E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, masa të reja antikrizë, vendi në prag protestash masive

Plani parashikon të sjellë kursime në vlerë 4,8 miliardë euro

Blerina Olldashi

Kryeministri grek Jorgos Papandreu informoi ditën e djeshme presidentin e republikës Karolos Papulias për masat shtesë që qeveria e tij vendosi të marrë, pas një takimi të gjatë që zhvilloi kabineti i tij. Duke folur për gazetarët pas takimit me presidentin, Papandreu tha se ishte i ndërgjegjshëm se këto ishin vendime të vështira, por të nevojshme për shpëtimin e vendit dhe të ekonomisë greke. Kriza e rëndë ekonomike, detyroi qeverinë greke të vendoste masa të tjera shtesë, me anë të të cilave pretendohet të ulen borxhet shtetërore gjigante dhe defiçiti buxhetor. Masat parashikojnë reduktimin e pagës së 13-të dhe 14-të në masën 30 për qind për sektorin shtetëror, 12 për qind reduktim edhe në shtesat e pagës, me 10 për qind ulen shpenzimet e ndërrmarjeve shtetërore dhe 5 për qind investimet e tyre, rriten taksa e pasurive të patundshme në firmat private, TVSH. Këto masa parashikojnë gjithashtu 10 për qind taksë shtesë në karburante, 20 për qind për cigaret, pijet alkoolike dhe mjetet e luksit, taksë shtesë për makinat me çmim fabrike mbi 17 000 euro, ngrihen pensionet për vitin 2010. Do të tatohet për herë të parë në historinë e vendit akoma edhe pasuria e patundshme e Kishës Greke. Plani do të sjellë kursime në vlerë 4,8 miliardë euro. Qeveria e ka hedhur tashmë projektligjin për t’u miratuar urgjent në parlament, ndërsa Jorgos Papandreu pasi ka marrë edhe miratimin e presidentit Papuljas për këto masa të dhimbshme, por të domosdoshme për vendin sic i ka quajtur ai, ka deklaruar se tashme Greqia pret një aleancë nga ana e partnerëve europianë sipas marrëveshjes që ka kryer me Brukselin. Megjithatë burime pranë kryeministrit grek janë shprehur se nëse Papandreu nuk gjen ditën e premte mbështetje nga Angela Merkel gjatë vizitës së tij në Berlin, nuk përjashtohet që Greqia t’i drejtohet për ndihmë edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Reagimi i BE-së
Vendimi i qeverise greke për të shkurtuar sa më shumë shpenzimet në mënyrë që të reduktohet defiçiti i brendshëm, është një prej kërkesave kryesore të Brukselit që duket se është i kënaqur nga ky hap i hedhur. “Vendet e euros janë gati të ndërmarrin një aksion për të siguruar stabilitetin financiar të të gjithë zonës euro”, shprehet presidenti i grupit të euros, Zhan Klod Junker. Mesditën e djeshme, qeveria e Papandreut miratoi paketën e masave ligjore për shkurtimin e shpenzimeve publike dhe rritjen e ndjeshme të taksave në disa sektore.
Alarm për protesta
Ende pa u shpallur masat shtesë, në Greqi kanë nisur protestat para ndërtesës së kryeministrisë. Dhjetëra pensionistë, në çastet kur numri një i qeverisë greke Papandreu së bashku me kabinetin e tij, hartonin projektligjin me masat e reja financiare, paketa e dytë brenda pak ditësh, dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Masat e fundit pritet të sjellin një valë të madhe protestash nga sindikatat greke, pavarësisht thirrjeve tepër dramatike të udhëheqjes së vendit nëse ato nuk zbatohen, Greqia do të shkojë drejt falimentimit.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›