E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndotja e ajrit, qeveria do të hartojë një plan kombëtar veprimi



Jonida Tashi

Ndotja e lartë e ajrit në vendin tonë ka detyruar qeverinë që të marrë disa masa për zgjidhjen e kësaj situate problematike, prania e së cilës po i kanos çdo ditë rreziqe shëndetit të shqiptarëve. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka vendosur të bëjë disa ndryshime në ligjin e vitit 2002, “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, ku qeveria ka paraqitur edhe propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8897, datë 16.5.2002, ‘Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja’”. Pas shqyrtimit të këtij projektligji, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në ligj. Sipas ndryshimeve të bëra, për herë të parë në vendin tonë do të hartohet një Plan Kombëtar Veprimi për Cilësinë e Ajrit, që do të përdoret për parandalimin dhe/ose pakësimin e ndotjes së cilësisë së ajrit. Afati i Planit Kombëtar të Veprimit për Cilësinë e Ajrit, do të jetë 5-vjeçar, i cili do të rishikohet dhe përditësohet herë pas here, nëse është e nevojshme. Më tej ky plan do të pasohet me planet vendore të veprimit për cilësinë e ajrit, që do të hartohen nga pushteti vendor. Sipas projektligjit të ri, brenda 60 ditëve nga data e caktimit të një zone veprimi për cilësinë e ajrit, organi i qeverisjes vendore, që administron këtë zonë veprimi do të hartojë planin vendor të veprimit për cilësinë e ajrit.
Ndryshimet
Sipas ndryshimeve të bëra, ligji “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja” ka për qëllim të garantojë të drejtën e shtetasve për të jetuar në një mjedis me ajër të pastër, të mbrojë shëndetin e njeriut, faunën, florën dhe vlerat natyrore e kulturore të mjedisit shqiptar nga ndotja e ajrit, nëpërmjet: parashikimit të masave për cilësinë e ajrit të mjedisit, me qëllim shmangien, parandalimin ose uljen e pasojave të dëmshme mbi shëndetin dhe mjedisin; vlerësimit të cilësisë së ajrit të mjedisit në bazë të metodave e të kritereve që përdoren në komunitetin europian; marrjes së informacionit të mjaftueshëm për cilësinë e ajrit të mjedisit dhe për të siguruar disponueshmërinë e këtij informacioni për publikun, midis të tjerash, edhe me anë të pragjeve sinjalizuese; ruajtjes së cilësisë së ajrit të mjedisit, kur ajo është e mirë, dhe përmirësimit të tij në raste të tjera. Po ashtu, në ligj janë shtuar edhe disa përkufizime përsa i përket termave që do të përdoren për të përcaktuar ajrin e ndotur apo nivelin e ndotjes. Më tej, në projektligjin e ri janë shtuar edhe shtatë tregues të tjerë mjedisorë të ndotjes së ajrit si: Benzeni; Monoksidi i karbonit; Hidrokarburet poliaromatike; Kadmiumi; Arseniku; Nikeli; Mërkuri. Treguesit mjedisorë bazë të gjendjes së ajrit shprehin përmbajtjen e ndotësve të mëposhtëm atmosferikë: Dioksidit të sulfurit; Dioksidit të azotit; lëndëve të imëta grimcore, si bloza (përfshirë PM 10); lëndëve grimcore në gjendje pezull; Plumbit (aerosol); Ozonit. Për zona të veçanta, në varësi të natyrës së shkarkimeve në ajër dhe sipas nevojës, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Shëndetësisë, miraton vlerat kufi, pragun sinjalizues dhe vlerat e synuara të cilësisë së ajrit për ndotësit e listuar më sipër, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Monitorimi
Përveç ndryshime të mësipërme, në projektligjin e ri “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, Këshilli i Ministrave ka shtuar edhe disa nene të reja që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe monitorimin e cilësisë së ajrit. Kështu, për monitorimin dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit do të hartohet një plan, në të cilin territori i Republikës së Shqipërisë do të ndahet, sipas zonave të veçanta të monitorimit të cilësisë së ajrit. Plani jep hollësi për zonat e monitorimit të cilësisë së ajrit, të cilat do të klasifikohen si “grumbullime”, në rast se: në to ka një përqendrim popullsie më të lartë se 250 000 banorë; në to ka një përqendrim popullsie më pak se 250 000 banorë, por me dendësi për km², që justifikon nevojën për një rivlerësim dhe menaxhim të cilësisë së ajrit të mjedisit; sipas mendimit të ministrit, bazuar në të dhënat studimore, burimi apo burimet ndotëse dhe dendësia e lartë e popullsisë për km² justifikojnë nevojën e vlerësimit të cilësisë së ajrit. Pas hartimit, plani do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Shëndetësisë. Ndërsa përsa i përket monitorimit të cilësisë së ajrit, Ministria e Mjedisit duhet të bëjë një vlerësim paraprak të cilësisë së ajrit në bazë të matjeve, analizave, mbikëqyrjes dhe rivlerësimeve për çdo zonë monitorimi. Monitorimi i cilësisë së ajrit të mjedisit, për çdo zonë monitorimi, i referohet vlerës kufi të cilësisë së ajrit, pragut sinjalizues dhe vlerës së synuar të cilësisë së ajrit. Për këtë, ministri i Mjedisit, në bazë të një vlere kufi për cilësinë e ajrit, mund të specifikojë një kufi tolerance, si përqindje e vlerës kufi të cilësisë së ajrit që mund të tejkalohet.

Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit
Për parandalimin dhe/ose pakësimin e ndotjes së cilësisë së ajrit do të hartohet Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit, me afat 5-vjeçar, i cili do të rishikohet dhe përditësohet herë pas here, nëse është e nevojshme. Ky plan do të përmbajë:një analizë të gjendjes aktuale; një analizë të përmbajtjes së planeve ose të programeve të sektorëve të tjerë, që mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo në nivelet e cilësisë së ajrit; ndërhyrje konkrete dhe me kosto efektive për parandalimin dhe/ose pakësimin e ndotjes së ajrit; rekomandime për kërkime dhe/ose për veprimtari monitorimi të mëtejshme.

Planet vendore të veprimit për cilësinë e ajrit
Brenda 60 ditëve nga data e caktimit të një zone veprimi për cilësinë e ajrit, organi i qeverisjes vendore, që administron këtë zonë veprimi, harton planin vendor të veprimit për cilësinë e ajrit. Plani Vendor i Veprimit për Cilësinë e Ajrit është në përputhje e në zbatim të Planit Kombëtar të Veprimit për Cilësinë e Ajrit dhe përmban: një analizë për problemet ekzistuese të cilësisë së ajrit brenda një zone veprimi, përfshirë dhe ndikimin, në cilësinë e ajrit, të praktikave e të planeve të përdorimit të tokës dhe të planeve vendore të transportit dhe ndikimin e masave të parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit për Cilësinë e Ajrit; parashikime të tjera për: hartimin e një programi, ku të përcaktohet marrja e masave të hollësishme për riorganizimin e problemeve të konstatuara, përfshirë propozime për ndryshime, nëse është e nevojshme, të planeve ekzistuese të përdorimit të tokave dhe të planeve të transportit; hartimin e një programi për zgjidhjen e problemeve të cilësisë së ajrit dhe të ruajtjes ose të arritjes së vlerës kufi të cilësisë së ajrit dhe/ose vlerës së normës, brenda një afati kohor të caktuar;
hartimin e një plani vendor transporti, nëse nuk ka, në bashkëpunim me strukturat vendore përgjegjëse për transportin, për të gjithë ose për një pjesë të territorit, të përfshirë në zonë. Planet vendore të veprimit për cilësinë e ajrit rishikohen dhe përditësohen çdo 2 vjet. Organet e qeverisjes vendore, në hartimin e planit vendor të veprimit për cilësinë e ajrit sigurojnë pjesëmarrjen e publikut dhe pas miratimit të tij, e bëjnë atë publik. Plani vendor i veprimi miratohet nga këshilli bashkiak i qeverisjes përkatëse vendore.

Komiteti i Veprimit për Cilësinë e Ajrit
Nëse zona e veprimit për cilësinë e ajrit përfshihet në administrimin e më shumë se një bashkie ose komune, ngrihet një komitet veprimi për cilësinë e ajrit, me përfaqësues nga organet përkatëse të qeverisjes vendore.
Komiteti bashkërendon punën për hartimin, miratimin dhe zbatimin e planit vendor të veprimit për cilësinë e ajrit.
Plani vendor i veprimit për cilësinë e ajrit është i detyrueshëm për zbatim nga të gjitha organet përkatëse të qeverisjes vendore.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›