E Diel, 1 Nëntor 2026

Z . Ministër, vlerësoni mësuesit e kualifikuar dhe largoni drejtuesit me arsim të mesëm!



Sonil Llabani*

Letër e hapur Ministrit të MASH-it , z. Myqerem Tafaj

Z . Ministër !

Unë që po Ju shkruaj quhem Sonil Llabani, me profesion mësues, lindur e rritur në një familje mësuesish dhe i ushqyer me këtë pasion megjithëse nuk ofron komoditet në jetë .
Në datë 27 Tetor 2009 ju kam dërguar një letër rekomande me përgjigje dhe ende sot nuk kam marrë asnjë përgjigje; në datë 18 Nëntor 2009 Ju dërgova një letër me e-mail në adresën Tuaj zyrtare mtafaj@mash.gov.al dhe ende sot nuk kam marrë asnjë përgjigje;

Në datë 10 Nëntor 2009 dhe 19 Nëntor 2009 kam bërë kërkesë për takim me Ju, në MASH dhe ende sot nuk kam marrë asnjë përgjigje; Në datë 24 Nëntor 2009 Ju kam telefonuar në nr . e celularit dhe ju kam kërkuar të më ktheni një përgjigje dhe të më sistemoni në punë; Më premtuat se do të më kthenit një përgjigje dhe ende sot nuk kam marrë asnjë përgjigje; Në datë 07 Dhjetor 2009 Ju kam telefonuar përsëri në nr . e cel . dhe ju kam kërkuar të më kthenit një përgjigje se çfarë kishit bërë lidhur me kërkesën time për të më sistemuar në punë. Më thatë se do të çonit njerëz, por se ku ?… atë e dinit Ju.

Sipas ligjit, brenda 40 ditëve të dërgimit të letrës rekomande me përgjigje, Ju duhej të më kishit kthyer përgjigje, fakti që ende nuk më keni kthyer asnjë përgjigje tregon papërgjegjshmërinë Tuaj në drejtimin e MASH-it dhe për atë ushtri arsimtarësh që përfaqësoni.
Për këto gjëra që po Ju shkruaj tani publikisht në letër të hapur, Ju’a kam shkruar edhe në letrën rekomande me përgjigje, edhe në letrën me e-mail që Ju dërgova në adresën Tuaj zyrtare: mtafaj@mash.gov.al dhe Ju’a kam thënë edhe në telefonatat që Ju kam bërë në numrin Tuaj të celularit, por meqenëse Ju nuk më kthyet përgjigje, po Ju drejtohem me letër të hapur:

Kam mbaruar 2 fakultete , zotëroj 3 gjuhë të huaja dhe jam pa punë edhe pse jam i kualifikuar. Që nga Tetori i vitit 2004 dhe deri në verën e vitit 2009 kam punuar mësues provizor me gjuhën e huaj, në të gjitha ciklet e sistemit parauniversitar: anglisht në Ciklin e Ulwt dhe në Ciklin e Lartw 9-vjeçar dhe italisht në pedagogjike dhe gjimnaz pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale tw Qarkut Tiranë dhe për më tepër në punën time si mësues jam vlerësuar pozitivisht nga të gjithë drejtuesit e mi gjë të cilën e vërtetoj me anë të dokumenteve që disponoj.
Në vitin 2002 mbarova studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve tw Huaja, dega Greqisht–Anglisht, ku u diplomova me titull: “Specialist i Gjuhës Greke”. Meqenëse anglishtja qe gjuhë e dytë në fakultet dhe nuk na u shënua në diplomë, sikundër na u premtua, por u la vetëm si lëndë mësimore për 4 vjet njësoj me greqishten , me aftësitë e mia, në 2004, hyra në punë si mësues i gjuhës angleze pranë Drejtorisw Arsimore Rajonale tw Qarkut Tiranë në bazë të një konkursi që u zhvillua dhe vendin e punës e zura me konkurs duke konkurruar me ata që anglishten e kishin gjuhë të parë. Meqenëse nuk kisha titull për mësues nuk më bënin definitiv (kurse ata që mbaronin shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja i bënin definitiv dhe nga kjo del që Anglishtja e shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja është më e fortë se anglishtja e fakultetit, qoftë kjo edhe gjuhë e dytë) u detyrova të nis studimet në 2004 pranë Universitetit tw Tiranws, në degën Gjuhë–Letërsi Shqipe, të cilat i përfundova në 2009 me titull: “ Mësues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe për Shkollat e Mesme”. Por çudia nuk ndodh këtu: Drejtori i Drejtorisw Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë, z. Ylli Xhaferri nuk më merr në punë megjithëse jam i kualifikuar, kurse ata që janë të pakualifikuar (me arsim të mesëm) i bën drejtues shkolle dhe mësues. Dhe për më tepër, 134 mësuesve provizorë që punuan aty nga Shtatori 2008 deri në 30 Qershor 2009, Drejtoria Arsimore Rajonale e Qarkut Tiranë u prishi kontratat e punës pikërisht një ditë përpara se ata të fillonin lejen e zakonshme që përfitonin në bazë të ligjit. Për më tepër, ekonomistët e DAR të Qarkut Tiranë, me urdhër të z. Xhaferri, i kanë mbajtur lekët për tatimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore për dy muajt e lejes Korrik – Gusht 2009 dhe u’a kanë hedhur të tëra në muajin Qershor 2009 kur këto lekë të lejes së zakonshme duhej të ndaheshin për çdo muaj, përkatësisht Korrik dhe Gusht, dhe jo në muajin Qershor që ishte muaj pune, duke i humbur me dashje mësuesve 2 muaj vjetërsi pune që garantohet me ligj. Dhe kjo u bë me qëllimin e vetëm për t’i larguar nga puna këta 134 mësues dhe për t’i zëvendësuar ata me të tjerë. Pra, nëse do pwrfshijmw edhe muajin Qershor, që është muaj pune, mbajtën lekët për 3 muaj; Qershor, Korrik, Gusht dhe siguruan vetëm 1 muaj; Qershorin. Me këtë veprim ata treguan diletantizmin e tyre profesional dhe bënë një gabim që edhe një nxënës i shkollës së mesme ekonomike nuk do ta bënte. Dhe kjo është bërë qëllimisht nga DAR e Qarkut Tiranë, sepse ekziston një ligj që mbron mësuesit provizorë që thotë: “Që nga dita kur një mësues provizor ndërpret marrëdhëniet financiare dhe 30 ditë mbrapa, i ruhet e drejta për të punuar sërish në të njëjtin vend pune ose diku tjetër, pranë së njëjtës Drejtori Arsimore”. Për mosndarjen e lekëve sipas muajve, në muajin Nëntor 2009, unë kam bërë padi në Gjykatën e Tiranës për shkelje financiare dhe moszbatim të ligjit nga ana e Drejtorisw Arsimore Rajonale të Qarkut, Tiranë për dëmin që mu shkaktua, sepse unë nuk kam pse të paguaj përsëri për sigurimet kur m’i kanë mbajtur një herë lekët për këtë gjë.

