Biznesi: Tatimet të zbulojnë kompaninë “piramidale”
Konfindustria kërkon që të zbatohet procedura e falimentimit
Kompanitë me humbje, rrezik për ekonominë shqiptare
Kompanitë me humbje që nuk u nënshtrohen procedurave të falimentimit, përbëjnë një rrezik për ekonominë shqiptare. Biznesi i grupuar pranë Konfindustrisë është i shqetësuar për shtimin e kompanive që dalin me humbje, duke kërkuar nga Drejtoria e Tatimeve t’i vëzhgojë më me rreptësi dhe t’i zbulojë ato për t’iu nënshtruar ligjit të falimentit. Konfindustria shpreh shqetësimin për praninë në rritje të të ashtuquajturave “zinxhir të kompanive piramidale të fshehura” në ekonominë shqiptare. Konfindustria ka paraqitur kërkesën zyrtare ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të ndërmarrë sa më shpejt veprimet ligjore të domosdoshme për të luftuar dukurinë e “zinxhirit të kompanive piramide të fshehura”, që rezultojnë me humbje faktike disavjeçare financiare, paaftësi likuiditeti “cash” të mbuluar në formën e detyrimeve të ndërsjella në natyrë. Konfindustria i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ngritjen e strukturave të posaçme brenda sistemit të tatimeve për fillimin e procedurave të falimentit ligjor për subjektet/shoqëritë me humbje financiare të njëpasnjëshme 2-vjeçare si dhe transferimin e detyrimeve përkatëse financiare bazuar në ligjin "Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Është rreziku i qartë dhe mundësia reale, që shuma të mëdha të kredive të dhëna me mungesë të theksuara profesionalizmi dhe deri subjektivizëm dhe korrupsion nga bankat e nivelit të dytë sidomos në 3-4 vitet e fundit, të jenë përfituar dhe të kenë mbajtur në këmbë biznese piramidë, që rezultojnë prej vitesh me humbje, duke krijuar pas vetes edhe një zinxhir të madh kreditorësh. Humbjet e krijuara të këtyre kompanive piramidale dhe maskimi i tyre në vite nëpërmjet kredive bankare të dhëna me subjektivizëm ose paaftësi, janë një "bombë me sahat" për sistemin bankar, për mirëqenien e qytetarëve shqiptarë dhe për vetë zhvillimin ekonomik të vendit.