E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi të hënën miraton projektin për ish të përndjekurit

28/03/2009  Këshilli i Ministrave nuk kthen përgjigje brenda afatit, drafti kalon për shqyrtim

Hyrja në fuqi ligjit në maj, u lë 40 ditë kohë subjekteve për dokumentet

Kuvendi i Shqipërisë ka parashikuar të miratojë të hënën projektligjin më të fundit lidhur me dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, projekt i cili përveçse zgjeron skemën e përfituesve, shtyn edhe afatin e depozitimit të dokumenteve. Projektit i ka munguar përgjigja e Këshillit të Ministrave dhe sipas Kushtetutës, ai kalon për shqyrtim sipas procedurës së zakonshme. Nëse gjatë seancës së 30 marsit nuk do të ketë ndonjë shtyrje apo pezullim të procesit të miratimit, ish të përndjekurit do të kenë në dispozicion 40 ditë kohë për të paraqitur pranë Ministrisë së Drejtësisë dokumentet për të përfituar masën e shpërblimit.

Procedurat

Mazhoranca dhe Ministria e Drejtësisë kanë dhënë miratimin e tyre për miratimin nga legjislativi të projektit në fjalë, por ajo që mund të cilësohet problem është respektimi i nenit 82, pika 1, e Kushtetutës. Sipas kësaj pike propozimi i ligjeve, kur është rasti, duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij. Nëse ky moment tejkalohet, miratimi i projektit në seancën e së hënës dhe shfrytëzimi i të gjitha afateve ligjore nga Presidenti i Republikës për dekretimin e miratimit të projektit, atëherë sipas llogaritjeve rezulton që ai të hyjë në fuqi në dhjetëditëshin e parë të muajit maj. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Brenda 5 ditëve nga dekreti i miratimit ligji botohet në Fletoren Zyrtare dhe 15 ditë pas tij, ai hyn në fuqi.

Paraqitja e dokumenteve

Sipas ndryshimeve të parashikuara në projekt, afati për paraqitjen e dokumenteve është shtyrë deri në 1 korrik të këtij viti. Referuar datës 10 maj, kohë kur ligji hyn në fuqi, subjekteve të interesuara u mbeten 40 ditë kohë që të paraqiten pranë dikasterit të paraqesin kërkesat. Kjo periudhë përket edhe me procesin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s. Projekti i mazhorancës i ndërmarrë vetëm pak muaj para zgjedhjeve duket demagogji më shumë se një projekt real, që synon mbështetjen e kësaj kategorie. Projekti i ri parashikon që procedura e shqyrtimit administrativ të kërkesave dhe masa e dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të ekzekutuara padrejtësisht pa gjyq, për motive politike, gjatë periudhës 30.11.1994 deri më 01.10.1991 përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Me dënim penal të padrejtë, në kuptim të këtij ligji për efekt të dëmshpërblimit, nënkuptohet dënimi kapital ose çdo ditë heqje lirie, izolimi, internimi apo dëbimi, për vepra penale politike në institucionet penitenciare apo një institucion mjekësor, psikiatrik apo jo psikiatrik, për shkak edhe të një akti administrativ apo dokumenti zyrtar që provon internimin në kampe me rrethin me tela me gjemba. I dënuari ose familjarët e viktimave të dënuara, të ekzekutuara apo të pushkatuara, për të përfituar dëmshpërblim duhet që sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 01.10.1991. Në rrethin e familjarëve përfitues përfshihen përveç bashkëshortes dhe fëmijëve edhe vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Kërkesa me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për dënimin penal të padrejtë paraqiten në Ministrinë e Drejtësisë deri në 1-07-2009.

Qëndrimi i opozitës

Opozita gjatë diskutimit të projektit në komisionet parlamentare ka votuar kundër ndryshimeve të projektligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, për shkak të parashikimit në ligj të përfitimit të shpërblimit edhe të disa kategori personash që sipas deputetëve të PS-së, kanë qenë bashkëpunëtorë me pushtuesit. Ndonëse është shprehur pro kujdesimit nga qeveria të kësaj shtese shoqërore, ata votuan kundër projekti në fjalë pasi dëmshpërblen persona që kanë vrarë bashkëkombësit e tyre për interesa të okupatorit. Së bashku me deputetët e PBDNJ-së ata këmbëngulën në marrja e një përgjigjeje nga Këshilli i Ministrave dhe të një faturë financiare për këtë projekt.

Shqyrtimi i kërkesave

Kërkuesit që kanë paraqitur kërkesë për përftimin e dëmshpërblimit financiar në Ministrinë e Drejtësisë dhe janë njoftuar me “njoftim negativ” kanë të drejtë të riparaqesin një kërkesë të re për të rikonfirmuar vullnetin e tyre, si dhe certifikatën e lindjes së lëshuar jo më vonë se 45 ditë nga dorëzimi i kësaj kërkese të dytë, të cilat i bashkëngjiten dokumentacionit të paraqitur prej tyre. Pas regjistrimit të dokumentacionit strukturat e Ministrisë nisin procedurat e shqyrtimit administrativ për përfitimin e dëmshpërblimit financiar. Ministria e Drejtësisë fillon procedurën e shqyrtimit administrativ për të gjitha kërkesat për përfitimin e dëmshpërblimit financiar të paraqitura pas datës 19.12.2008.

Statistika

Të ekzekutuar burra: 5557 persona

- Të ekzekutuara gra: 457 persona

- Të dënuar politikë burra: 26768 persona

- Të dënuar politikë gra: 7367 persona

- Të çmendur: 308 persona

- Të varurit: nuk dihen

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›