BE-ja thirrje Ballkanit: Mos abuzoni me liberalizimin e vizave
Komisioni Europian u bëri thirrje vendeve të Ballkanit, që së fundi morën të drejtën e hyrjes pa viza në zonën Shengen, t’u thonë qytetarëve të tyre të mos abuzojnë me sistemin. Kjo deklaratë vjen pas njoftimit nga Belgjika të rritjes së dukshme të azilkërkuesve. Sipas medieve belge, rreth 300 shtetas të Serbisë dhe Maqedonisë, kryesisht shqiptarë, kanë paraqitur kërkesa për azil me pretendimin se janë të përndjekur. Duke reaguar ndaj këtyre njoftimeve, zëdhënësi i Komisionit, Mishel Cercone, tha se pjesa më e madhe e aplikimeve për azil janë bërë për shkaqe ekonomike dhe kanë shumë pak shanse të pranohen. Cercone kërkoi me tej me insistim nga “vendet, që së fundi përfituan nga liberalizimi i vizave, të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të shmangur keqkuptimin, apo keqpërdorimin nga shtetasit e tyre të lirisë së lëvizjes në BE pa viza”.
Obama me strategji të re, armë konvencionale në vend të arsenalit bërthamor
Presidenti i SHBA-ve Barak Obama ka deklaruar se pretendon një botë të re pa armë bërthamore, duke reduktuar për pasojë edhe armët atomike në vendin e tij. Megjithatë, sipas tij kjo do të ndodhë kur të gjitha vendet të zbatojnë ligjet e sipërpërmendura.
Ndryshe nga paraardhësi i tij në detyrë Xhorxh Bush, Obama sipas informacioneve të gazetës “New York Times” nuk do të zhvillojë armë të reja nukleare dhe as autobomba, që thyejnë bunkerë. Por Pentagoni do të zhvillojë armë të reja konvencionale, me të cilat brenda një ore arrihen të kryhen sulme rrufe në të gjithë botën. Zëvendëspresidenti i SHBA-ve Xho Bajden thekson: “Me këto armë të reja dhe me sistemet e reja të mbrojtjes nga raketat, SHBA-të mbeten shumë të fortë edhe me një arsenal shumë të reduktuar armësh”. Një tjetër avantazh i Obamës mbetet edhe mundësia që ai të japë i pari urdhërin për sulm atomik. Biles edhe kundër shteteve pa armë atomike, nëse prej territorit të tyre kërcënon rreziku i një sulmi terrorist me armë biologjike, apo kimike. Dhe megjithë planet e tij për çarmatimin atomik, presidenti amerikan ka marrë aprovim nga kongresi për 7 miliardë dollarë shtesë për modernizimin e armëve nukleare.
Ukrainë
Parlamenti nuk i jep besimin Timoshenkos
Pas një vote mosbesimi të parlamentit në Kiev, kryeministrja ukrainase Julia Timoshenko duhet të japë dorëheqjen. Një shumicë prej 243 deputetësh votoi për dhënien fund qeverisë Timoshenko, koalicioni qeveritar i së cilës u prish dy ditë më parë. Ajo mori edhe vota kundër nga kampi i vet. 49-vjeçarja paralajmëroi një kurs të ashpër në opozitë kundër presidentit të ri Viktor Janukoviç. Partia e tij ka tani 30 ditë kohë për të formuar një kabinet të ri. Në rast se kjo nuk arrihet, kreu i shtetit mund të shpërndajë parlamentin dhe të vendosë zgjedhje të reja.
Kili
Mbërrijnë ndihmat e para
Tri ditë pas tërmetit të rëndë, në Kili kanë mbërritur ndihmat e para nga Peruja dhe Argjentina. Ndihmat përmbajnë ndër të tjera batanije dhe çadra si dhe një spital fushor. Brazili njoftoi se do të dërgojë në zonën e krizës pajisje mjekësore dhe një spital lëvizës. Të martën ministrja e Jashtme e SHBA-ve Hilari Klinton, pas një takimi me presidenten Mishel Bachelet, dhe të caktuarin si pasues të saj, Sebastian Pinera, premtoi ndihmë të gjerë. Nga tërmeti i së shtunës dhe përmbytjet që pasuan, sipas të dhënave të fundit kanë humbur jetën rreth 800 vetë.
Irak
29 të vrarë nga sulmet me bomba
29 persona kanë mbetur të vrarë nga disa sulme me bomba në qytetin qendror irakian, Bakuba, dhe kanë mbetur të plagosur shumë të tjerë. Sulmet u bënë disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të parapara për 7 të këtij muaji. Këto janë votimet e dyta të këtij lloji në Irak, prej vitit 2003, kur Sadam Huseini u përmbys nga sulmi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Policia tha se dy sulmet e para me bomba, kishin në shënjestër stacionin e policisë dhe një ndërtesë qeveritare. Një tjetër person aktivizoi materialin eksploziv në trupin e tij, afër spitalit kryesor të Bakubës.
4 Mars 2010