E Diel, 1 Nëntor 2026

Çndodh me dosjet që janë në pritje të përgjigjeve të dyta

Pjesa më e madhe e dosjeve që kanë dorëzuar ish-të përndjekurit ndodhet në fazën e dytë të procesit të shqyrtimit. Për këto dosje përgjigja e parë nga ministria e Drejtësisë ishte që dosja duhej plotësuar me të tjera dokumente. Për të gjithë këta persona nisi një punë e dytë duke shkuar sërish nëpër institucione shtetërore për të marrë dokumentet e nevojshme. Burime pranë ministrisë së Drejtësisë pohuan dje se vetëm pak ditë më parë ky dikaster ka nxjerrë një udhëzim të ri posaçërisht për këtë kategori që ende nuk iu ka kaluar dosja në shqyrtim në themel.
Udhëzimi
Ministria e Drejtësisë njofton të gjithë qytetarët që kanë aplikuar për të përfituar dëmshpërblim financiar bazuar në ligjin nr. 9831, datë 12/11/2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, se aplikantët të cilët marrin njoftime për plotësim dokumentesh apo plotësim formularësh të vetëdeklarimit në përgjigjen e tyre duhet të përcaktojnë numrin e dosjes dhe datën e regjistrimit të saj. Ky element është shumë i rëndësishëm sepse ndikon në përfshirjen e menjëhershme të dokumentacionit plotësues në dosjen përkatëse. Paraqitja e dokumentacionit plotësues pa numrin e dosjes e bën pothuajse të pamundur identifikimin e dosjes konkrete për shkak të numrit të madh të tyre që ndodhen për shqyrtim pranë Ministrisë së Drejtësisë. Aplikantët që nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Drejtësisë për shkak të adresës së gabuar apo shkaqe të tjera do të ndihmohen nga sektori i trajtimit të kërkesave të ish-të dënuarve politik, në Ministrinë e Drejtësisë.
Verifikimi
Pjesa më e madhe e dosjeve të ish-të përndjekurve janë ende në fazën e shqyrtimit. Ky verifikim është pjesë shumë e rëndësishme e procesit për shkak se detyron ministrin e Drejtësisë të marrë vendim mbi kërkesën për dëmshpërblim. Në rastin kur dokumentet rezultojnë të rregullta, atëherë nis shqyrtimi i dosjes për të përllogaritur masën e dëmshpërblimit. Në rast të kundërt, pra kur rezultojnë dokumente jo të rregullta, menjëherë aplikuesit i dërgohet përgjigje negative për kërkesën. Grupi i punës në Ministrinë e Drejtësisë ka vënë nëpër to shënime, të cilat ua kanë komunikuar edhe aplikuesve nëpërmjet postës. Më poshtë po shpjegojmë të plotë procedurën nëpër të cilën kalon dosja gjatë fazës së shqyrtimit.

Interesimi për dosjen përshpejton procesin e shqyrtimit

Interesimi mbi fazën ku ndodhet dosja ndikon edhe për përshpejtimin e procesit të dëmshpërblimit. Specialistët e Ministrisë së Drejtësisë shpjegojnë se janë çdo ditë për të pritur të përndjekurit që kanë paqartësi apo nuk kanë informacionin e duhur për plotësimin e formularëve të vetëdeklarimit. Ndërsa ata që janë ende në fazat fillestare duhet të dinë se paraqitja e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë kryhet brenda territorit të vendit, vetëm me anë të Postës Shqiptare, nëpërmjet dorëzimit nga kërkuesi të dokumentacionit dhe marrjes së lajmërimit nëpërmjet postës për lajmërim-marrjen nga Ministria. Çdo ish-i dënuar politik i regjimit komunist, familjar i viktimave të pushkatuara ose familjar brenda rrethit të caktuar në këtë ligj i të dënuarit politik, që jeton ose nuk jeton, dorëzon dokumentet në emër të të dënuarit politik, i deklaron punonjësit të postës qëllimin e dërgesës dhe pajiset prej tij me formularin ku shënohet numri i dokumenteve të dorëzuara, data dhe ora e pranimit të kësaj dërgese dhe numri i regjistrimit të saj.

Dosjet, pjesa më e madhe me mungesa dokumentacioni

Procesi i shqyrtimit të dosjeve për dëmshpërblim ka veçuar në një anë më shumë se gjysmën e dosjeve në total që janë regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë. Specialistët që po shqyrtojnë këto dosje, që në fazën e parë të verifikimit kanë konstatuar dokumentet që mungojnë, të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për të plotësuar dosjen, por kanë vlerë edhe për përllogaritjen e viteve të burgut dhe numrit të përfituesve që mund të jenë në një rast të vetëm. Si procedurë, specialisti që konstaton këtë mungesë dokumentesh vendos menjëherë shënim në dosje “Mangësi në dokumentacion” dhe rinis një procedurë tjetër të komunikimit nëpërmjet postës me aplikuesin. Këto dosje që kanë një shënim të tillë rezultojnë se u mungon një ose më shumë dokumente që janë përcaktuar në Nenin 20 të ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Në këtë nen janë përcaktuar të gjitha dokumentet që i duhen një aplikuesi për të përfituar dëmshpërblim. Nëse mungon qoftë edhe një prej dokumenteve, procedura e shqyrtimit të kërkesës pezullohet derisa dokumenti të përfshihet në dosje.

Zhvillimi i hetimit

Struktura përgjegjëse në ministri, brenda 35 ditëve, shqyrton në themel të gjitha kërkesat që, pas shqyrtimit paraprak, janë kualifikuar se plotësojnë kërkesat sipas ligjit për dëmshpërblim.

Brenda afatit të përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, struktura përgjegjëse në ministri verifikon dokumentacionin, sipas neneve 3 e 5 të këtij ligji, harton relacionin përkatës dhe i propozon ministrit pranimin e kërkesës, si të bazuar në ligj ose mospranimin e saj.

Kur propozohet pranimi i kërkesës, akti i propozimit, i nënshkruar nga punonjësi përgjegjës, përmban edhe periudhën e saktë, në ditë, muaj dhe vite të dënimit të kryer, si dhe masën në lekë të dëmshpërblimit, që do t'i jepet, sipas ligjit.

Ministri i Drejtësisë, në mbështetje të propozimit të strukturës përgjegjëse, urdhëron pranimin apo refuzimin e saj, kur kërkesa nuk mbështetet në ligj. Aktet nënligjore të ministrit të Drejtësisë shpallen edhe në faqen zyrtare të ministrisë.

Miratimi i kërkesës

Ministri i Drejtësisë, sipas dispozitave të këtij ligji, vendos miratimin apo refuzimin e kërkesës, që është i formës së prerë.

Brenda 10 ditëve, ministri i Drejtësisë paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave propozimet për përfitimin e dëmshpërblimit, sipas këtij ligji, të cilave u bashkëlidhen relacionet përkatëse.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›