E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, demokrati Obama dhe republikani Mekein fitues në tre shtete

Ata kanë fituar në Merilend, Virxhinia dhe në Uashington DC.
Barak Obama ka fituar bindshëm në Merilend, Virxhinia dhe në Uashington DC. Në këtë mënyrë, demokrati Obama ka arritur të mbledhë për herë të parë më shumë vota delegatësh sesa konkurrentja e tij, Hilary Klinton. Ndërsa te republikanët, senatori Xhon Makein e thelloi edhe më tej fitoren e tij. Megjithë fitoren në të tre shtetet federale, ai deklaroi: “Ne kemi një rrugë të gjatë para vetes në këtë fushatë dhe kemi pasur të përpjetat dhe të tatëpjetat tona, por, siç e deshi fati, ky produkt i shansit dhe i zellit, ne po i afrohemi fundit të gjysmës së parë të zgjedhjeve me një rritje të fuqishme”, - është shprehur Mekein. Zgjedhjet preeliminare për kandidat për president të SHBA-ve kaluan në një raund të ri. Fitorja e Barak Obamas në të tre shtetet federale pritej, por rezultatet ishin veçanërisht të qarta. Senatori nga Ilinoisi ishte për herë të parë në gjendje të mblidhte edhe votat e grupeve të zgjedhësve, të cilët normalisht mbështesin konkurrenten e tij, Hilarin, gra dhe të bardhë, klasën punëtore dhe të organizuarit në sindikata. Barak Obama ecën kështu në valën e tij të suksesit. Në mbrëmje ai udhëtoi për në Madison, në shtetin Viskonsin, ku të martën e ardhshme do të zhvillohen zgjedhjet. Atje ai festoi tepër i kënaqur dhe i lumtur me mbështetësit e tij. “Ne e dimë që rruga jonë nuk do të jetë e lehtë, por ne dimë edhe që cinikët tani nuk mund të pohojnë më se shpresa jonë është e kotë. Ne kemi fituar në Lindje dhe në Perëndim, në Veri dhe në Jug, kryq e tërthor në vendin që ne e duam kaq shumë”. Hilari Klinton në këtë mënyrë nuk mund të konsiderojë se e ka fituar garën. 2025 vota delegatësh duhet të mbledhë ai ose ajo që dëshiron të bëhet kandidat për president i demokratëve në SHBA. Të dy kandidatët kanë siguruar më shumë se 1 mijë vota, pra janë ende shumë larg shifrës magjike. Për momentin, Barak Obama ka epërsi të lehtë dhe Klinton ka probleme: pas menaxheres së saj të fushatës elektorale, tani dha dorëheqjen edhe zëvendësi i saj dhe nga ana financiare asaj iu desh të fuste dorën në xhepin e saj për të mbushur arkën elektorale. Në gazeta citohen anëtarë të ekipit të saj, të cilët thonë se nuk kishin llogaritur që pas “Të martës së madhe” do t’u duhej të vazhdonin. Klinton foli në mbrëmje, pa u shpallur ende rezultatet, përpara mbështetësve të saj në El Paso, Teksas. Ajo dëshiron t’i harrojë sa më shpejt që të jetë e mundur shuplakat e ditëve dhe javëve të fundit dhe e hedh vështrimin përpara. Në Teksas, njësoj si në Ohajo, më 4 mars do të ketë zgjedhje preeliminare dhe atje shanset e saj janë më të mira.
“Në tri javët e ardhshme, ne do të mbledhim të gjitha votat anembanë Teksasit dhe do të shpallim atje pikëpamjen tonë që Amerika ka nevojë për një president që të jetë i gatshëm që ditën e parë për detyrat e tij si komandant i forcave të armatosura dhe për të siguruar edhe njëherë ngritjen ekonomike. Unë jam e provuar, unë jam e gatshme, le të kujdesemi që kjo të ndodhë”, - është shprehur Klinton.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›