shanset e fitores së qeverisë në detyrë, e njohur si pro europiano-perëndimore përpara zgjedhjeve parlamentare. Për shkak të kësaj dhe mospërputhjeve të tjera të planit të propozuar nga KE-ja, kjo nismë i kërkon Bashkimit Europian që t’i ofrojë Bosnjës një mundësi për të marrë pjesë në regjimin pa viza, së bashku me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoni, me kusht që reformat e parealizuara të plotësohen. Gjithashtu, kjo kërkon hapjen e një dialogu për statusin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe të tregohet më shumë fleksibilitet në shqyrtimin e statusit të reformave në Shqipëri. Deklarata e shpërndarë nga ky grupin thotë se “ka një rrezik që Bashkimi Europian të formatizojë ndarjet etnike dhe minon vlerën e simboleve të identitetit të përbashkët të këtij shteti multietnik në Bosnjë Hercegovinë: "Njëzet vjet pas rënies së Murit të Berlinit është koha për të hequr pengesën e fundit për lëvizjen në Europë. "Grupi thotë se ai shpreson se dialogu për vizat" do të zhvillohet përfundimisht me një strategji të re dhe gjithëpërfshirëse të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Bashkimi Europian nuk mund të arrijë një stabilitet ekonomiko-social afatgjatë në Europë për aq kohë sa nuk mund të ndihmojë për të zgjidhur problemet e saj të brendshme dhe nuk do të integrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, - thotë deklarata e grupit nismëtar.
Thuajse të njëjtin propozim ka bërë edhe Nisma për Stabilitet Europian, e cila, përmes një letre, i kërkoi BE-së që të mbajë të hapur procesin e heqjes së vizave edhe për Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën. Sipas tyre, një gjë e tillë do të inkurajojë këto vende për plotësimin e të gjitha kushteve. Kreu i kësaj lëvizjeje, Gerald Knaus, shton më tej se Komisioni duhet të bëjë një rishikim të kushteve të vëna për shtetet e mbetura jashtë hartës së lëvizjes së lirë në mesin e vitit 2010.

Statusi, paradokset e lëvizjes së lirë të vizave

Grupi “Ballkangoeseurope” thotë se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina janë duke mbetur pas procesit të integrimit europian përmes aplikimit të standardeve të tilla, ndonëse këto vende janë më parë në rrugën e anëtarësimit në BE sesa Serbia apo Mali i Zi. Shqipëria ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në dhe pas ratifikimit nga 27 shtetet anëtare, ka hyrë në fuqi më 1 prill 2009. Po ashtu, në fundin e muajit prill paraqiti kërkesën te Presidenca çeke e BE-së, për të marrë statusin e vendit anëtar. Ndërsa Bosnja e ka firmosur MSA-në më 16 qershor 3008 dhe deri tani ajo është ratifikuar nga parlamentet e 13 shteteve anëtare të BE-së. Marrëveshja “Interim” ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2008, e cila kupton që gradualisht është krijuar tregu i përbashkët me Komunitetin Europian. Mali i Zi e ka firmosur MSA-në në tetor të vitit 2007 dhe e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit 2008, ndonëse nuk ka hyrë ende në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit mes Malit të Zi dhe BE-së. Marrëveshjet e Stabilizim-Asocimit me Maqedoninë dhe Kroacinë kanë hyrë në fuqi dhe të dyja janë shtete kandidate për t’u anëtarësuar në BE. Serbia nuk e ka firmosur ende MSA-në dhe nuk ka plotësuar të gjitha kushtet e vëna nga Këshilli i BE-së. Ligjërisht, Serbia është vendi i fundit që po merret me përgatitjet për procesin e Stabilizim-Asocimit.
Një panoramë e tillë në rrugën e gjatë të BE-së i ka bërë firmëtarët e peticionit të lëshojnë akuza për standarde të dyfishta, duke e konsideruar procesin e regjimit të vizave më shumë një proces politik, sesa teknik.

Sllovenia propozon heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën

Vetëm tri ditë më parë Sllovenia kërkoi që të liberalizohet lëvizja edhe me dy shtetet e tjera të Ballkanit, të mbetura jashtë regjimit të heqjes së vizave nga BE-ja. Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zhbogar, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të ndihmojnë Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë në procesin për realizimin e kushteve për heqjen e vizave, raportojnë mediat sllovene. Bashkimi Europian tashmë e ka miratuar vendimin për heqjen e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, dhe kjo, sipas ministrit Zhbogar, "ka nxitur reagim negativ në Bosnjë-Hercegovinë". Zyrtari slloven ka kërkuar që të ndihmohen Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria, që deri në raportet e tetorit të arrijnë përparim më të madh, në mënyrë që pas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, t‘i arrijnë kushtet për liberalizim të vizave. Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm i Italisë, Roberto Maroni, tha se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina kanë punë për të bërë derisa të përfitojnë liberalizim vizash me BE-në. Gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë në Slloveni, Maroni tha se nga vendet e rajonit, Maqedonia është në rrugë të mbarë, Serbia dhe Mali i Zi po bëjnë përparim, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja ende nuk kanë arritur standardet e kërkuara. Pas kësaj Maroni ka thënë se Italia është e gatshme të bashkëpunojë me Shqipërinë në mënyrë që pas fillimit të vitit 2010 të arrihen standardet e kërkuara për liberalizimin e vizave. Italia dhe Sllovenia, dy vendet anëtare të Bashkimit Europian, kanë lobuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit për të përshpejtuar integrimin e plotë të të gjitha vendeve të rajonit në BE dhe për të bërë të mundur lëvizjen e lirë të shtetasve të Ballkanit Perëndimor në shtetet e Bashkimit Europian

GJENDJA

SHTETET KUSHTET HEQJA E VIZAVE
Maqedonia realizoi të gjitha kushtet fillimi i vitit 2010
Serbia realizoi shumicën e kushteve fillimi i vitit 2010
Mali i Zi realizoi shumicën e kushteve fillimi i vitit 2010
Shqipëria realizoi një pjesë të kushteve ?
Bosnja realizoi një pjesë të kushteve ?
Kosova Jashtë skemës së regjimit ?

17 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›