Bregu përshëndet raportin e OSBE/ODIHR-it, fton opozitën të bashkëpunojë
Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, ka përshëndetur dje deklaratat e përfaqësuesve më të lartë europianë, të cilët, sipas saj, vlerësojnë zgjedhjet në Shqipëri. Sipas Bregut,
deklaratat e Presidencës suedeze dhe të komisionerit Rehn se vendi pas këtyre zgjedhjeve është në një pozitë më të mirë përsa i përket perspektivës europiane, janë konfirmim i përgjegjshmërisë me të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar dhe do të zbatojë të gjitha detyrimet që e afrojnë vendin më shumë me Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së saj Bregu jo vetëm ka përshëndetur raportin e OSBE/ODIHR-it, por i ka bërë thirrje opozitës që të heqë dorë nga bojkoti dhe të marrë pjesë në Kuvend si një detyrim politik që rrjedh nga raporti i ndërkombëtarëve. “Jam këtu për të përshëndetur deklaratën e djeshme të Presidencës së Bashkimit Europian, dhënë nga ministri i Jashtëm suedez Karl Bild dhe deklaratën e komisionerit europian për Zgjerimin, Olli Rehn, të cilët kanë vërtetuar edhe njëherë me deklaratën e tyre se Shqipëria e ka kaluar suksesshëm testin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Deklaratat e Presidencës suedeze dhe të komisionerit Rehn se vendi pas këtyre zgjedhjeve është në një pozitë më të mirë përsa i përket perspektivës europiane, janë konfirmim i përgjegjshmërisë me të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar dhe do të zbatojë të gjitha detyrimet që e afrojnë vendin më shumë me Bashkimin Europian. Pas raportit të publikuar nga misioni i OSBE/ODIHR-it, në të cilin theksohet se këto zgjedhje kanë shënuar progres krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe se nuk kishte prova për manipulim rezultati, apo për numërim të parregullt, vijnë dhe deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Europian, të cilët, gjithashtu konfirmojnë se Shqipëria është sot më afër BE-së”, - është shprehur Bregu e cila ftoi opozitën që të marrë pjesë në Kuvend. “Dua t’i bëj edhe një herë thirrje opozitës të mos e nëpërkëmbin me bojkote të pamoralshme procesin më të rëndësishëm, atë të Shqipërisë europiane. Ftoj opozitën e Ramës që t’i lexojë këto mesazhe vlerësuese për zgjedhjet e 28 qershorit me syrin dhe paanësinë e partnerëve të Shqipërisë në Europë. E ftoj opozitën e Ramës që të vijë në Parlament e të dëshmojë se plotësimi i detyrimeve për të qenë sa më shpejt në Bashkimin Europian, është detyrimi politik e qytetar i gjithkujt që ka kërkuar dhe ka marrë votën e shqiptarëve më 28 qershor për të realizuar sa më parë ëndrrën e përbashkët europiane”, - është shprehur zëdhënësja e qeverisë.
Topalli merr letra urimi nga homologu grek dhe ai italian
Kryetari i Parlamentit të Greqisë, Dimitrios Sioufas, përmes një letre dërguar kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, i bën urimet më të mira edhe në emër të Parlamentit të Greqisë për zgjedhjen e saj në një mandat të dytë në krye të Kuvendit. “Dua t’Ju shpreh urimet më të ngrohta për rizgjedhjen Tuaj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Jam i bindur se gjatë mandatit tuaj bashkëpunimi mes dy parlamenteve tona do të forcohet më tej, me qëllim promovimin e çështjeve me interes të përbashkët”, - shkruan në letrën e tij zoti Sioufas.
Kryetarja e Kuvendit ka marrë urime edhe nga kryetari i Parlamentit të Italisë, Gianfranco Fini. Në letrën dërguar Topallit, Fini e përgëzon për rizgjedhjen e saj në postin e kryetares së Kuvendit. “Jam i bindur që mund të vazhdojmë të rrisim marrëdhëniet tradicionale të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona, të konsoliduara prej kohësh, në perspektivën e realizimit të aspiratave shqiptare për integrim europian, tashmë që keni arritur me sukses objektivin e anëtarësimit të vendit Tuaj në NATO”, - shkruan Fini.
17 Shtator 2009