Vladimir Prifti: “Xhevdet Ferri i ka bllokuar kineastët shqiptarë”
Petrika GROSI
Që prej vitit 2002, regjisori i njohur Vladimir Prifti nuk ka bërë asnjë film të ri. Teksa sjellim parasysh një sërë filmash të famshëm të tij, duke nisur që nga “Udha e shkronjave”, “Kush vdes më këmbë”, “Flutura në kabinën time”, “Dasma e Sakos” etj., pyesim regjisorin mbi arsyen e kësaj mungese 7-vjeçare...
Ai tregon për gazetën “Albania” se gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë dhe mbetet në proces krijimi të vazhdueshëm, madje ka tri projekte që janë mbështetur nga bordi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për financim, por që nuk janë mbështetur me fonde deri më sot. Pengesa kryesore, sipas kineastit të njohur mbetet kryetari i QKK-së, Xhevdet Ferri, i cili si aktor dramatik është i mirë, por i mungon aftësia për ta mirëdrejtuar dhe menaxhuar siç duhet këtë qendër. Veç të tjerash, duket sikur kemi dhe një përsëritje të situatës, ç’ka të sjell ndërmend bllokimin e projekteve të filmave shqiptarë para disa vitesh; koha kur ish-drejtorit të QKK-së, Petrit Ruka, i kishte mbaruar mandati i dytë, megjithatë, ai vazhdonte të qëndronte në këtë post i kontestuar nga kineastët si drejtor i jashtëligjshëm. Sipas Vladimir Priftit, drejtori Ferri duhet të largohet pas mbylljes së mandatit të tij dhe Ministria e Turzimit dhe Kulturës duhet të propozojë emrin e një personi tjetër, të aftë për të menaxhuar dhe drejtuar qendrën, duke zhvilluar politikat e saj ndaj filmit dhe kineastëve shqiptarë.
Pas shumë filmash deri në vitin 2002, çuditërisht ju ka munguar vijimi i krijimtarisë suaj filmike?
Në fakt, krijimtaria mund të zhvillohet në shumë drejtime. Jam një autor që në fund të fundit, ka mbetur në proces krijimi kinematografik të vazhdueshëm. Ky proces është i lidhur edhe me disa vepra të njohura, duke nisur që nga filmi im i parë “Udha e shkronjave” e deri te filmi i fundit me metrazh të gjatë “Dasma e Sakos”. Krijimtaria ime nuk ka ngecur për arsye se kam të aprovuara tri vepra nga bordi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Këto vepra janë një dokumentar që quhet “Dinastia Marubi”, një komedi e shkruar bukur nga Pëllumb Kulla “Një hap nga parajsa” dhe një film i shkurtër ku jam skenarist. Po çfarë ndodh ndërkohë? Fjala “çuditërisht”, që përdorët në pyetje më pëlqeu, për arsye sepse vërtetë ka disa marrëdhënie të çuditshme mes krijuesve të kinemasë dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Në rastin konkret, dokumentari im u aprovua nga bordi që në vitin 2006 dhe kur kjo ndodh, presupozohet se filmi do të realizohet. Madje, kemi qenë bashkë me të ndjerin Viktor Gjika, kur i kërkuam kryetarit të QKK-së, Xhevdet Ferrit, që t’i financonte me një buxhet më të madh këto dy filma. Ai na premtoi se do ta bënte por deri më sot asgjë nuk është realizuar.
Pse nuk është realizuar asnjë projekt që kishit?
Me ardhjen e Xhevdet Ferrit edhe koncepti mbi filmin dokumentar filloi të ndryshojë. Kemi të bëjmë me një aktor që nuk e sheh veten brenda filmit dokumentar dhe e ka trajtuar këtë gjini filmi si një gjë të tepërt e të pavlerë. Jemi në kohën kur të gjitha qendrat e Europës Lindore i japin një rëndësi të veçantë filmit dokumentar. Vërtet që edhe televizionet bëjnë shumë dokumentarë, por ato kanë një natyrë tjetër; priren më tepër ndaj konsumit dhe karaktersitikave të një reportazhi, duke mos u thelluar sa duhet në një dokumentar. Sa i takon dokumentarit, mund t’iu them se kam në mendje të bëj edhe një dokumentar për Skënderbeun apo një tjetër për gjuhën shqipe, dy aspekte madhore këto të një dokumentari, të cilat nuk mund realizohen siç duhet nga një televizion. Le të kalojmë te komedia që përmenda më parë. Projekti fitoi financimin në bordin e vitit 2007, por, çuditërisht ndodhi e njëjta hisotri... Qendra financon projekte nga më të ndryshmet dhe as komedinë, nuk e sheh si një zhanër për të cilin duhet investuar. Kemi këtë kryetar qendre që është aktor dramatik, i cili nëse financoi disa filma të tjerë në periudhën parapërgatitore, për këtë komedi nuk dha asnjë fond. Gjatë kësaj kohe, bisedova me kolegët e mi mbi këtë problem dhe më thanë që të gjej ndonjë rrugë tjetër për të siguruar buxhetin parapërgatitor. Ajo që nuk kuptoj, është pse duhet ta bëj këtë gjë, kur ligjin për kinematografinë e njoh mirë, duke qenë ndër themeluesit e tij. Arsyet e mosfinancimit për mua mbeten me pikëpyetje. Në një kohë kur nga QKK-ja janë financuar me rreth 550 mijë euro filmat e dy regjisorëve të huaj, është anormale që të mos mbështeten regjisorët shqiptarë. QKK mund ta financojë edhe një projekt të huaj, por kurrë nuk ndodh që qendra e një vendi të vogël të japë shuma të tilla për regjisorët e huaj. Së fundi, ligji thotë se kineastët e rinj duhet të financohen për veprën e parë. Po cila është vepra e parë? Një film me metrazh të shkurtër apo një film me metrazh pak më të gjatë, i quajtur “alternativ” nga Xhevdet Ferri, apo është filmi me metrazh të gjatë? Nëse do të marrim si shembull Francën, qendra e saj mund të japë financim për filmin e parë por nuk jep për të dytin, mund të japë me raste edhe për të dytin, por nuk jep kurrë për të tretin nëse nuk ke sukses. Qendra jonë, në këtë rast është treguar shumë liberale dhe këto financime të dhëna në forma të çuditshme e bëjnë atë të kontestueshme për kineastët.
