E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-ja merr në konsideratë naftësjellësin Burgas-Vlorë

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (BSCE), janë mbledhur në Kiev ku kanë përpiluar një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim ekonomik. Shqipëria u përfaqësua nga ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ku të dyja organizatat identifikuan fushat me interes reciprok dhe angazhimin për një përqasje të përbashkët në zgjidhjen e sfidave e shfrytëzimin me efektivitet të mundësive të zhvillimit në zonën e bashkëpunimit të Detit të Zi. Një fond vjetor prej 1 miliard eurosh do të vihet në dispozicion të kornizës së bashkëpunimit dhe koordinimit të politikave të përbashkëta mes BE-së dhe BSEC-së për të financuar projekte të shumëllojshme në transportin rrugor dhe detar, energji, komunikacione, në fushën e tregtisë, kulturës etj., për periudhën kohore 2008-2012. Në këtë kuadër, vendi ynë ka përshëndetur identifikimin dhe përfshirjen në listën e projekteve të financueshme nga ky fond të naftësjellësit Burgas-Vlorë, si një projekt madhor energjetik për rajonin dhe vendet të cilat ai përshkon. Bashkëpunimi dypalësh dhe rajonal, shpallja e pritshme e pavarësisë së Kosovës, zhvillimet lidhur me këtë ngjarje si dhe perspektiva e zgjerimit të NATO-s në Europën Juglindore, kanë qenë temat kryesore të bisedimeve.

16 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›