E Diel, 1 Nëntor 2026

BE-ja shmang skepticizmin, gati për zgjerimin në Ballkan



Deklarata, dyert hapur për Shqipërinë dhe fqinjët e saj

Kërkohet një regjim i ri vizash me këto vende

Bashkimi Evropian ka shembur muret e skepticizmit në radhët e tij, duke deklaruar se ka dyert hapur për zgjerimin e mëtejshëm me vendet e Ballkanit, ku aspiron dhe Shqipëria të bëhet së shpejti kandidate. Një takim i ministrave të Jashtëm të BE-së në Pragë ka përfunduar me një deklaratë pozitive për sa i përket të ardhmes së unionit dhe pse ai ndodhet aktualisht në një krizë ekonomike, e cila po e bën më të vështirë konceptin e pranimit të vendeve të reja. Por pavarësisht deklaratave skeptike të disa liderëve të vendeve më me peshë në union, deklarata përfundimtare ka qenë në favor të hapjes së BE-së drejt Ballkanit, duke nisur me një liberalizim të shpejtë vizash.

Deklarata

Ministrat e Jashtëm të BE-së deklaruan se mirëpresin në union të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sapo të miratohej Traktati i Lisbonës në fund të këtij viti, por vendosën si parakusht mundësinë e unionit për të përballuar ekonomitë e reja, çka vë në rrezik absorbimin pa probleme të ekonomisë së madhe e të ndërlikuar turke. “MSA-ja është firmosur nga 6 vende të Ballkanit. Më 1 prill Shqipëria bëhet vendi i tretë pas Maqedonisë dhe Kroacisë me hyrjen në fuqi të MSA-së”, - thuhet në deklaratë. Por BE-ja u referohet përpjekjeve individuale të secilit prej vendeve drejt integrimit, duke theksuar se secili do të vlerësohet për meritat e tij. Në këtë kontekst presidenca e BE-së rithekson rëndësinë për zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare si dhe reformave politike dhe progresit solid në fushën ekonomike. Më tej ministrat prekën çështjen e Kosovës, duke e cilësuar si të rëndësishëm orientimin e këtij vendi drejt perspektivës evropiane. Deklarata u firmos nga ministrat e 27 vendeve anëtare në pallatin çek, Hlluboka, ku po mbahet takimi. Pavarësisht derës së hapur për Ballkanin, duket se rruga është vështirësuar disi për Turqinë. Ministri çek i Punëve të Jashtme, Karl Shvercenberg, vendi i të cilit për momentin po kryeson me BE-në, deklaroi në konferencën për shtyp se detyra e tij në forum ka qenë t’u sqarojë "miqve perëndimorë evropianë se Ballkani është pjesë e Evropës dhe se vendet ballkanike duhet të pranohen sa më parë në Union". “Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë një perspektivë evropiane. Kemi dëshmuar se BE-ja duhet të mësojë nga historia e saj dhe kjo histori tregon se bashkimi bën fuqinë”, - ka theksuar shefi i diplomacisë britanike, David Miliband. Ndërsa ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksandër Stub, ka theksuar se faza më e mirë nëpër të cilën ka kaluar BE-ja këto dhjetë vitet e fundit, ka qenë zgjerimi i saj në vitin 2004, ku dhjetë vende u bënë anëtare të bllokut. Por ai shtoi se nëse Traktati i Lisbonës nuk do të hynte në fuqi siç është parashikuar për vitin 2010, kjo do ta vështirësonte zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit. Pa ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, situata mund të ndërlikohej dhe do të na duhej të bënim disa ndryshime në mekanizmat e votimit”, - deklaroi ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild.

Marrëdhëniet Ballkan - BE

Nga shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor, synimet e të cilave për anëtarësim në BE u shqyrtuan sot, Kroacia është më afër inkuadrimit dhe shpreson që t'i përfundojë negociatat deri në fund të vitit. Ajo së pari duhet ta përfundojë kontestin kufitar me Slloveninë, e cila është anëtare e Unionit që prej vitit 2004 dhe e cila e bllokon kandidaturën e Kroacisë. Maqedonia mori status të kandidates në vitin 2005, por ende nuk e ka zgjidhur kontestin me Greqinë lidhur me emrin kushtetues. Shqipëria ka shpallur se do ta paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij gjashtëmujori, ndërkohë që më herët të njëjtin hap e ka ndërmarrë edhe Mali i Zi. Ministrat e Jashtëm shtuan një parakusht për përfundimin e procesit me vendet ballkanike, atë të miratimit të Traktatit të Lisbonës, që pritet të përfundojë brenda këtij viti. Por si kusht i parë do të jetë aftësia e BE-së për të thithur pa trauma ekonomitë e vendeve të reja.

Turqia

Nëse për vendet ballkanike kjo duket se nuk përbën problem, çështja e Turqisë vështirësohet më tepër, pasi duket se absorbimi i kësaj ekonomie duket e vështirë për BE-në, e zhytur në krizën më të vështirë financiare që prej Luftës së Dytë Botërore. Në një vështrim të parë, analistët u shprehën se parakushtet e reja nuk drejtoheshin kundër vendeve ballkanike, stabiliteti i të cilave është jetik për BE-në, por thjesht një pengesë tjetër për të shtyrë në pafundësi integrimin e Turqisë në BE, skepticizëm për të cilin nuk kanë ngurruar të shprehen në publik edhe lokomotivat e Bashkimit Evropian, Kancelarja gjermane Anxhela Merkel dhe Presidenti francez Nikola Sarkozi.

Fratini, apel BE-së: Të liberalizojmë vizat me Ballkanin

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, vazhdon të mbajë flamurin e projektit të BE-së për të liberalizuar vizat me vendet rreth saj që aspirojnë të bëhen një ditë anëtare. Ai ka vlerësuar dje në Pragë se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë plotësuar kriteret për këtë gjë, kështu që mbetet të ndërmerret hapi nga BE-ja për një regjim të ri vizash. Fratini tha se Roma zyrtare mbështet heqjen e vizave me të gjitha vendet që i kanë plotësuar kushtet e vëna nga evropianët, duke cituar këtu Shqipërinë dhe Serbinë. Në këtë kontekst, ai kërkoi një vullnet më të mirë politik për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit. Fratini, që mban njëkohësisht detyrën e zv.presidentit të Komisionit Evropian, është partizan i projektit për liberalizmin e vizave me këto vende. Para disa ditësh, ai së bashku me homologun e tij slloven, iu drejtuan Bashkimit Evropian me një letër, ku kërkonin gjithashtu zgjerimin e Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar këtë si të rëndësishëm për stabilitetin e këtij rajoni. Në letër u theksua rëndësia e madhe e zgjerimit në këto vende, përfshi këtu Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›