A mendoni se fshihet ndonjë inat personal i drejtorit të QKK-së ndaj jush?
Problemi qëndron në konceptet e funksionomit të kësaj qendre. Një institucion si QKK-ja nuk është i lehtë për t’u drejtuar dhe duhet të gjendet dikush tjetër që di ta bëjë këtë punë më mirë.
Jam i bindur se mjaft kineastë të tjerë do të shprehen në një mendje me mua. Në radhë të parë, Qendra ka nevojë që të lëvizë ky kryetar, të cilit i ka mbaruar edhe mandati. Pastaj, Ministria e Kulturës mund të bëjë propozimin për një drejtor tjetër me aftësi më të mira menaxhuese. Në projektet e këtij viti ishte dhe një regjisor tjetër i njohur, Saimir Kumbaro, i cili gjithashtu fitoi në bord por nuk u financua. Vetëm një grup i vogël kineastësh po e kalon nëpër duar këtë buxhet. Kur e ndërtuam ligjin mbi kinematografinë nuk e patëm këtë dëshirë, aq më tepër që mundësitë janë të kufizuara dhe servisi i dikurshëm i Kinostudios nuk është më në gjendje funksionale. Xhevdet Ferrin e kam pasur në disa nga filmat e mi. Me atë si aktor nuk kam asgjë, madje, e kam pasur edhe në role kryesore në filmat e mi. Megjithatë, kur vjen fjala për Qendrën, drejtimi dhe menaxhimi i saj është tjetër punë.
Nëse Qendra e Kinematografisë e refuzon projektin e një kineasti, atëherë cilat janë mundësitë për ta realizuar filmin pa mbështetjen e saj?
Nuk më ka refuzuar Qendra por një person i vetëm që e drejton atë. Sot, një film do deri në katër apo pesë vjet që të financohet dhe kjo vonesë nuk më duket normale. Një regjisor është i detyruar të merret me filmin duke nisur që nga skenari e deri te proceset e tjera. Pavarësisht problemeve me qendrën, çdo ditë punoj me temat e mia, skenaret, hulumtimin e dokumentave, shtypin e ditës etj. Fatkeqësia qëndron në faktin se nuk mund të paraqes projekte të tjera nëse më del para një mur për projektet që kam paraqitur deri tani. Dëshirat artistike të krijuesit, në rastin tim e kanë kaluar pengesën e parë që është bordi.
Cili është gjykimi juaj mbi filmat që janë bërë vitet e fundit nga regjisorët shqiptarë?
Nga grupi i tretë i regjisorëve tanë, nuk mund të them se këta 3-4 regjisorë që kemi nuk punojnë, por ajo që më bën më tepër përshtypje në filmat e tyre është mungesa e emocioneve. Mesa duket, kjo mungesë është pjesë përbërëse në krijimtari edhe e marrëdhënies me aktorët, teknikën e zërit, fotografinë, kostumet etj. Them se Gjergj Xhuvani shfaqet më mirë në të gjitha këto drejtime. Nëse filmi nuk buron emocione nuk është i plotë.
A nuk duket se filmit shqiptar i mungon filozofia universale?
Në festivalin e dytë ndërkombëtar të filmit që u organizua në Durrës u përplasën disa filma nga Ballkani. Aty u shprehën shumë pikëpamje. Ndërmjet tyre, disa personalitete të kritikës që erdhën për herë të parë në Shqipëri thanë se tema dhe trajtimi i subjekteve nga kineastët shqiptarë janë pak të mbyllura. Por, universalizmi i temave nuk është një problem vetëm shqiptar. Në një vit prodhohen mbi 600 filma në të gjithë Europën dhe jo të gjithë e shikojnë dritën e ekranit. Ata filma që lançohen nëpër festivale dhe që rezultojnë të suksesshëm i prekin më mirë temat universale. Kinemaja shqiptare ende nuk ka arritur në faza të tilla, sa të lërë gjurmë në historinë e kinemasë europiane.
Së fundi, jeni kundër filmave me krijues të huaj?
Nuk jam kundra por kemi kineastë të cilët kanë punuar me dhjetra filma të suksesshëm në kushte të vështira. Pastaj, kur merr një staf të huaj, drejtorin e fotografisë, kostumografin etj., duhet të kesh parasysh se ata nuk e njohin siç duhet realitetin dhe shpirtin shqiptar. Drejtori i fotografisë është imazhi i filmit.
HAPET DEBATI
A duhet të largohet Xhevdet Ferri nga QKK?
Nisur nga kjo intervistë, gazeta “Albanai” fton të gjithë kineastët shqiptarë të interesuar për të marrë pjesë në debatin e hapur mbi drejtimin e QKK-së nga Xhevdet Ferri; a duhet të largohet ai nga drejtimi i Qendrës dhe si ju duken politikat dhe financimi që bëhet apo që mungon, për zhanre të caktuara të filmit shqiptar? Mund të na shkruani në adresën e postës elektronike (petrikagrosi@yahoo.it) ose të telefononi në redaksinë e kulturës (+355 68 40 56 309).
15 Tetor 2009