Ju jeni shprehur se nuk do të ketë asnjë mësues pa Master dhe pa një gjuhë të huaj. Unë kam 2 fakultete, zotëroj 3 gjuhë të huaja dhe jam pa punë. Duke vendosur njerëz me arsim të mesëm në krye të stafeve pedagogjike, z . Xhaferri ka nëpërkëmbur dinjitetin e mësuesve, ka ulur figurën e tyre dhe i ka fyer ata. Një nënoficer nuk duhet të drejtojë një duzinë oficerwsh. Për këtë arsye, dhe për shkeljen e ligjit që ka bërë, duke u prishur qëllimisht kontratat 134 mësuesve, ai nuk duhet të vazhdojë të drejtojë DAR të Qarkut, Tiranë.

Kjo nuk përkon me synimin Tuaj për ta çuar shkollën shqiptare drejt Evropës, por të kujton kohën e komunizmit kur klasa punëtore drejtonte ata që kishin mbaruar studimet e larta në Shqipëri dhe në vendet e Lindjes. Prandaj, nwqoftwse Ju, përveç kostumit, keni dhe mentalitetin evropian dhe jo komunist, Ju kërkoj publikisht të më ndihmoni të sistemohem në punë.
Për arsye politike, dhe për shkak të krizës që ka kapur vendin, Ju po largoni 1300 mësues duke i rritur normën pjesës tjetër dhe duke larguar nga puna ata mësues që nuk kanë bindje të djathta dhe ata që ngrenë krye kur u shkelen të drejtat sepse nuk pranojnë të diskriminohen, por mos do të thotë kjo që mësuesit e kualifikuar të rrinë pa punë dhe ata që janë të pakualifikuar (me arsim të mesëm, që nuk dinë asnjë gjuhë të huaj dhe nuk i përmbushin ato kritere që Ju keni përcaktuar) të punojnë dhe për më tepër të bëhen drejtues shkollash?!

Mos vallë, është ky arsimi evropian që na premtuat?! Një mësues me shkollë të mesme të drejtojë një staf pedagogjik me shkollë të lartë?! Dhe për paralelizëm, nënoficeri të drejtojë oficerin, infermieri mjekun, tekniku inxhinierin , etj.
Unë nuk them që Ju të largoni nga puna ata mësues me shkollë të mesme që kanë pasur rezultate të larta në punën e tyre, por është i pafalshëm tolerimi Juaj kur dëgjoni se një mësues me shkollë të mesme drejton një staf pedagogjik me shkollë të lartë, qofshin këta edhe militantë partie .
Mos vallë PD-së i mbaruan militantët me shkollë të lartë që vendosen në krye të drejtimit të shkollave njerëz me arsim të mesëm? Apo mos vallë posti i drejtuesit të shkollës ka dalë në ankand dhe blihet nga ai që ofron më shumë?
Pres reagimin dhe ndihmën Tuaj për tu sistemuar në punë.

*Mësues dhe Gazetar

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›