Platforma e PD-së, Berisha: Dy objektivat e mandatit të dytë
Kryeministri Berisha, në kuvendin e degës së Durrësit
Arsimi dhe shëndetësia, A-ja e programit qeveritar
Ndërsa ndodhemi 3 muaj larg nga dita e zgjedhjeve, Kryeministri Sali Berisha zbardhi dje dy objektivat kryesorë të mandatit të dytë. Arsimi dhe shëndetësia janë objektivat e platformës së PD-së për katër vitet në vazhdim. I ndodhur në qytetin e Durrësit, ku dega lokale zgjodhi kryetarin e ri, lideri i mazhorancës bëri të ditur dy fushat kryesore që PD-ja do të paraqesë përpara elektoralit shqiptar. “Dy janë fushat kryesore në të cilat qeveria e ardhshme do të përqendrohet me të gjitha potencialet e saj”, - tha përpara delegatëve në Durrës, Berisha. Duket se programi elektoral do të ketë në qendër këta objektiva, por sipas Berishës, vendi do të ketë edhe drejtime të tjera.
Kreu i PD-së u kërkoi dje votën qytetarëve të Durrësit dhe gjithë vendit, jo për katërvjeçarin që kaloi, por për 4 vitet e ardhshme. “Pra, ne nuk kërkojmë votën për ato që kemi bërë. Ne ftojmë çdo qytetar të reflektojë dhe të shohë që kemi mbajtur premtimet e dhëna dhe votën e kërkojmë për ato që ne do të bëjmë”, - tha më tej Berisha.
Platforma
Kryeministri tha se objektivi i parë do të jetë shëndetësia. Sipas tij, në katër vitet që lamë pas, u investua në dinjitetin e bluzave të bardha, duke dyfishuar pagat e tyre. Ai premtoi një reformë të thellë në këtë sistem, duke nisur nga eliminimi i korrupsionit, si dhe në modernizimin e shërbimit dhe cilësisë së spitale. “Me krijimin e kushteve, këtë vit, ne kemi filluar në mbarë spitalet e vendit blerjen e shërbimeve nga institucioni financiar. Ky është vetëm një hap. Unë ju garantoj se në vitet që vijnë, me shpejtësinë më të madhe, reforma e këtij sistemi do të ndryshojë cilësinë e shërbimit dhe do të jetë kjo një nga përparësitë më madhore tonat”, - tha Berisha. Ai shtoi se reforma do të ketë si bazë sigurimin e qytetarëve, duke vendosur në treg edhe shërbimin privat. “Do hapim garën e shërbimeve, do t’i japim të drejtën qytetarit që ai t’i blejë apo t’i marrë këto shërbime aty ku ai preferon dhe i gjykon cilësisht më të larta. Kjo do të thotë se duhet të shtrijmë sigurimet edhe në drejtim të sektorit privat, duke mbështetur sektorin publik, duke mbështetur të gjithë ata që nuk kanë mundësi. Pra, kur them që këto shërbime t’i blejë qytetari, e kam fjalën që t’i blejnë sigurimet për të. Pra, kjo reformë mbetet një përparësi absolute”, - premtoi Berisha.
Reforma në arsim do të jetë epiqendra tjetër e mandatit të dytë. Berisha tha se në katër vitet që lamë pas, arsimi pati një ndryshim rrënjësor, duke hedhur bazat e një reforme më të thellë. U rritën pagat e arsimtarëve, u hapën dyert e universiteteve, si dhe u ndryshua sistemi i pranimeve në shkollë të lartë, duke i mbyllur derën korrupsionit. “Ne shtrimë internetin në të gjitha shkollat e vendit. Ka pasur skepticizëm, ka pasur edhe arsyetime se përse na duhet kjo gjë, por sot në çdo shkollë që unë shkoj, konstatoj se ato kabinete janë kabinete të shpresës, të besimit, të krenarisë për çdo shkollë”, - tha Berisha.
Në katër vitet e ardhshme do të ketë një rritje të fondeve në arsim, e shoqëruar me një konkurrencë të fondeve private në arsim. “Vendet që kanë arsimin më të zhvilluar në botë, kanë pjesëmarrjen më të lartë të sektorit privat në arsim, që do të thotë të mobilizojmë fondet më të mëdha në rang kombëtar për zhvillimin e këtij sektori”, - shtoi Kryeministri. Në fund të fjalës së tij në Durrës, Berisha tha se kjo qeveri kreu misionin e saj në katër vitet që lamë pas. Ai tha se PD-ja ka një program të qartë projektesh, ndërsa krahu tjetër, vetëm retorikë mediatike. “Ne nuk e bazojmë platformën tonë në retorikë. Për ne, shpresë është puna, për ne e ardhme është rritja ekonomike, integrimi në NATO, ne nuk jemi dhe nuk do të jemi ndonjëherë parti e fjalëve boshe”, - deklaroi Kryeministri.
Për sa u përket objektivave të tjera, kreu i mazhorancës nuk la pa përmendur luftën e mëtejshme kundër korrupsionit, integrimin në BE, liberalizimin e vizave, luftën e mëtejshme kundër krimit dhe trafiqeve, infrastrukturën, rritjen e pagave dhe pensioneve e shumë pika të tjera.