E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Këshilli i Evropës, kundër qeverisë

Reporterët e KE-së përshëndesin vendimin e Kushtetueses, për pezullimin e ligjit të lustracionit


Në raportin e reporterëve për Shqipërinë të Asamblesë Parlamentare, është përmendur çështja "Biberaj" dhe "TemA"


Këshilli i Evropës ka dalë kundër qeverisë shqiptare rreth ligjit shumë të debatuar në vend të lustracionit. Reporterët për Shqipërinë të Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, kanë shprehur në raportin e tyre komente pozitive për pezullimin e përkohshëm të këtij ligji dhe mundësinë për të bërë disa përmirësime, që, sipas tyre, janë të nevojshme. Reporterët që vizituan Tiranën muajin e kaluar, ku takuan të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura, kanë bërë një përmbledhje të zhvillimeve në vendin tonë. Në përmbledhjen e hartuar nga ata, përmenden çështje shumë të nxehta si, ligji i lustracionit, KQZ-në e re, çështja "Biberaj", mbyllja e redaksisë së gazetës "TemA", etj.
"Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e ligjit të debatuar të lustracionit, është një zhvillim i mirëpritur",- thanë reporterët e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Jaakko Laakso nga Finlanda dhe David Wilshire nga Mbretëria e Bashkuar. "Gjykata përdori pushtetin e saj për të pezulluar zbatimin, derisa ajo të marrë një vendim përfundimtar mbi ankesat e depozituara nga Partia Socialiste, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit",- shtuan ata. Reporterët takuan Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, në Tiranë. Me këtë rast, ata nxitën gjykatën t'ia përcjellë ligjin Komisionit të Venecias për t'u këshilluar rreth pajtueshmërisë së tij me standardet dhe parimet ligjore, demokratike dhe të të drejtave të njeriut evropiane. Ata u shprehën të kënaqur me veprimin e Gjykatës. Duke komentuar vendimin e gjykatës, reporterët thanë se u çliruan me gjetjen e një mënyre për të ndaluar dhe reflektuar mbi detajet e këtij ligji shumë të debatueshëm. "Askush nuk thotë se Shqipëria nuk duhet të ketë një ligj lustracioni dhe ekspertët po ofrojnë ndihmë për zbatimin e një ligji. Sidoqoftë, disa nga detajet e ligjit aktual kanë nevojë reale për ndryshime",- tha zoti Wilshire.


"Biberaj"
Çështja "Biberaj" nuk është anashkaluar në raportin e reporterëve të KE-së. "Më 28 dhjetor 2008, sekretari i delegacionit shqiptar dërgoi një postë elektronike në Strasburg, duke informuar se delegacioni i vitit 2009 do të ishte i njëjtë si në vitin 2008. Më 8 janar 2009, një letër e re u dërgua, këtë herë nga zonja Jozefina Topalli, Kryetare e Parlamentit Shqiptar, dërguar zotit Lluís Maria de Puig, President i Asamblesë, ku e informonte se zoti Aleksandër Biberaj do të zëvendësohej nga zoti Ilir Rusmali, si anëtar dhe kryetar i delegacionit",- shkruhet në raportin e reporterëve të KE-së. Ndërsa, sipas raporti, më 22 janar, Biberaj shpjegoi se nuk ishte informuar rreth këtij ndryshimi deri në hapjen e sesionit të janarit. "Kur ne e takuam zotin Biberaj në Tiranë, ai na tregoi se ai as nuk ishte konsultuar, as nuk i ishin dhënë arsye për ndryshimin",- thuhet në raport.


Reporterët: Do të hetojmë mbylljen e "TemA"-s

Mbyllja e redaksisë së gazetës "TemA" dhe djegia e makinës së botuesit të saj, nuk është anashkaluar nga reporterët për Shqipërinë të Asamblesë Parlamentare. Ata kanë kontaktuar botuesin e gazetës, Mero Baze, i cili i ka informuar mbi aksionin për mbylljen e redaksisë. "Zoti Mero Baze na njoftoi ne se, disa masa administrativ dhe ligjore patën shkaktuar mbylljen e gazetës së përditshme shqiptare "TemA". Ne ramë dakord me kërkesën për t'u takuar me z. Baze, drejtor i gazetës dhe e shqyrtuam çështjen me autoritetet. Drejtori i "TemA"-s, Mero Baze, dhe gazetarët e tjerë, thonë se bllokimi faktik i gazetës është i motivuar politikisht, për shkak se ato kanë publikuar akuza mbi korrupsionin që ka përfshirë anëtarët e qeverisë dhe zyrtarët. Zoti Baze thotë, gjithashtu, se djegia e makinës së tij para shtëpisë, ka lidhje me publikimet e skandaleve",- citohet në raportin e tyre. Reporterët shprehen se do të hetojnë mbi këtë çështje në vizitën e ardhshme në Tiranë. "Ne nuk patëm kohë të mjaftueshme dhe mundësi për të hetuar tërësisht këto indikacione, por do ta bëjmë një gjë të tillë gjatë vizitës së ardhshme, si dhe do ta përfshijmë në raport nëse Shqipëria ka respektuar angazhimet dhe detyrimet e veta apo jo",- shkruhet në raport.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›