Deportohet në Shqipëri imami i vetëshpallur Kastriot Xhemal Duka
PRISHTINË-TIRANË - Kastriot Duka, i njohur me emrin Xhemal, ekstradohet menjëherë për në Shqipëri pas “dëbimit” të tij nga shteti i Kosovës për shkelje të legjislacionit. Imami Kastriot Xhemal Duka është arrestuar nga autoritetet dhe më pas deportuar në Shqipëri pasi e konsiderojnë atë si imamin e vetëshpallur të Marinës së Skenderajt. Një ditë më parë, nën dyshimet për aktivitete të paligjshme, Inspektorati Komunal i Skenderajt, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e ka mbyllur xhaminë në Marinë.
Ministra e Brendshme e Kosovës: “Shkeli ligjet e vendit”
Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, thuhet se Dukës i është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në territorin e Republikës së Kosovës, pasi ai ka shkelur legjislacionin në fuqi dhe në disa raste ka cenuar rendin publik dhe kushtetues të Kosovës. “Elementet inkriminuese të vërtetuara edhe me paraqitjet publike të Dukës flasin për një ndërrim të arsyes dhe qëllimit, për të cilin edhe i është dhënë leje-qëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës”, - thuhet në komunikatë, duke shtuar se Duka, së fundi, me vendim të plotfuqishëm të gjykatës kompetente, ka qenë i shpallur fajtor për shkelje të legjislacionit në drejtim të qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kosovës. “Ekzistojnë arsye të besueshme dhe të vërtetuara edhe nga vetë Kastriot Duka në paraqitjet e tij publike, se qëllimi primar për të cilin ka kërkuar të qëndrojë në Republikën e Kosovës është ndryshuar dhe ka orientim krejtësisht tjetër. Leje qëndrimi është lëshuar për zhvillimin e aktiviteteve humanitare, e jo të aktiviteteve të tjera, të cilat zoti Duka i ka ushtruar në territorin e Republikës së Kosovës”, - thuhet në komunikatën e MPB-së. “Nisur nga këto fakte dhe në bazë të këtij vendimi, Policia e Kosovës, më datë 3 mars 2010 ka arrestuar dhe deportuar në shtetin amë Kastriot Dukën. I ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi (ligji ‘Për të huajt’)”, - sqarohet në komunikatën e MPB-së.
Mbyllja e Xhamisë në Skënderaj
Javën e kaluar, Kuvendi Komunal i Skenderajt, nisur nga një peticion i nënshkruar nga 6 mijë qytetarë të këtij vendi, mori një vendim për mbylljen e përkohshme të xhamisë dhe largimin e Dukës. Xhamia në Marinë ishte e vetmja në Kosovë që nuk ishte nën juridiksionin e bashkësisë islame, ndaj pretendohet se Kastriot (Xhemal) Duka ushtroi funksionin e imamit pa bekimin e bashkësisë. Kastriot Duka në Marinë ka drejtuar edhe shoqatën humanitare “Rahma/Mercy”. Sakaq, në Skënderaj, dje është mbajtur një protestë në shenjë të shprehjes së pakënaqësive për vendimin e mbylljes së përkohshme të xhamisë në fshatin Marinë. Policia e Kosovës tha se në protestën që ka zgjatur rreth 30 minuta, kanë marrë pjesë rreth 100 persona dhe se protesta ka përfunduar e qetë. (Radio Europa e Lirë)
BOX
Reagimi i qytetarëve
Gjatë protestës së djeshme qytetarët e Marinës kanë reaguar për mbylljen e xhamisë dhe largimin e imamit Duka. “Unë jam myslimane dhe i përkas besimit fetar islam, mirëpo myslimane dhe respektim të fesë në mënyra tradicionale, siç ka qenë përpara, e jo me një kulturë iraniane a irakiane, sepse nuk kemi nevojë. Situata është mëse alarmante jo vetëm në Drenicë, por në tërë Kosovën me këtë sekt, sepse tërë Kosova, pas luftës, është përfshirë në një ekstremizëm, radikalizëm të fesë, gjë që çon te fondamentalizmi islamik. Unë do të doja të ikte nga ky fundamentalizëm islamik. Ne kemi qenë të shqetësuar. Për këtë kemi bërë peticionin, i cili u nënshkrua nga 6 mijë qytetarë”, - thotë Ajnishahe Halimi.
Duka: “Peticioni, i rremë”
Kastriot Duka nga Elbasani, që tashmë ka ndryshuar emrin në Xhemajl, një ditë para se të mbyllej xhamia, në njërën nga dhomat e saj të shndërruar në zyrë, hodhi poshtë akuzat. Ai, madje, akuzoi iniciatorët e peticionit se kanë mbledhur nënshkrime të rreme. “Ka marrë nënshkrime të rreme, ka manipuluar në emër të Albin Kurtit. Ky nuk është vendim i drejtë, sepse shteti është i ndarë nga xhamia. Ne kemi bashkësinë islame në Kosovë, e cila ka të drejtë dhe kompetencë ta mbyllë xhaminë kur ka baza. Por, megjithatë, ne jemi në negociata me bashkësinë islame dhe shumë shpejt do ta zgjidhim problemin e xhamisë së Marinës”, - tha Duka.
Duka thotë se përmes organizatës së tij “Rahma/Mercy”, ndihmon 550 familje në Drenicë me nga 20 euro në muaj. Në Marinë, shumica e banorëve kanë familjarë të vrarë në luftë. Ata thonë se shoqata “Ramha/Mercy”, me seli në Angli, vazhdimisht u ka ndihmuar në ushqime, por edhe në të holla. Shefkije Mëziu është njëra nga ato që thotë se ka përfituar: “Janë shpifje. Hoxha na ka ndihmuar të gjithëve me shpirt. Për hoxhën s’ka ç’thotë askush. Atë ditë që ta heqin hoxhën nga këtu, sidomos kush ka jetimë, mbaron krejt”, - thotë Mëziu.
4 Mars 2010